Kërko

Editorial

Jo luftës, afërsi me të gjitha viktimat

Selia e Shenjtë nuk ka qenë kurrë as "neutrale" e as "e barazlarguar" përballë luftërave. Përkundrazi, është përpjekur gjithmonë të jetë e paanshme, d.m.th., të mos jetë ose të mos duket si e përfshirë në konflikt dhe, në të njëjtën kohë, si e "barabartë", domethënë të jetë e afërt jo me shkaktarët e luftërave, por me ata që vuajnë, ata që paguajnë pasojat e konflikteve në të dy frontet, me civilët e vrarë, me të plagosurit, me nënat dhe baballarët e ushtarëve të rënë, me viktimat e pafajshme

ANDREA TORNIELLI

R.SH. - Vatikan

Për më shumë se një shekull Selia e Shenjtë, me një mori deklaratash në rritje, pasojë e thellimit të kërcënimeve luftarake dhe përdorimit të armëve gjithnjë e më të sofistikuara dhe shkatërruese, i thotë me zë të lartë e të  qartë "jo" luftës. Nga thirrja profetike e Benediktit XV kundër “kërdisë së kotë" të Luftës së Madhe, deri në fjalët e ripohuara në çdo rast nga Papa Françesku, që e quan luftën disfatë për njerëzimin, Magjisteri i Ipeshkvijve të Romës ka sqaruar e thelluar se nuk ekzistojnë “luftëra të drejta” e se edhe e drejta e vetëmbrojtjes duhet të jetë proporcionale, si na mëson Katekizmi i Kishës Katolike.

Që nga fillimi i luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës, e edhe më pas,   javët e fundit, pas sulmit çnjerëzor nga Hamasi me brutalitetin e kryer kundër civilëve të Izraelit e kundërofensivës së ushtrisë izraelite, që bëri rrafsh me tokën shumë shtëpi të Gazës, duke vrarë mijëra palestinezë të pafajshëm, nuk munguan zërat kritikë, që u ngritën kundër qëndrimit të Papës dhe Selisë së Shenjtë. Qëndrim që, prej kohësh, nga disa u konsiderua si “neutral”, thuajse Vatikani, për shkak të teprimit të diplomacisë, nuk ishte në gjendje të vlerësonte të drejtat dhe gabimet e palëve në konflikt.

Prandaj ia vlen të kujtojmë - edhe një herë - se Selia e Shenjtë nuk ka qenë kurrë as "neutrale" e as "e barazlarguar" përballë luftërave. Përkundrazi, është përpjekur gjithmonë të jetë e paanshme, d.m.th., të mos jetë ose të mos duket si e përfshirë në konflikt dhe, në të njëjtën kohë, si e "barabartë", domethënë të jetë  e afërt jo me shkaktarët e luftërave, por me ata që vuajnë, ata që paguajnë pasojat e konflikteve në të dy frontet, me civilët e vrarë, me të plagosurit, me nënat dhe baballarët e ushtarëve të rënë, me viktimat e pafajshme të terrorizmit dhe raprezaljeve.

Mediat e Vatikanit nuk mund të mos ndjekin të njëjtën linjë editoriale, duke hedhur poshtë atë polarizim që duhet të jetë tipari karakteristik jo vetëm i luftërave të vazhdueshme, por edhe, e në përgjithësi, i botës në të cilën jetojmë sot. T’i mbash kanalet e dialogut të hapura me të gjithë, të mos i mbyllësh kurrë dyert, me shpresë për arritjen e armëpushimit dhe, më pas, të bisedimeve për paqe të drejtë; të shqetësohesh njëlloj për viktimat e pafajshme të të gjitha palëve, të reflektosh mbi shkaqet pak a shumë të largëta të një konflikti, të shmangësh përdorimin e gjuhës së urrejtjejes dhe  të demonizimit, nuk do të thotë aspak të injorosh faktin se është një agresor e një i sulmuar, e doemos, as ta injorosh vetëmbrojtjen e ligjshme. Përkundrazi, do të thotë ta kesh për zemër fatin e të pafajshmëve, të mos e shuash kurrë flakëzën e qiriut të shpresës për paqen, të kapësh çdo shenjë të vogël hapjeje, ngado që vjen, të besosh në diplomacinë dhe, mbi të gjitha, të shqetësohesh për fatin e viktimave, për të gjymtuarit, të shpërngulurit. Do të thotë gjithashtu largim nga logjika e polarizimit dhe të një mendimi të vetëm.

A është e mundur ta tërheqësh vazhdimisht vëmendjen për vuajtjet e pafundme të pësuara nga Ukraina dhe të drejtat e saj për të mbrojtur veten me armë si një vend i sulmuar padrejtësisht nga Rusia, dhe në të njëjtën kohë të pyesësh për çmimin shumë të lartë të jetëve njerëzore - qindra mijëra në muajt e fundit - shkaktuar nga një luftë rraskapitëse pozicionesh, në prag të një dimri që premton të jetë i mbushur me pasoja tragjike për popullsinë ukrainase? A është e mundur të dënohet sulmi çnjerëzor terrorist i Hamasit kundër civilëve izraelitë dhe në të njëjtën kohë të ngrihen dyshime dhe pikëpyetje për përgjigjen e armatosur të ushtrisë së Tel Avivit ndaj numrit të lartë të viktimave civile të shkaktuara dhe tragjedisë humanitare në Gaza?

Ka konflikte në të cilat brohoritja është jashtëzakonisht e papërshtatshme, e ai, që po vijon në Lindjen e Mesme është sigurisht një prej tyre, i krijuar nga një situatë shumë e ndërlikuar ku përgjegjësitë e disave u shtohen atyre të të tjerëve dhe nuk justifikohen.

Në përpjekjen për të folur për luftërat e vazhdueshme dhe për të dhënë  shkas meditimi, fari ynë përfaqësohet nga fjalët profetike të Pasardhësit aktual të Pjetrit, i cili vazhdon të paralajmërojë mbarë njerëzimin për rrezikun e luftës globale dhe vetëshkatërrimit.

Të përpiqemi ta bëjmë gazetarinë duke i veçuar faktet nga opinionet, e edhe opinionet tona, nga ato të të tjerëve. T’i bësh të njohura këto të fundit, t'u japësh zë personaliteteve, që na duken interesante, nuk do të thotë t'i veçosh. Përkundrazi, do të thotë të përpiqesh të kuptosh, duke vlerësuar zërat më kritikë dhe më pak ideologjikë.

20 nëntor 2023, 15:28