Kërko

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Kur lufta (nuk) mbaron…

Lufta nis, po heret a vonë duhet të përfundojë. Ngushëllim i hidhur që, megjithatë, nuk përkon edhe aq me realitetin… Shumë më të hidhur…

R.SH. / Vatikan

E zakonshme të thuhet se e vetmja gjë e sigurt kur fillon një luftë është se, herët a vonë, do të përfundojë. Ngushëllim i hidhur por që, megjithatë, nuk përkon edhe aq me realitetin. Nëse në të kaluarën e largët konfliktet përfshinin "vetëm" ushtritë në zona larg qendrave të banuara,  prej kohe - e gjithnjë më shumë, siç lexohet në kronikat e viteve të fundit - ata që paguajnë çmimin më të lartë janë civilët e, ndërmjet tyre, veçanërisht fëmijët. Prandaj lufta, kur nis, nuk di të mbarojë. Zgjat të paktën një brez të tërë, atë që e vuajti. Kjo është arsyeja pse ajo grabit shpresën: sepse, si një vrimë e zezë e thith të ardhmen shumë përtej të shtënës së fundit të mortajës.

E dinë mirë ata që kthehen në shtëpi, pasi ishin në front ose akoma më keq, robër lufte. Janë njerëz të dërmuar në trup e, sidomos, në shpirt, sepse   plagët në lëkurë bëhen shpejt të pandjeshme, ndërsa plagët e hapura   në shpirt duan kohë për t’u shëruar. Pas luftës në Vietnam, gjendja patologjike në të cilën jetuan - ose më mirë të themi, mbijetuan veteranët amerikanë të luftës - u quajt mjekësisht “Post Traumatic Stress Disorder (Çrregullim i stresit post-traumatik)

Sa prej tyre sot, në "Luftën e Tretë Botërore pjesë-pjesë", gjenden pikërisht në të njëjtën situatë, nëse jo edhe më keq? E sa njerëz - gra, fëmijë, prindër - i pret një jetë e tronditur përgjithmonë, sepse burri, babai apo djali që përjetuan tmerret e luftës, nuk do të jenë më si më parë, pasi të kthehen në gjirin e familjes?

Pastaj ka edhe nga ata, që nuk do të kthehen kurrë më në shtëpi. “Në hyrje - tha Françesku më 2 nëntor, në Varrezat e Luftës, në Romë - shikova moshën e këtyre të rënëve. Shumica janë nga 20 deri në 30 vjeç. Jetë të shkurtra, jetë të humbura, jetë pa të ardhme... E mendova për prindërit, për nënat që morën atë letër ogurzezë: "Zonjë, kam nderin t'ju them se keni një djalë hero". "Po hero, por ma morën!".

Kjo është lufta që sapo ka filluar! Fillim pa mbarim! Papa e di këtë. E ndjen të gjithë peshën e saj dhe për këtë arsye nuk resht së përsërituri se ne nuk duhet t'i dorëzohemi logjikës së luftës, logjikë e Kainit. E bën këtë me thirrjet e tij të palodhura. Me lutje dhe agjërim, armët më të fuqishme të dishepujve të Krishtit. E bën me guxim, duke takuar ata që janë viktima të luftërave, të të gjitha luftërave. Takime ku prek me dorë plagët e botës dhe, bashkë me fjalët, komunikon me vështrim, me dëgjim e edhe me heshtje, “mjete” të privilegjuara butësie e ngushëllimi. Mjetet e atyre që e ëndërrojnë "Kishën si spital fushor".

( Alessandro Gisotti, L’OSSERVATORE ROMANO)

27 nëntor 2023, 16:00