Kërko

Konferenca "Care for our Common Home: Building & Communicating an Economy that Promotes Sustainability & Peace", në Vatikan Konferenca "Care for our Common Home: Building & Communicating an Economy that Promotes Sustainability & Peace", në Vatikan

Në Vatikan, një tryezë e rrumbullakët për kujdesin ndaj “shtëpisë së përbashkët”

Dikasteri për Komunikimin dhe ai për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor organizuan takimin me dyer të mbyllura "Kujdesi për Shtëpinë tonë të Përbashkët", në Casina Pio IV, seli e Akademisë Papnore të Shkencave. Të pranishëm, krerë të botës fetare, ekonomike dhe shoqërore, për të diskutuar të ardhmen e një bote më të qëndrueshme

R.SH. – Vatikan

Rreth dyzet liderë nga bota fetare, ekonomike, mediatike dhe politike, të dalluar për impenjimin e tyre në favor të një ekonomie, që kujdeset për ambientin, për promovimin e paqes dhe për të mirën e përbashkët, u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët në Vatikan, me temë "Kujdesi për Shtëpinë tonë të Përbashkët, duke ndërtuar e duke komunikuar një ekonomi, që promovon qëndrueshmërinë dhe paqen”. Veprimtaria e së martës paradite u organizua nga Akademia Papnore e Shkencave, së bashku me Dikasteret e Vatikanit për Komunikimin dhe për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Konferenca erdhi menjëherë pas ekspozitës mbi krizën klimatike "Ndryshimet", me punimet e fotografëve me famë botërore, kombinuar me fjalët e Shën Françeskut të Asizit. Ajo u ekspozua në Sallën e Shtypit të Vatikanit, gjatë gjithë periudhës së Sinodit.

Ruffini: informacioni dhe edukimi janë pasuri publike

Fjalimi i parë ishte ai i Paolo Ruffinit, prefekt i Dikasterit për Komunikimin. Ai e përshkroi tryezën e rrumbullakët dhe ekspozitën fotografike si thirrje "për t'u angazhuar në një ekonomi, që promovon zhvillimin e qëndrueshëm" dhe që vendos në qendër njeriun e mbrojtjen e krijimit. "Varet nga ne", pohoi Ruffini, krijimi i "një rrjeti të mirë dhe të vërtetë komunikimi", i një ekosistemi të përbashkët "për të hartuar etikën e së ardhmes" dhe për të rizbuluar "idenë se informacioni, ashtu si arsimi, është pasuri publike për t’u mbrojtur". "E ardhmja e demokracive”, përfundoi prefekti, “varet pikërisht nga kjo”.

Turkson: shkenca dhe feja nuk janë njëra kundër tjetrës

Kardinali Peter Turkson, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave dhe Shkencave Shoqërore, përshëndeti të pranishmit, duke shpjeguar se Kisha Katolike thekson faktin se shkenca e feja nuk janë në konflikt. Ai përmendi shembullin e themelimit të vetë Akademisë si mjet, përmes të cilit Kisha mëson aktivisht nga shkenca. Turkson shtoi se Akademia është gjithnjë në dialog me anëtarët e saj shkencëtarë dhe me krerët e botës së biznesit për të inkurajuar përfshirjen aktive në trajtimin e pasojave të ndryshimeve klimatike.

Objektivat e OKB-së dhe të “Laudato Si'” në bazën e dialogut për zhvillimin e qëndrueshëm

Interesante edhe ndërhyrja e Jennifer Jordan-Saifi (drejtoreshë administrative e Nismës së Tregut të Qëndrueshëm, promovuar nga sovrani i Mbretërisë së Bashkuar Charles III kur ishte ende Princ i Uellsit), e cila foli për guximin moral të nevojshëm në përballimin e krizave ndërkombëtare sot, duke pasur parasysh sidomos takimin e ardhshëm COP28 në Dubai. JR Kerr, administrator i deleguar i agjencisë Handshake, moderator i tryezës së rrumbullakët, vuri në dukje objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm, paraqitur që në vitin 2015 si nga OKB-ja, ashtu edhe nga enciklika “Laudato Si'” e Papës Françesku. Ato janë baza për dialogun ndërmjet krerëve të sektorit privat dhe atij fetar. Disa nga temat, që dolën në pah gjatë diskutimeve ishin: roli i artit dhe i komunikimit në sensibilizimin e në ndryshimin efektiv, rëndësia e shmangies së gjuhës përçarëse, tregimi si formë e fuqishme arti për të komunikuar mesazhe, mësimet nga ndryshimet kulturore të së kaluarës dhe nevoja që ndryshimi të ndodhë nga poshtë.

Smerilli: nëse punojmë së bashku, ndoshta diçka do të ndryshojë

Nga ana e tyre, drejtuesit e biznesit dhe të ekonomisë diskutuan mbi rëndësinë e statistikave, që dëshmojnë humbjet financiare të qeverive, për shkak të pasojave të ndryshimeve klimatike. Ata vunë në pah edhe se Papa Françesku, kur flet për çështjen e ndryshimit të klimës, me qëllim mbrojtjen e “shtëpisë sonë të përbashkët”, përdor një gjuhë jopolarizuese, duke dhënë shembullin për mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje në shoqëri.

Gjithashtu, u fol për gjendjen e atyre popullsive botërore, që vuajnë shumë, për shkak të fatkeqësive natyrore shkaktuar nga ndryshimet klimatike; u dha një shembull konkret për impenjimin e institucioneve financiare në investimet për tranzicionin drejt emetimeve të ulta të karbonit në atmosferë dhe në inkurajimin e klientëve të tyre për të ecur në këtë drejtim; u nënvizua se tranzicioni energjitik kërkon që të gjithë - individë dhe organizata në çdo nivel - të punojnë së bashku në të njëjtin drejtim; u theksua nevoja për modele të reja konceptuale në botën e biznesit që të arrihet qëndrueshmëria ambientale. Motër Alessandra Smerilli, sekretare e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, duke mbyllur takimin, vuri në dukje nevojën që entitete të vogla, si Vatikani, njerëzit dhe organizatat e pranishme, të dallohen si bartës të ndryshimeve në COP28 dhe në trajtimin e çështjeve të tjera, përmes punës e përpjekjeve të përbashkëta. "Nëse punojmë së bashku," pohoi motër Smerilli, "ndoshta diçka do të ndryshojë”.

08 nëntor 2023, 14:36