Kërko

Il Battesimo di un bambino nella Cappella Sistina Il Battesimo di un bambino nella Cappella Sistina
Editorial

Hiri i pagëzimit, tradita dhe zakonet klerikale

Një reflektim mbi përgjigjet e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, lidhur me kremtimin e pagëzimit dhe transeksualët e homoseksualët

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Hiri i pagëzimit, tradita dhe zakonet klerikale

Shën Qipriani, ipeshkvi i Kartagjenës, i martirizuar në vitin 258, duke marrë pjesë në një sinod ipeshkvijsh afrikanë, pati vënë në dukje: "Mëshira dhe hiri i Zotit nuk mund t'i mohohet asnjë njeriu që vjen në jetë". Ndërsa Shën Agustini vijon të na kujtojë se: "Fëmijët paraqiten për të marrë hirin shpirtëror jo aq nga ata që i mbajnë në krahë (ndonëse edhe prej tyre, po të jenë besimtarë të mirë), por më shumë nga shoqëria universale e shenjtorëve dhe e besimtarëve. Vepron mbarë Kisha Nënë e shenjtorëve, pasi është ajo që, në tërësinë e saj, i përfton  të gjithë e secilin”.

Këto janë dy pohime të Etërve të Kishës, të cilat dëshmojnë se Pagëzimi merret absolutisht falas, duke relativizuar, në një farë mënyre, rolin e prindërve dhe kumbarëve ("nëse janë besimtarë të mirë") që kërkojnë sakramentin dhe e paraqesin foshnjën. Këto fjalë, më mirë se të tjerat, ndriçojnë përgjigjet e fundit që Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë u jep pyetjeve të një ipeshkvi brazilian lidhur me Pagëzimin. Shënimi i nënshkruar nga kardinali Victor Manuel Fernandéz dhe i miratuar nga Papa Françesku është në harmoni të qartë me mësimet e fundit papnore. Françesku kujton vazhdimisht se dera e sakramenteve, dhe veçanërisht ajo e pagëzimit, nuk duhet të mbetet e mbyllur dhe se Kisha nuk duhet të shndërrohet kurrë në një doganë, por duhet t’i mirëpresë dhe t’i shoqërojë të gjithë në shtegtimin e tyre të vështirë nëpër shtigjet e rrëpirta të jetës.

Përgjigjet e dikasterit doktrinor, në kontekstin tejet të polarizuar që karakterizon Kishën sot, shkaktuan reagime të kundërta, ndërmjet të cilave duhet kujtuar reagimi i atyre, që kanë frikë se duke i pranuar në sakramentin e pagëzimit fëmijët e çifteve homoseksuale (bij në shpirt ose fëmijë të njërit nga dy partnerët, të krijuar ndoshta nga amësia zëvendësuese), e bëjnë moralisht legjitime si të ashtuquajtura "martesë të homoseksualëve", ashtu edhe praktikën e të ashtuquajturës "mitra me qira"   Në këtë kuptim, kritikët duhet ta lexojnë edhe zbutjen e ndalimit për të qenë kumbarë në pagëzim, të cilën Dikasteri e paraqet në mënyrë problematike.

Është interesante fillimisht të vërehet një fragment i shënimit, ku kujtohet se përgjigjet e publikuara ditët e fundit “ripropozojnë në thelb përmbajtjen themelore të asaj, që u deklarua nga ky Dikaster për këtë temë edhe në të kaluarën”. Referenca është në pohimet e mëparshme, që mbetën sub secreto (njëra prej të cilave u citua edhe në shënim) të cilat lidhen me këtë papni e edhe me atë të paraardhësve të saj. Për më tepër, citimet fillestare nga dy Etërit e Kishës, të propozuara në fillim të këtij artikulli, i gjejmë së bashku me shumë të tjera, në një dokument publik të Kongregatës së atëhershme të Shenjtë për Doktrinën e Fesë, të udhëhequr asokohe nga kardinali kroat Franjo Šeper dhe nga kryeipeshkvi Domenikan Jérôme Hamer. Është një udhëzim i miratuar në tetor 1980 nga Shën Gjon Pali II, i cili u përgjigjet një sërë kundërshtimesh kundër kremtimit të pagëzimit të fëmijëve të vegjël, duke përsëritur rëndësinë e një "praktike të lashtë" me origjinë apostolike, e cila nuk mund të braktiset.

