Kard. Parolin: Papa në rrugën e shërimit, Dubain e anuloi për të shmangur keqësimin
R.SH. / Vatikan
“Papa është në rrugën e shërimit. Thjesht nuk donte të ekspozohej para rreziqeve, sipas këshillave të mjekëve”. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Vatikanit, flet për gjendjen shëndetësore të Papës Françesku me një inflamacion të mushkërive që, për këtë arsye - me kërkesë të mjekëve kurues - vendosi dje ta anulojë nisjen këtë të premte, më 1 dhjetor, në Dubai, ku do të merrte pjesë në COP28 për klimën. “Besoj se e bëri këtë zgjedhje për të shmangur keqësimin e për t’u shëruar sa më shpejt të jetë e mundur” - shpjegoi Kard, Parolin para gazetarëve, në përfundim të një aktiviteti në Dhomën e Deputetëve, ku pasdite mbajti një leksion me temën “Kuptimi i Institucioneve në vizionin pedagogjik të Luigi Secco”, ipeshkëv dhe misionar italian, që u nda nga jeta në vitin 2017.
Kard. Parolin: “në Cop28 do të shkoj unë, sipas praktikës”
“Në Cop28 do të shkoj unë sipas praktikës, edhe pse më vjen keq për takimet dypalëshe të anashkaluara me Papën, por kërkesat e shumta janë një shenjë e mirë”. “Tani po shohim mënyrat e pjesëmarrjes: zakonisht kam marrë pjesë, duke filluar nga COP në Paris, në të gjitha COP-et, ndaj mendoj se do të shkoj edhe këtë herë, por natyrisht duke e reduktuar pak qëndrimin. Pastaj është delegacioni që do të ndalohet gjatë gjithë punës prej dy javësh, ndërsa unë do të marr pjesë vetëm në pjesën e parë, ndoshta dy ditë”. Këtë bën të ditur Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin për pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në Cop28, në Dubai, ku Papa Françesku duhej të drejtonte delegacionin e Vatikanit, por hoqi dorë në minutën e fundit me këshillat e mjekëve.
Kardinali Parolin shpjegoi gjithashtu se dokumenti ndërfetar për klimën do të nënshkruhet në Dubai nga kardinali Miguel Angel Ayuso, Prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar. "Ai do të kujdeset për nënshkrimin e dokumentit ndërfetar" – pohon - duke shprehur gjithashtu keqardhjen për faktin se Papa nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në rreth tridhjetë takimet dypalëshe, planifikuar në periferi të COP, një mundësi e humbur për të endur perspektivat për paqen, "edhe pse shumë personalitete, krerë shtetesh dhe qeverish kishin kërkuar të takoheshin me Atin e Shenjtë. Për fat të keq - vëren Kardinali Parolin - nuk është e mundur, ndonëse nuk mendoj se kjo do të thotë kushedi se çfarë. Takimet janë anuluar, por tashmë është një shenjë e mirë që shumë njerëz kërkuan të takohen me Papën. Prandaj më vjen keq që nuk do të jetë e mundur".