Kërko

Manastiri  Mater Ecclesiae, Kopshtet e Vatikanit Manastiri Mater Ecclesiae, Kopshtet e Vatikanit   (Copyright by Bernard Bialorucki)

Mater Ecclesiae, përsëri "shtëpi" për urdhrat kundruese

Manastiri në zemër të Kopshteve të Vatikanit, i ndërtuar nga Shën Gjon Pali II, qe vendbanimi i Benediktit XVI për rreth dhjetë vjet pas dorëheqjes së tij në vitin 2013. Françesku thirri murgeshat e Urdhrit Benediktin të Abacisë së Shën Skolastikës të Victorias, provinca e Buenos Ajres. Përgjegjësia i besohet Guvernatoratit

R. SH. - Vatikan

Mater Ecclesiae, manastiri në zemër të Kopshteve të Vatikanit, i cili për gati dhjetë vjet ishte "shtëpia" e Papës së Nderit Benediktit XVI, rithehet në kuvend murgeshash, me vullnetin e Françeskut. Do të jetë përsëri vendbanim i urdhrave kundrues "për ta mbështetur Atin e Shenjtë në shqetësimet e tij të përditshme për të gjithë Kishën me lutje, adhurim, lavdërim dhe shpërblim të mëkateve, duke qenë kështu prani lutjeje në heshtje dhe vetmi”. Kështu shkruhet në një deklaratë të Sallës së Shtypit e Vatikanit, që bën të ditur se Papa Françesku e mori këtë vendim me letrën e datës 1 tetor të këtij viti. Papa thirri murgeshat e Urdhrit Benediktin të Abacisë së Shën Skolastikës të Viktorias, provincë e Buenos Aires (Dioqeza e Shën Isidorit) në Argjentinë, "të cilat e pranuan bujarisht ftesën" e Atit të Shenjtë.

Streha e Benediktit XVI pas dorëheqjes

Ishte Gjon Pali II që me Brevën, a letrën e shkurtër papnore “Jeta kundruese”  të 25 marsit 1994, ngriti kanonikisht një manastir murgeshash të jetës kundruese në qytetin e Vatikanit, titulluar “Mater Ecclesiae”. Benedikti XVI shprehu dëshirën për të banuar atje pas dorëheqjes së tij historike, më 11 shkurt 2013. Atje i kaloi edhe vitet e fundit të jetës, i ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tij, duke e shoqëruar kishën me lutje deri në vdekje, më 31 dhjetor 2022.

Gjashtë murgesha do të arrijnë në manastir që nga fillimi i janarit

Manastiri - vazhdon shënimi - tani do të mirëpresë gjashtë murgesha, të cilat sipas Statutit do të formojnë bashkësinë, që do të jetojë në Manastir që në ditët e para të janarit. Papa Françesku vendosi gjithashtu që Guvernatorati i Shtetit të Qytetit të Vatikanit të jetë përgjegjës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Manastirin Mater Ecclesiae.

13 nëntor 2023, 16:13