Kërko

PHILIIPINES-HOLIDAY-ALL SAINTS DAY PHILIIPINES-HOLIDAY-ALL SAINTS DAY

2 nëntor, ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit

Mbarë Kisha më 2 nëntor i përkujton me lutje drejtuar Zotit, besimtarët e vdekur. Prandaj, Kisha na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e Krishtit. Besimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar

R.SH. - Vatikan

Më 2 nëntor, një ditë pas kremtimit të Gjithë Shenjtorëve, kalendari liturgjik i Kishës katolike na fton t'i përkujtojmë të Gjithë Besimtarët e Vdekur –  siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”, pra t’i lutemi Zotit për ta, të cilëve u kushtohet edhe i gjithë muaji nëntor në vijim.

Kisha na fton të lutemi për të vdekurit, të gjithë e në mënyrë të veçantë për ata që nuk i kujton më askush, me shpresën e Ringjalljes, që Zoti t’u japë pushimin e pasosur e dritën e pambaruar. Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para të krishtera, i nxiste besimtarët të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u Ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën(1 Sel 4, 13-14).

Kështu, më 2 nëntor, Kisha i përkujton, me lutje drejtuar Zotit, besimtarët e vdekur dhe na fton ta shikojmë vdekjen në Ngjalljen e KrishtitBesimtarët shkojnë në varreza, ku nderojnë të dashurit e tyre, duke iu lutur që Zoti t’u japë pushimin e pasosur dhe dritën e pambaruar. E në këtë ditë, kur kujtojmë të dashurit tanë, që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Kishës e cila, me fjalët e Shën Palit, na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam, jemi gjithnjë me Zotin. 

Kisha i ka vënë njëra pas tjetrës festën e Shenjtorëve dhe Përkujtimin e besimtarëve të vdekur

Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve, më 1 nëntor dhe Përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur, më 2 nëntor. Në shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin e mbi vdekjen: shohim faktin që të ndjekësh Krishtin të çon në jetë, në jetën e amshuar, e të shkosh pas Krishtit i jep kuptim të sotmes dhe çdo çasti që kalon, sepse e përmbush me dashuri e shpresë. 

Vetëm feja në Jetën e Amshuar në Zotin na bënë ta duam më të vërtetë historinë dhe të sotmen, por pa u lidhur në mënyrë të përhershme, me lirinë e shtegtarit, që e do tokën pse e ka zemrën në Qiell. Në shenjtorët shohim fitoren e dashurisë mbi egoizmin dhe vdekjen. Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve, kjo festë na bënë të reflektojmë mbi horizontin e dyfishtë të njerëzimit, që simbolikisht shprehet me fjalët ‘tokë’ dhe ‘qiell’: toka përfaqëson udhëtimin historik, qielli amshimin, plotësinë e jetës në Zotin.

Shën Gjon Gojarti thoshte: “Duhet t’i ndihmojmë të vdekurit jo me lot, por me uratë, me lëmoshë e me vepra të tjera bamirësie”. Është e qartë se së bashku me Shenjtorët e Parajsës, kujtojmë edhe ata që priren nga Parajsa, që janë në Purgator. 

Gjyqi i mbramë do të jetë për dashurinë

Kthimi i Krishtit, gjyqi i mbramë, jeta e amshuar a dënimi i amshuar! Janë themelet e fesë dhe spikasin në horizontin përfundimtar të jetës së të krishterit. Fraza e fundit e Simbolit të fesë a Besojmës është: “Besoj në jetën e pasosur”. Për të krishterin, vdekja nuk është fundi i fundit i jetës njerëzore. Përkundrazi, është kalim në jetën e amshuar. Katekizmi na tregon mënyrat si kryhet ky kalim.

Pas vdekjes, çdo njeri i nënshtrohet gjykimit. “Do të gjykohemi për dashuri”, thotë Shën Gjoni i Kryqit. Në gjyqin e mbramë njeriu ose kalon përmes pastrimit, ose hyn menjëherë në lumninë qiellore, ose dënohet menjëherë e përgjithmonë e jetës (KKK, 1022). Nuk jemi në gjendje ta përfytyrojmë qiellin, por besojmë në fjalët e Shkrimti Shenjt: “Mbretëria e Hyjit nuk ka të bëjë me ushqimin, as me pijen, ka të bëjë me drejtësinë, paqen e gëzimin në Shpirtin Shenjt (Rom 14,17). Qielli është realitet dinamik, sepse Hyji është më i madh e prandaj do të kemi gjithnjë gjëra të reja për të zbuluar.

Purgatori është e vërtetë feje, që na jep zemër, e shumë. Nëse nuk ndjehemi gati për të hyrë në qiell, mund të shpresojmë se vetë Zoti do të na pastrojë e do të na përgatisë t’i shijojmë plotësisht mrekullitë e tij. Kjo nuk do të thotë se Zoti mund të na bëjë të hyjmë në qiell, por nuk do, sepse më parë dëshiron të marrë hak për mëkatet tona. Jo! Ata që njihen si mundimet e purgatorit, na bëjnë të aftë ta shijojmë me të vërtetë qiellin. Ndërsa ferri është ndarje e amshuar nga Zoti (KKK, 1035), pa harruar se Zoti bën ç’është e mundur për ta shpëtuar çdo njeri. Dënimi, prandaj, është vetëdënim, domethënë, gjendje, në të cilën njeriu i thotë përfundimisht ‘jo’ Zotit dhe e flak tutje mëshirën e tij. 

