Kërko

Bredhi i Krishlindjes, në Sheshin e Shën Pjetrit Bredhi i Krishlindjes, në Sheshin e Shën Pjetrit 

Në Sheshin e Shën Pjetrit arrin Bredhi i Krishtlindjes

Bredhi i kuq, 28 metra i gjatë, vjen nga komuna piemonteze e Macra-s, në provincën e Cuneos. Druri i tij do të stoliset për festë e, më pas, do përdoret për të bërë lodra, që do të dërgohen në Caritas. Më 9 dhjetor, ceremonia e përurimit të Shpellës së lindjes së Krishtit dhe ndriçimi i pemës, kryesuar nga Kardinali Fernando Vérgez Alzaga.

R. SH. - Vatikan

Pema e Krishtlindjes arriti në Sheshin e Shën Pjetrit nga lugina e sipërme Maira, në komunën Piemonte të Macras, provincë e Cuneos. U lartua të enjten, 23 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit. Bredhi, 28 metra i gjatë, me peshë 65 kuintalë, u nis për në Romë të martën, më 21 nëntor, me një transport të jashtëzakonshëm të vënë në dispozicion pa pagesë nga kompania Viberti. Pranë tij do të jetë Shpella, nga Lugina Reatina, bredhi, nga zona e Cuneos.

Druri do të vezullojë Natën e Madhe

Bredhi krenar u lartua sakaq në Sheshin e Shën Pjetrit. Pranë do të ketë sipas traditës, Shpellën e Betlehemit.

Kanë kaluar tetëqind vjet që kur Shën Françesku i Asizit krijoi skenën e parë të lindjes së Krishtit, e Onori III miratoi Rregullën Bollata për Fretërit e Vegjël. Në kujtim të këtij përvjetori të dyfishtë, Shpella ku lindi Krishti do të vijë në Sheshin e Shën Pjetrit dhe në Sallën e Palit VI nga Lugina Reatina e Dioqezës së Rietit, ndërsa bredhi monumental i Krishtlindjes, nga lugina e sipërme Maira e dioqezës së Saluzzo-s, komuna Macra,  provinca e Cuneos.

Inaugurimi tradicional i skenës së Lindjes së Krishtit dhe ndezja e dritave që stolisin pemën e Krishtlindjes, do të kremtohet në Sheshin e Shën Pjetrit të shtunën, më 9 dhjetor, në orën 17.00. Ceremonia do të drejtohet nga Kardinali Fernando Vérgez Alzaga, President i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, në prani të motrës Raffaella Petrini, Sekretare e Përgjithshme e të njëjtit Guvernatorat. Në mëngjes, Delegacionet e Rietit dhe Macrës do të priten në audiencë nga Papa Françesku për paraqitjen zyrtare të dhuratave.

Greccio zbret në Sheshin e Shën Pjetrit

Skena e Lindjes së Krishtit në Sheshin e Shën Pjetrit ringjall atmosferën e Krishtlindjes të vitit 1223, kur Shën Françeskut, duke u kthyer nga shtegtimi në Tokën Shenjte, i lindi ideja ta rikrijonte simbolikisht lindjen e Jezusit në një qytezë, që duhet t’i kujtonte botës Betlehemin. Zgjodhi Greccio-n, një fshat në zonën e Rietit, ndërmjet shkëmbinjve, 700 metra mbi nivelin e detit.

Kaluan vite e shekuj e Skena e Lindjes së Krishtit nisi shtegtimin nëpër botë, për të mbërritur edhe në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku e solli për herë të parë Papa Vojtila. Kështu Sheshi i Shën Pjetrit nisi të shndërrohej në një Greccio ideal, me grazhdin, kaun e gomarin e me barinjtë që, duke dalë nga lashtësia, kremtojnë rishtas lindjen e Krishtit mes nesh, njerëzve të shekullit XXI! Kështu u realizua ëndrra e Varfanjakut, që vijon shtegtimin…

Kthim pas në shekujsh

Kujtesa kthehet përsëri në skenën e parë të lindjes së Krishtit në histori, rrëfyer nga Tommaso da Celano e paraqitur në afreskun e shpellës së Greccio-s, ku sodisim një frat, i cili kremton meshën, në prani të Shën Françeskut e të Zojës së Bekuar me Ferishten Hyjnore ndër krahë. Pranë Shën Jozefit në adhurim dhe kaut e gomarit.

Shpella e sivjetme na kujton shkëmbin mbi të cilin lartohet Shenjtërorja e Greccios në një përqafim simbolik me kolonadën e Sheshit të Shën Pjetrit,  e vendosur mbi një bazë tetëkëndëshe në kujtim të tetëqind viteve që kanë kaluar nga ngjarja. Rreth tij, lumi Velino me ujërat, që arrijnë në Romë nga Valle Santa. Ujë që na kujton Këngën e Krijesave dhe historinë mijëravjeçare të luginës kaq të pasur me ujë.

 Personazhet, në përmasa normale, janë prej terrakote të pikturuar (koka, duart dhe këmbët) të montuar në një strukturë hekuri, me veshje të kohës (1200).

Edhe në Sallën Pali VI do të soditet lindja e Jezusit. I mirëpritur, si tetëqind vjet më parë në natën e Greccios, është edhe Shën Françesku; por edhe dhe Shën Kjara, simbol i pranisë së universit femëror të françeskanizmit.

Foshnja mbështillet me një pelenë të bardhë. Pranë ka Shën Françeskun, të gjunjëzuar me krahë hapur. Është simbol i burimit, prej nga rrjedh uji i jetës!

 Fytyra e Foshnjës është e vogël dhe e shndritshme. Pranë Krishtit, Maria me një mantel blu plot yje, simbol i pafundësisë, mban në duar Foshnjën Hyjnore për t’ia paraqitur botës. Pranë saj, Shën Jozefi me petka ngjyrë dheu.

Vepra është krijesë e artistit të mozaikut Alessandro Serena, nga Spilimbergo (Pordenone).

Në përfundim të ekspozitës në Vatikan, veprat monumentale do të ekspozohen përgjithmonë në qytetin e Rietit.

Po druri i Bredhit?

Druri do të përdoret për lodra. Presidenti i Rajonit të Piemontes, Alberto Cirio, shpjegon: "Në Piemonte pemët janë të rëndësishme, nuk i presim rastësisht. Ky bredh duhej të pritej sepse zjarrfikësit kishin gjetur rrezikun e shembjes, pas 56 vitesh. Prerja e tij tashmë ishte buxhetuar dhe autorizuar nga Qarku”. Për më tepër, druri i saj nuk do të shkojë dëm pas festave: "Kur të mbarojnë Krishtlindjet – pohon - pema do t'i dërgohet një kompanie, që do ta shndërrojë në lodra për fëmijët (në vështirësi), për t'u shpërndarë përmes Caritas".

27 nëntor 2023, 13:35