Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Dhjetë vjet nga “Evangelii gaudium”, Fisichella: tekst, ende me forcë tërheqëse

Më 24 nëntor 2013, disa muaj pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, Papa Françesku botoi Nxitjen apostolike, në të cilën vuri në pah përparësitë e Kishës dhe temat e trajtuara më pas gjatë papanisë, që nga Kisha në dalje tek përfshirja shoqërore e të varfërve. Pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin: nevojitet një gjuhë e re për ta bërë të njohur Ungjillin

R.SH. – Vatikan

         Ishte pikërisht solemniteti i Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë, si sot më 24 nëntorin e 10 viteve më parë, kur Papa Françesku botoi Nxitjen apostolike “Evangelii gaudium” (Gëzimi i Ungjillit), dokumenti i parë i papnisë së tij. Tekst programatik, në të cilin Papa shtjellon temën e kumtimit të Ungjillit në botën e sotme, duke i ftuar të krishterët "në një fazë të re ungjillëzimi" dhe duke treguar rrugët, që duhen ndjekur në Kishë. Ati i Shenjtë bën thirrje për një Kishë misionare në dalje, nxit rinovimin kishtar dhe impenjimin për përfshirjen shoqërore të të varfërve, duke inkurajuar dialogun, në nivele të ndryshme, si kontribut për paqen.

         Në botën bashkëkohore, ku kultura dixhitale është gjithnjë e më e përhapur, ku po i referohemi gjithnjë e më tepër inteligjencës artificiale dhe ku temat e lirisë dhe të së vërtetës vihen në diskutim, kumtimi i Ungjillit është përparësi, pohon për Radio Vatikanin – Vatican Neës imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillizimin, por ai ka nevojë për një gjuhë të re, të aftë për t’i bërë njerëzit ta kuptojnë bukurinë e tij.

         “Evangelii gaudium” është dokumenti i parë i Papës Françesku, tekst ku shihen përparësitë e papnisë së tij: Kisha në dalje, vëmendja ndaj periferive, inkulturimi i fesë, përmasa shoqërore e Ungjillit. Sa është kuptuar kjo Nxitje apostolike deri më sot?

         “Evangelii gaudium” nuk është vetëm dokumenti i parë, por është edhe dokumenti programatik i papnisë së Françeskut, siç shkruan ai vetë në faqet e para. Për këtë arsye, ka një vlerë shumë të veçantë edhe sot. Nuk është fjala vetëm për të parë sa është zbatuar në këto dhjetë vjet, por, sidomos, sa mbetet ende për t'u zbatuar në të ardhmen e afërt. Temat e “Evangelii gaudium” janë fryt i diskutimit në sinodin e vitit 2012 kushtuar pikërisht ungjillëzimit dhe transmetimit të ri të fesë. Papa i ka bërë të tijat shumë nga deklaratat, studimet dhe diskutimet e atij sinodi dhe i ka bërë pjesë të dokumentit, por ka edhe disa risi të mëdha: për shembull, përsa i përket përmasës shoqërore të Ungjillit, nevojës që Kisha të jetë e varfër, këmbënguljes që të ketë një ndryshim kulturor në përballimin e disa çështjeve. Është dokument programatik, që e ruan ende gjithë forcën tërheqëse dhe provokuese.

Ç’fazë po përjeton Kisha sot, nëse e shikojmë përmes “Evangelii gaudium”?

Kur Papa Françesku flet për një ungjillëzim itinerant - sepse Jezusi kishte pikërisht një predikim të tillë - ai nuk bën gjë tjetër, veçse ngul këmbë në nevojën e takimeve personale, për të cilat duhet të kujdeset Kisha e besimtarët, që duhet të takojnë këdo. Prandaj, çasti i parë i ungjillëzimit është vënie për udhë. Tek “Evangelii gaudium” gjejmë shprehjen e përsëritur disa herë nga Papa Françesku "Kishë në dalje", pra, një Kishë e vetëdijshme se është misionare, që merr përsipër përgjegjësinë e ungjillëzimit e, për rrjedhojë, t’u çojë të gjithëve forcën e Ungjillit, por edhe bukurinë e tij, pa përjashtuar askënd.

24 nëntor 2023, 14:19