Kërko

Papa Françesku uron shkrimtarin Jon Fosse, Çmim Nobel për Letërsinë 2023

Papa Françesku uroi shkrimtarin norvegjez Jon Fosse, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë 2023, i kthyer në fenë e krishterë në vitin 2012, në të njëjtin vit në të cilin kaloi çaste të vështira.

R.SH. / Vatikan

Shkrimtari norvegjez u kthye në fenë katolike në vitin 2012, kur kishte nisur ta tepronte me përdorimin e alkoolit. Kaloi nga dehja me pije, në atë me kryevepra, që e bënë të njohur “krejt esëll” në mbarë botën. Më 18 tetorin e kaluar, Papa i dërgoi një letër Fosse-it duke e uruar për njohjen prestigjioze të marrë nga Akademia Mbretërore Suedeze, siç njofton Salla e Shtypit e Konferencës së Ipeshkvijve të Norvegjisë.

“Po ju shkruaj që t'ju uroj për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë 2023 dhe për të shprehur vlerësimin tim për faktin se dëshmia Juaj e ëmbël e fesë dhe zëri Juaj letrar i përkushtuar do të arrijnë në duart e një publiku tejet të gjërë” – shkruan Papa Françesku në letrën personale dërguar Jon Fosse – për të pohuar më pas se Fosse ka "fuqinë të kujtojë hiret, paqen dhe dashurinë e Zotit të gjithëpushtetshëm në botën tonë shpesh të zhytur në terrina”. E kjo do të thotë të çosh një rreze drite në humnerat e kohëve të errta! Në vijim Ati i Shenjtë beson se krijimtaria e Fosse-s mund të "pasurojë jetën e shtegtarëve të tjerë në rrugën e fesë, duke ushqyer fenë e të tjerëve, me të vetën”. Së fundi Ati i Shenjtë shkruan: “Duke ju siguruar se do t’ju kujtoj në lutjet e mia, kërkoj të zbresin mbi Ju begatisht bekimet hyjnore”.

Fosse nuk e priste një përshëndetje nga vetë Papa Françesku. Ndaj u mahnit, u gëzua dhe u prek në shpirt kur mori letrën. "Përshëndetja e Papës për një çmim Nobel është padyshim nder i madh.  Edhe i merituar. Tregon jo vetëm se çmimi tërheq vëmendjen ndërkombëtare, por që fjalët e Fosse shkojnë edhe përtej gjithë botës, edhe në Vatikan”, pohoi  ipeshkvi i Oslos, imzot Bernt I. Eidsvig, i lum që Papa Françesku shfrytëzoi rastin për të përshëndetur sivëllezërit e tij norvegjezë në fe.

Më 10 dhjetor, dorëzimi i Çmimit

64-vjeçari Jon Fosse do të marrë çmimin Nobel për Letërsinë nga Akademia Suedeze në Stokholm, më 10 dhjetor. Është shtetasi i parë norvegjez që e merr, pas 95 vjetëve. Çmimi përbëhet nga medalja e artë, diploma dhe 11 milionë korona suedeze. Fosse është autori i katërt norvegjez që merr çmimin, i dyti katolik: Bjørnstjerne Bjørnson e mori çmimin më 1903, Knut Hamsun më 1920 dhe katolikja Sigrid Undset më 1928.

Më 5 nëntorin e kaluar, kur u shpall çmimi Nobel i Fosse-s, ipeshkvi i Oslos deklaroi: "Unë e përgëzoj ngrohtësisht atë në emër të të gjithë norvegjezëve që lexojnë letërsi! Është lajmi më i mirë që mund të merrnim tani. Më gëzon veçanërisht fakti që ai është katolik e që jep dëshmi për fenë e tij! A s’është dëshmi, madje nga më të lartat, ky çmim që kurorëzon vite e vite me pendë mbi kartë?  Si katolik, që jep dëshmi për besimin e tij? Gëzohem në emër të mbarë kombit, në veçanti të Norvegjisë Katolike”.

30 nëntor 2023, 08:57