Kërko

Në Vatikan, takimi për Shenjtëroret dhe lutjet, me rektorë nga mbarë bota

Nisi dje, më 9 nëntor, në Sallën Pali VI, takimi i dytë ndërkombëtar për rektorët dhe operatorët e Shenjtëroreve, që do të vijojë edhe nesër. Është rast për të vazhduar rrugën formuese, faza e parë e së cilës ishte ajo e vitit 2028, si dhe çast reflektimi, ndërsa afrohet Viti 2025 - Viti i Shenjtë

R.SH. / VATIKAN

Shenjtorja: shtëpi e lutjes: kjo është tema e takimit të dytë ndërkombëtar për rektorët dhe operatorët e Shenjtëroreve, që nisi dje, më datën 9, e do të vijojë deri më 11 nëntor, në sallën Pali VI. Organizuar nga Seksioni për çështjet themelore të ungjillizimit në botë, pranë Dikasterit për Ungjillëzimin, konferenca ka një nëntitull që shpjegon perspektivën e saj: “Për udhë drejt Jubileut 2025”: në përgatitje, pra, për Vitin e Shenjtë. Takimi i mëparshëm, ku morën pjesë drejtues të shenjtëroreve nga e gjithë bota, u mbajt në vitin 2018.

Lutja në format e saj të panumërta

Programi treditor përfshin një mori "leksionesh", gjatë të cilave po reflektohet mbi aspektet e ndryshme të lutjes në Shenjtërore. Pas mirëseardhjes dhe një çasti lutjeje, punimet u hapën me referatin e parë, titulluar "Lutja e ndërmjetësimit", mbajtur nga At Ermanno Barucco, OCD, pedagog në Fakultetin Teologjik të Universitetit Papnor "Teresianum", pasuar Kardinali Angelo Comastri, kryeprift nderi i Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, me temën “Pritja dhe përcjellja e  shtegtarëve". Dita e parë, 9 nëntor, përfundoi me koncertin e Korit të Vogël, titulluar  "Le Dolci Note" – “Nota të ëmbla”.

Paraqitja e kërkimit mbi Shenjtëroret në Itali

Dita e sotme, e premte, u hap në orën 8.30 me kremtimin eukaristik në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Shën Pjetrit, kryesuar nga Imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin e Popujve. Programi, që vijoi në Sallën Pali II, vazhdoi me një referat, titulluar "Lutja e mëkatarit" mbajtur nga At Paul Brendan Murray, OP, profesor në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit, në Romë. Imzot Marco Frisina, kompozitor dhe rektor i Bazilikës së Shën Çeçiles në Trastevere,  trajtoi temën "Si të lutemi me muzikë e këngë".

Pasdite trajtohen temat: "Lutja në art" nga David Lopez Ribes, piktor dhe fitues i Çmimit të Akademive Papnore 2012 dhe "Lutja popullore", nga Atë Daniel Cuesta Gómez, SJ, kujdestar baritor universitar në Galicia, Spanjë.

Në orën 18.00, paraqitja e projektit "Regjistrimi i Shenjtëroreve në rajonet kishtare të Italisë" nga Giustina Aceto, profesoreshë në Fakultetin Papnor Teologjik Marianum, pasuar nga diskutimi i pjesëmarrësve.

Audienca me Papën Françesku

Nesër, e shtunë, Imzot Fisichella do të flasë sërish, duke u ndaluar tek tema "Shenjtërorja drejt Jubileut të Shpresës". Më pas një sërë dëshmish nga bota do të ofrojnë panoramikën e "Lutjes në Shenjtëroret Ndërkombëtare". Çasti kryesor dhe i fundit i takimit, do të jetë audienca me Papën Françesku, në orën 11.30.

10 nëntor 2023, 12:12