Mali, u lirua pas një viti misionari gjerman, i rrëmbyer në Bamako
R.SH. - Vatikan
Pothuajse saktësisht një vit pas rrëmbimit të tij, Atë Hans Joachim Lohre, Atë i bardhë (Misionar i Afrikës) me kombësi gjermane, i rrëmbyer në Mali të dielën 20 nëntor 2022, është i lirë. Lirimi u bë dje, më 26 nëntor, informon Agenzia Fides, duke shpjeguar se rrethanat nuk janë të qarta. Lirimi i Atë Lohre u njoftua të dielën nga një përfaqësues i qeverisë së Malit dhe dy përfaqësues të kryeipeshkvisë së Bamakos, të cilët deshën të mbeten anonimë.
Ishte drejtpërdrejt qeveria gjermane ajo që bisedoi me të interesuarit dhe misionari, pasi u lirua nga robëruesit e tij dhe iu dorëzua autoriteteve të Malit, u mor menjëherë nën kujdesin e përfaqësuesit e autoriteteve të Berlinit dhe u transferua gjatë natës në Gjermani, në një fluturim të posaçëm. Gjermania ka ende kontigjentin e saj të ushtarëve në Mali, si pjesë e misionit paqeruajtës të OKB-së Minusma, i cili pritet të ndërpresë aktivitetet e tij deri në fund të vitit, siç kërkohet nga autoritetet ushtarake të grushtit të shtetit, që morën pushtetin në vitin 2020.
Rrëmbimi, një vit më parë
I njohur në vend me pseudonimin "Ha-Jo", Atë Hans-Joachim Lohre, 66 vjeç, kishte jetuar për më shumë se 30 vjet në Mali ku, ndërmjet tjerash, jepte mësim në Institutin Islamo-Krishterë (Ific) dhe ishte përgjegjës i Qendrës së Fesë dhe Takimit të Hamdallaye. Në ditën e rrëmbimit, misionari pritej të kremtonte meshën në bashkësinë e Kalaban Coura. Makinën e kishte e parkuar para shtëpisë së tij dhe hetuesit më vonë e gjetën zinxhirin me kryqin e prerë të priftit, pranë automjetit.
Përsëri pengje në Sahel
Nuk u mor vesh kush e pse e kishte kryer rrëmbimin, por gjithsesi burimet diplomatike dhe të sigurisë besojnë se autorë duhet të jenë Jnim-it, Grupi për Mbështetjen e Islamit dhe myslimanëve, i lidhur me Al-Kaedën, shpjegon Fides. E në vijim kujton se Lohre është gjermani i dytë që lirohet në Sahel në më pak se një vit, pas lirimit në dhjetor 2022 të punonjësit të ndihmës Jörg Lange, i cili u rrëmbye më 11 prill 2018 në Nigerin perëndimor, në kufi me Malin. Një numër pengjesh të huaj, duke përfshirë një çift afrikano-jugor dhe një italian me djalin e tyre, mbahen ende të ngujuar në Sahel.