Kërko

Malta, La Valletta Malta, La Valletta

CCEE, seanca plenare e radhës mbi temën e Kishës Sinodale në Evropë në Maltë

Këshilli i Konferencave Episkopale Evropiane do të takohet në Asamblenë e ardhshme plenare në Valetta nga 27 deri më 30 nëntor, në të cilën do të marrin pjesë edhe Kardinajtë Grech, Hollerich dhe Ryś

R.SH. / Vatikan

Asambleja e ardhshme plenare e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (CCEE) do të mbahet në Valetta, Maltë, nga 27 deri më 30 nëntor. “Hapa të rinj për një Kishë sinodale në Evropë” titullohet asambleja e cila në rend të ditës do të ketë tre tema kryesore.

Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, do të prezantojë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve “Për një Kishë sinodale. Bashkimi, Pjesëmarrja, Misioni”, që përfundoi më 28 tetorin e kaluar dhe do të ofrojë indikacione për punën përgatitore për seancën e dytë të Sinodit që do të mbahet në tetor 2024.

Ndërsa kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut, nënkryetar i CCEE-së dhe relator i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, do të diskutojë rreth marrëdhënieve midis strukturave mbikombëtare dhe sinodalitetit për një shtysë të re misionare të Kishës në Evropë.

Së fundi, Kardinali Grzegorz Ryś, kryeipeshkëv i Łódź, Poloni, do të përditësojë rrugën e ndërmarrë nga grupi i punës për rishikimin e Charta Oecumenica, dokumentin e përbashkët të bashkëpunimit ndërmjet Kishave të Krishtere në kontinentin evropian, i cili u nënshkrua në 2001 nga Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (CCEE) CCEE dhe Konferenca Evropiane e Kishave (CEC), i cili mbushi njëzet vjetorin e tij më 2021.

10 nëntor 2023, 13:22