Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Parolin: shpresa për një Helsinki të ri, hap përpara takimi Biden-Xi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë një veprimtarie në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë, komentoi situatën dramatike në Lindjen e Mesme: "Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi, pikat themelore për një zgjidhje". Kardinali Pietro Parolin dënoi përdorimin e spitaleve për aksione lufte dhe foli për rigjallërimin e dhunës në Ukrainë. Më pas, kërkoi të mblidhet një konferencë ndërkombëtare për paqen

R.SH. – Vatikan

         Nga njëra anë, dhimbja për gjendjen në Lindjen e Mesme - për pengjet ende në duart e Hamasit dhe për civilët në Gaza, duke filluar nga bashkësia "shumë e vogël" e krishterë – por edhe dhimbja për Ukrainën, ku vijon lufta “tejet e përgjakshme". Nga ana tjetër, shpresa për disa “hapa përpara”, si takimi i djeshëm i presidentit amerikan Joe Biden me homologun e tij kinez Xi Jinping, ose mundësia për thirrjen e një konference të re të Helsinkit. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, foli para gazetarëve në ambasadën italiane në Selinë e Shenjtë, gjatë një veprimtarie, organizuar nga Telefono Azzurro.

Dënimi i luftës

Prelati u përqendrua në dramën, që po përjeton Lindja e Mesme, duke shprehur shqetësimin e Selisë së Shenjtë dhe dënimin për sulmet kundër spitaleve. “Respekti për spitalet dhe për vendet e kultit – nënvizoi ai - është aspekt themelor i së drejtës ndërkombëtare humanitare”. Duke përsëritur se po punohet për një takim të mundshëm ndërmjet Papës dhe familjeve të pengjeve në Gazë, kardinali uroi të arrihet lirimi i burrave, grave dhe fëmijëve izraelitë, ende në duart e Hamasit. “Besojmë – theksoi - se lirimi i pengjeve është një nga pikat themelore për zgjidhjen e problemit humanitar për ata, që ndodhen atje: gratë, burrat, fëmijët, të sapolindurit, gratë shtatzëna”. Pika tjetër themelore, vënë në pah nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është arritja e armëpushimit, që do të lejonte mbërritjen e ndihmave e kujdesin për të plagosurit.

Shqetësimi për bashkësinë e krishterë në Gazë

Më pas, kardinali Parolin i bëri të tijat fjalët e shqiptuara në videokonferencë nga Patriarku Latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme të ipeshkvijve italianë, në Asizi. Në veçanti, shqetësimin për bashkësinë e vogël të krishterë në Gazë, rreth 150 vetë, strehuar në kishën vendase. “Ky shqetësim shtrihet tek të gjithë, - nënvizoi ai - sepse zemra e Kishës nuk mund të mbyllet për të tjerët”. “Dhimbja na bashkon, përballë dhimbjes nuk ka dallime”. Kardinali shpjegoi se autoriteteve izraelite dhe palestineze u është bërë e qartë se ka civilë në kishë. “Kemi disa garanci, por siç e dini, lufta nuk bën dallime” shpjegoi Parolin, i cili shprehu shqetësimin e përhershëm të Selisë së Shenjtë për një eksod të mundshëm edhe të atyre pak të krishterëve, që kanë mbetur – relatitet dramatik për gjithë Tokën Shenjte e për gjithë Lindjen e Mesme. Ndërkaq, vazhdojnë përpjekjet diplomatike: “Më duket se Egjipti dhe Katari po bëjnë diçka”. Por edhe si Seli e Shenjtë, pavarësisht se jo si ndërmjetësues të drejtpërdrejtë,  “jemi në kontakt me bashkëbisedues të ndryshëm për të dhënë një dorë e për të inkurajuar zgjidhjen e çështjes”.

Në Ukrainë, pak perspektiva për zgjidhje

Më pas, vëmendja u zhvendos në Ukrainë, për të cilën po flitet gjithnjë e më pak. "Kjo varet nga ju," u tha Parolin gazetarëve të pranishëm. Konflikti i Ukrainës vijon të mbetet i përgjakshëm, vuri në dukje Sekretari i Shtetit të Vatikanit, që u shpreh "i tronditur" dhe "shumë i pikëlluar" nga "humbjet e regjistruara në të dyja frontet". Edhe në Ukrainë, nënvizoi kardinali, " fatkeqësisht, nuk ka perspektiva të mëdha për zgjidhje, por duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo tragjedi".

Takimi ndërmjet SHBA-së dhe Kinës

Shpesh, Papa Françesku ka kërkuar një Konferencë të re të Helsinkit, në vazhdën e ngjarjes së vitit 1975, që i vuri fre Luftës së Ftohtë. "Të shpresojmë”, uroi kardinali, i cili e konsideron sinjal pozitiv takimin e djeshëm ndërmjet presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping në San Francisko. Për kardinalin Parolin, ai ishte, sigurisht, “një hap përpara në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën, pasi u tha se nuk mund t'i kthejmë shpinën njëri-tjetrit. Më duket se ky është përparim në një situatë tensioni të përgjithshëm”.

Një konferencë e re ndërkombëtare

“Sigurisht – vuri në dukje Sekretari i Shtetit të Vatikanit – nëse do të kishte vullnet nga ana e të gjithëve, do të arrinim vërtet të mblidhnim një konferencë ndërkombëtare, ku të ringjallej fryma e Helsinkit”. Por së pari, duhet “të rizbulojmë së paku besimin minimal tek njëri-tjetri e kjo na mungon sot”. Helsinki "lindi pikërisht nga besimi se mund të bënim diçka së bashku". Kardinali Pietro Parolin u tregua optimist: “Flasim tepër për gjëra negative”, por “ka edhe disa shenja shprese. Shpresojmë që ajo të përforcohet” përfundoi ai.

17 nëntor 2023, 12:13