Kërko

Imzot Gallagher dhe ministri i jashtëm i Koresë së Jugut Imzot Gallagher dhe ministri i jashtëm i Koresë së Jugut

Gallagher në Korenë e Jugut për 60-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

Sekretari për marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare viziton vendin aziatik nga 20 deri më 23 nëntor, me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Koresë së Jugut

R.SH. – Vatikan

         Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, ndodhet në Korenë e Jugut që sot e deri më 23 nëntor, me rastin e 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë. Njoftimin e jep Sekretaria e Shtetit me një postim në X.

Është fjala për një udhëtim institucional, që vë në dukje, edhe një herë, vëmendjen e Kishës për kontinentin aziatik, i pasur me energji të reja. Me kulturën dhe traditën e tij në kërkimin e ekulibrit, ai mund të kontribuojë në gjetjen e shtigjeve të paqes në këtë botë të përshkuar nga luftëra vëllavrasëse.

Krahas takimeve institucionale me kryeministrin korean dhe zëvendësministrin e jashtëm, imzot Gallagher do të flasë në Simpoziumin e organizuar me rastin e përvjetorit, përqendruar në temën e udhëtimit të Papës Françesku në Seul, në gusht 2014: "Të jemi rojtarë të kujtesës dhe të shpresës”: Gjithashtu, ai do të takohet me disa anëtarë të Trupit Diplomatik.

Ndër ngjarjet e ndryshme fetare, Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare do të kremtojë një meshë në shenjtëroren Seosomun, vend ku u martirizuan të krishterët e parë koreanë, të cilët, më 6 maj 1984, u shpallën shenjtorë nga Shën Gjon Pali II.

Vizita synon të jetë shenjë konkrete për të vazhduar rrugën e përshkuar në 60 vitet e marrëdhënieve diplomatike, me guximin për të gjetur shtigje të reja paqeje, siç kërkoi Papa Françesku më 16 shtator, kur u takua me një grup besimtarësh koreanë:

“Dua t’ju ftoj ta rizbuloni thirrjen tuaj si ‘apostuj të paqes’ në çdo fushë të jetës, duke u bërë shokë udhëtimi dhe dëshmitarë të pajtimit; kjo është dëshmia e besueshme se e ardhmja nuk ndërtohet me forcën e dhunshme të armëve, por me forcën e butë të afërsisë”, u pati thënë Ati i Shenjtë koreanëve.

20 nëntor 2023, 12:26