Kërko

Nga Shqipëria, përvoja vëllazërimi në Vatikan, tek Papa Françesku

Dhjetë krerë fetarë nga qyteti i Korçës ishin të pranishëm të mërkurën, në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, për të përshëndetur Papën dhe për të dëshmuar, me përvojën e tyre personale, rëndësinë e bashkëjetesës ndërfetare

R.SH. – Vatikan

Një udhëtim vëllazërimi për të dëshmuar forcën e dialogut ndërfetar si shembull për të jetuar së bashku dhe për t’i bërë ballë çdo forme konflikti. Një alternativë e qartë dhe konkrete, në krahasim me të ashtuquajturën "përplasje qytetërimesh". Pikërisht për këtë, dhjetë krerë fetarë nga qyteti i Korçës, erdhën të mërkurën në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në audiencën e përgjithshme, për të paraqitur para Papës Françesku përvojën e tyre personale të bashkëjetesës ndërfetare, duke propozuar një model bashkëpunimi, lindur në një vend - tokë martirësh, ku jetojnë së bashku myslimanë sunitë, të krishterë ortodoksë, katolikë dhe bektashi.

Njohja me njëri-tjetrin dhe pranimi i dallimeve

Që prej disa muajsh – pohon don Riccardo Scorsone, zëvendësrektor i Kolegjit Papnor Urban "De Propaganda Fide", i cili shoqëroi grupin - "ka filluar një program i gjatë për ndarjen e kohës e të hapësirës, për t'u njohur me njëri-tjetrin dhe për t’i pranuar dallimet, duke u siguruar që të mbizotërojnë toleranca dhe paqja, me një fjalë, vëllazërimi”. Në Shqipëri, theksojnë anëtarët e delegacionit, pluralizmi fetar ka qenë gjithmonë vlerë dhe model për t'u propozuar.

Delegacioni ndërfetar i Shqipërisë në audiencën e pergjithshme
Delegacioni ndërfetar i Shqipërisë në audiencën e pergjithshme

Në delegacion marrin pjesë: për bashkësinë katolike, administratori apostolik i Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine dhe don Ignazio Bonsignore; për ortodoksët, popët Mihal Sanellari dhe Vangjel Sotiri; për bashkësinë ungjillore, pastorët Sean Mason dhe Elidon Lilo; për atë myslimane, myftiu Ledian Cikalleshi dhe z. Marenglen Ocka; ndërsa për bashkësinë e bektashinjve, Baba Sadik Ibrokodheli dhe Përparim Ibra.

Vizita në vendet e kultit në Romë

Gjatë tri ditëve të tyre në Romë, ata vizituan vende të ndryshme kulti, si kishën e Shën Teodorit në kodrën palatine, pastaj xhaminë e Romës dhe një qendër bektashinjsh në Capena, pranë kryeqytetit italian. Grupi bëri edhe një vizitë në Dikasterin vatikanas për dialogun ndërfetar.

Mbi këtë udhëtim vëllazërimi, në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit Vatican News të dëgjojmë Administratorin Apostolik të Shqipërisë së Jugut, imzot Giovanni Peragine:

Imzot Giovanni Peragine
10 nëntor 2023, 10:15