Kërko

Papa Gjon Pali I Papa Gjon Pali I

Magjisteri i Gjon Palit I në dritën e bibliotekës së tij, takim në Gregoriana

Konferencë e promovuar nga Fondacioni vatikanas Gjon Pali I, të premten e ardhshme, më 24 nëntor, në Universitetin Papnor Gregorian, në prani të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin dhe të ftuarve të tjerë. Do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit dhe Universitetit

R.SH. – Vatikan

         Një bibliotekë e pasur, e jetuar si punishte artizanale, pjesë integruese e letrave në arkivin e tij privat: kjo është biblioteka personale e Albino Luciani-t, Papës Gjon Pali I (1912-1978), e cila, fillimisht me rreth pesë mijë vëllime, ka kaluar nëpër të gjitha vendet ku ka ushtruar shërbesën e tij. Në zanafillë, letrat dhe biblioteka përbënin një korpus të vetëm dhe së bashku arritën në apartamentin vatikanas, të nesërmen e zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Pas vdekjes së Papës, biblioteka u shpërnda pjesërisht. Pjesa më e madhe është mbledhur tani në Bibliotekën Dioqezane "Benedikti XVI" të Venedikut dhe është kataloguar si pjesë e një projekti të promovuar nga Fondacioni vatikanas Gjon Pali I. Konferenca synon të paraqesë punën e rithemelimit dhe të vlerësimit të koleksionit të librave të të Lumit Albino Luciani, por thellohet edhe në magjisterin e tij, parë në dritën e bibliotekës, me rastin e botimit kritik të veprës Illustrissimi, antologjia e vetme dhe e suksesshme e dyzet letrave imagjinare drejtuar personazheve dhe autorëve të çdo epoke, publikuar nga Luciani më 1976 dhe ribotuar gjatë papnisë së tij, disa ditë para vdekjes. Takimi do të mbahet të premten, më 24 nëntor, nga ora 9 deri në orën 12.30, në Aula Magna të Universitetit Papnor Gregorian.

Programi i konferencës

Pas përshëndetjeve institucionale nga rektori i Universitetit Papnor Gregorian, Át Mark A. Lewis SJ, nga presidenti i Fondacionit vatikanas Gjon Pali I, kardinali Pietro Parolin dhe pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit dhe Universitetit Papnor Gregorian, konferenca, e koordinuar nga profesori Fabio Pierangeli, profesor i Letërsisë Italiane në Universitetin e Romës Tor Vergata, do të paraqesë punën e kryer për rikuperimin e bibliotekës së Papës Luciani. Do të shfaqet një video dhe do të flasë don Diego Sartorelli, drejtor i Bibliotekës dioqezane "Benedikti XVI" dhe i arkivit historik të Patriarkatit të Venedikut. Duke u nisur nga burimet bibliografike, profesor Mauro Velati do të përqendrohet në formimin teologjik dhe shpirtëror të Gjon Palit I, ndërsa profesor Gilfredo Marengo, i Institutit Teologjik Papnor Gjon Pali II, do të meditojë mbi konotacionin narrativ në vizionin baritor të Albino Luciani-t. Më pas do t'i kushtohet vëmendje veprës Illustrissimi, pra, Letrave imagjinare, emblemë e dialogut të ngushtë ndërmjet kartave dhe librave të bibliotekës personale, tashmë botuar nga edicionet Messaggero Padova me parathënien e kardinalit José Tolentino de Mendonça.

14 nëntor 2023, 17:25