Atyre që sot do të donin t'u mohonin pagëzimin fëmijëve të çifteve homoseksuale, sepse duke i pagëzuar ata Kisha do t'i bënte moralisht të ligjshme bashkimet e homoseksualëve ose praktikën e mitrave të marra me qira, dokumenti i vitit 1980 i është përgjigjur tashmë në mënyrë indirekte, duke pohuar se "praktika e Pagëzimit të fëmijëve është vërtetësisht ungjillore, pasi ka vlerën e dëshmisë; ajo manifeston nismën e Zotit ndaj nesh dhe dashurinë e tij falas që rrethon gjithë jetën tonë: "Nuk ishim ne që e deshëm Zotin, ishte Ai që na deshi... Ne e duam, sepse Ai na deshi i pari" (1 Gjn 4, 10. 19.)”. Edhe «në rastin e të rriturve, nevojat që lidhen me pranimin e pagëzimit nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se Zoti ‘nuk na  shpëtoi me anë të veprave të drejtësisë, kryer prej nesh, por me mëshirën e tij nëpërmjet larjes në një gurrë, që të ringjall e të ripërtërin në Shpirtin Shenjt” (Tit. 3, 5.)”.

Udhëzimi i miratuar nga Papa Wojtyla dyzet e tre vjet më parë padyshim mori parasysh kontekstin e ndryshuar shoqëror dhe shekullarizimin: “Mund të ndodhë që prindërit të cilët nuk besojnë në fe a që e praktikojnë vetëm herë pas here, ose edhe jo të krishterë, t'u drejtohen priftërinjve të famullisë e, për arsye të denja që duhen marrë parasysh, të kërkojnë pagëzimin për fëmijën e tyre" Si do të veprohet në këto raste? Ndërsa kriteri - i djeshëm dhe i sotëm - mbetet i vlefshëm që pagëzimi i fëmijëve festohet nëse ka një angazhim për edukimin e tyre në mënyrë të krishterë, dokumenti i vitit 1980 saktësonte kështu në këtë drejtim: «Për sa i përket garancive, duhet pasur para sysh se çdo sigurim që ofron një shpresë të bazuar në edukimin e krishterë të fëmijëve, meriton të gjykohet i mjaftueshëm”. Praktika në fuqi në famulli dëshmon se, duke ndjekur shembullin e Nazarenasit, të palodhur në kërkimin e çdo deleje të humbur, mjafton të ketë një të afërm që zotohet para Kishës, për të mos ia mbyllur derën.

A nuk do të kishte nevojë sot për të besuar më shumë në hirin, që vepron nëpërmjet sakramenteve të cilat nuk janë çmim për të përkryerit, por ilaç për mëkatarët? A nuk duhet t'i shfletojmë ndoshta pak më shumë faqet ungjillore, nga të cilat del Jezusi që do i pari, fal i pari, përqafon me mëshirë i pari dhe pikërisht në këtë përqafim zemrat e njerëzve lëvizin drejt kthimit?

E përsëri, çfarë faji kanë fëmijët? Sido që të kenë ardhur në botë,  janë gjithmonë krijesa të favorizuara dhe të dashura nga Zoti, prandaj nuk ia vlen të ngulmojmë më shumë në faktin pozitiv, pra në faktin se pagëzimi kërkohet në një kontekst post-kristian, ku është gjithnjë e më i rrallë, a praktikohet thjesht nga zakoni?

Është ngushëlluese të rilexosh fjalët që një ipeshkëv i madh i shekullit të njëzetë shqiptoi në një intervistë në korrik 1978 në lidhje me Luise Brown, foshnjën e parë të epruvetës. Ai kujtoi rrezikun se mund të lindin "fabrika fëmijësh" të ndara nga kontekstet familjare dhe shpjegoi se "vetëm pjesërisht" ishte entuziazt për eksperimentin. Por në fund i drejtoi “urimet më të ngrohta vogëlushes” dhe një mendim përzemërt prindërve: “Nuk kam të drejtë t’i dënoj: subjektivisht, nëse kanë vepruar me të drejtë dhe me mirëbesim, ata madje mund të kenë merita të mëdha para Zotit për çka vendosën të bëjnë, duke e kërkuar nga mjekët." Ai ipeshkëv quhej Albino Luciani, ishte patriarku i Venedikut. Vetëm një muaj më vonë do të bëhej Gjon Pali I, ndërsa sot është i Lum.

11 nëntor 2023, 12:51