Jetojmë në një shoqëri që kërkon ta harrojë vdekjen

Frika nga vdekja ndjehet kur njeriu nuk ka përgjigje para misterit të vdekjes. Në se mendon se vdekja është një zhytje në errësirë, atëherë sigurisht që të tremb; në se nuk shikon asnjë rreze drite që vjen nga jeta e përtejme, atëherë sigurisht që jeta e përtejme të tmerron. Por kur e di se vdekja është vetëm një prag, se vdekja nuk është fund, se vdekja është fillim, është si porta e hyrjes në një shtëpi të re, ndryshon puna. Kur fitojmë sigurinë për këtë të vërtetë, të ndritur nga feja, vdekjen mund ta thërresim qetësisht “motra vdekje”, siç e pati quajtur Shën Françesku. Për fat të keq, shoqëria jonë është tepër e lidhur me të sotmen, me jetën e përkëndejme, por jeta e këndejme nuk mund të jetë gjithçka që kuptojmë me fjalën jetë, nuk mund të jetë gjithë jeta. Kishte të drejtë Shën Nënë Tereza kur thoshte: “Më e bukura nuk ka ardhur akoma”.

I krishteri e shikon vdekjen në Ngjalljen e Krishtit

I krishteri, që i di këto të vërteta, e shikon vdekjen me qetësinë më të madhe. Kush është një mendje me një shkrimtar bashkëkohor, nga më të mëdhenjtë, që thotë: “Mendoj se roli i sojit tim nuk është më i lartë se ai i bletëve, i milingonave ose i harabelave”, sigurisht që ka tmerr nga vdekja. Në sa ne e dimë se jeta e njeriut është e lartë, mbart në vetvete farën e amshimit. E ne kemi kohë, në sa jemi ende gjallë, të vendosim cilin amshim të zgjedhim: amshimin e pranimit të Zotit, apo amshimin e mospranimit të Zotit? Amshimi i pranimit të Zotit është Parajsa, jeta e pasosur, ndërsa ai i mospranimit të Zotit, është Skëterra, sepse njeriu pa Zot është i parealizuar; pa Zot, njeriu është i zbrazur, është plotësisht i palumtur.

Të kujtoj edhe një lumni tjetër që nuk gjindet në Ungjill, por në fund të Biblës e flet për termin e jetës “Lum të vdekurit, që vdesin në TënZonë” (Zb 14,13). Më 2 nëntor jemi të thirrur t’i shoqërojmë me lutje të shuemët tanë, që të gëzojnë përgjithmonë në Zotin. T’iI kujtojmë me mirënjohje të dashurit e vdekur e lutemi për ta.

NE BESOJMË shkruante Papa Shën Pali VI – në jetën e pasosur. NE BESOJMË se shpirtrat e të gjithë atyre, që vdesin në hirin e Krishtit - si ata që duhen purifikuar në Purgator, ashtu edhe ata që, sapo e lënë trupin tokësor, mirëpriten nga Jezusi në Parajsë, siç pati bërë me Hajdutin e Mirë - përbëjnë Popullin e Zotit përtej vdekjes, e cila do të mundet përfundimisht në ditën e Ringjalljes, kur këta shpirtra të bashkohen me trupat e tyre. NE BESOJMË se shpirtrat e shumtë, që mblidhen rreth Jezusit e Marisë në Parajsë - formë e Kishës së Qiellit, ku ata, në lumninë e amshuar, e shohin Zotin ashtu siç është (shih 1 Io. 3,2; Dz.-Sch. 1000) e ku bashkohen, sipas niveleve të ndryshme, me engjëjt në qeverisjen hyjnore të ushtruar nga Krishti i lavdishëm - ndërhyjnë për ne dhe na ndihmojnë në dobësinë tonë, me nxitjen e tyre vëllazërore (shih “Lumen Gentium”, 49). NE BESOJMË në bashkimin ndërmjet të gjithë besimtarëve të Krishtit, të atyre, që janë shtegtarë në këtë botë, të të vdekurve, që kryejnë purifikimin e tyre dhe, të të lumëve në Qiell, të cilët, të gjithë së bashku, formojnë një Kishë të vetme; NE BESOJMË se në këtë bashkim, dashuria e mëshirshme e Hyjit dhe e shenjtorëve të Tij bën të dëgjohen vazhdimisht lutjet tona, sipas fjalës së Jezusit: Kërkoni e do të merrni (shih Luc. 10,9-10; Io. 16,24). E me fe e shpresë, ne presim ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e pasosur. Qoftë bekuar Zoti, shenjt, shenjt, shenjt. Amen. 

02 nëntor 2023, 10:45