Kërko

2019.11.08 "Koncert për të varfrit" - Imzot Marco Frisina 2019.11.08 "Koncert për të varfrit" - Imzot Marco Frisina 

Në Vatikan, më 15 dhjetor, Koncerti me të varfërit e për të varfërit

Hera e katërt e nismës, që rikthehet në Sallën Pali VI me një festë bukurie dhe bamirësie. Të ftuar, për herë të parë, Drejtoresha e Orkestrës, Speranza Scappucci me Orkestrën dhe Korin e Teatrit Romak të Operas. Tre mijë vende të rezervuara për të pastrehët, emigrantët dhe njerëzit që jetojnë në situata vështirësisë shoqërore.

R. V. - Vatikan

Sipas traditës, Salla Pali VI, në Vatikan, do të presë edicionin e katërt të Koncertit me të varfërit dhe për të varfërit, nismë kushtuar njerëzve më të pafavorizuar, të cilët do të mund të jetojnë disa çaste në botën e tingujve të bukurisë, përmes muzikës, bashkuar me një gjest konkret bamirësie. Për ngjarjen, planifikuar të premten, 15 dhjetor 2023 në orën 17.30, do të ketë 3 mijë vende të rezervuara për njerëzit fatpaktë, duke përfshirë të pastrehët, emigrantët dhe ata që jetojnë  në situata të vështira shoqërore. Ata do të jenë "miqtë e nderit" të ngjarjes, të ftuar për të marrë pjesë përmes Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë dhe shoqatave të shumta vullnetare, që i ndihmojnë çdo ditë. Natë përplot me të papritura, kjo: në përfundim spektatorëve do t’u shpërndahet edhe një darkë e këndshme e paketuar e sende të tjera të nevojshme, për kë nuk i ka!

Morricone dhe Piovani në veprimtaritë e mëparshme

I lindur në vitin 2015 nga një ide e Riccardo Rossi-t dhe Gualtiero Ventura-s dhe e organizuar nga Nova Opera nën Drejtimin Artistik të mjeshtrit Imzot Marco Frisina, koncerti sponsorizohet nga Guvernatori i Shtetit të Qytetit të Vatikanit dhe Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë. Në tre edicionet e mëparshme morën pjesë disa prej përfaqësuesve më të mëdhenj të panoramës muzikore ndërkombëtare, duke përfshirë dirigjentin Daniel Oren dhe kompozitorët Ennio Morricone dhe Nicola Piovani, si dhe orkestra prestigjioze, si ajo e Teatro Verdi-t të Salernos, Sinfonia e vogël romake, Orkestra Italiane e Kinemasë dhe Kori i Akademisë Kombëtare të Shën Çeçilies.

Orkestra dhe kori i Operas së Romës

Për vitin 2023, drejtimi orkestral iu besua Drejtoreshës së Orkestrës, Speranza Scappucci, e cila do të ndërrohet në podium me Mjeshtrin Frisina për të drejtuar Orkestrën dhe Korin e Teatrit të Operas të Romës. Në skenë, të pranishëm që në edicionin e parë, janë edhe 200 elementët e Korit të Dioqezës së Romës. Me vlerë, për këtë edicion të Koncertit me të Varfërit e për të Varfërit, është prania e dy solistëve të jashtëzakonshëm: sopranos Maria Grazia Schiavo, ndër zërat më të rëndësishëm të brezit të saj në repertorin barok, tradicional dhe Bel Canto, dhe e tenorit Levy Sekgapane, talent i vlerësuar i Afrikës së Jugut, i cili tashmë ka fituar çmimin "Montserrat Caballé International Singing Competition" dhe konkursin prestigjioz "Operalia".

Programi

Programi përfshin një përzgjedhje kryeveprash nga Mozart, Rossini dhe Çaikovskij, pasuruar me këngë të famshme kombëtare dhe ndërkombëtare të Krishtlindjeve si Joy to the World, Quanno nascette Ninno, Tu scendi dalle stelle dhe Stille Nacht, në variante të reja të orkestruara posaçërisht nga Imzot Frisina.

Pjesëmarrja e publikut në Koncertin me të varfërit dhe për të varfërit është plotësisht falas pas plotësimit të detyrueshëm të formularit në faqen zyrtare të ngjarjes. Biletat, të dërguara me email, përmbajnë një kod unik QR i cili duhet të paraqitet në formë dixhitale ose letre gjatë kontrollit të hyrjes në të njëjtën ditë të ngjarjes.

23 nëntor 2023, 10:14