Kërko

2023.09.28 Conferenza Stampa sulla XVI Assemblea Generale Ordinaria del Sinodo dei Vescovi 2023.09.28 Conferenza Stampa sulla XVI Assemblea Generale Ordinaria del Sinodo dei Vescovi

Sinodi: Ruffini, "në një klimë të përzemërt", filluan punimet e 35 Grupeve të Vogla

Informimi i parë nga kryetari i Komisionit Informativ i mbledhjes sinodalale. 35 Grupe të Vogla filluan punimet sot: “Ka shumë liri dhe është një klimë e qetë bashkëndarjeje”: “Nuk është e rëndësishme se çfarë thotë ky apo ai pjesëmarrës, por çfarë vendos Kisha në frymën e bashkimit”. Puna e gazetarëve është “e rëndësishme”: “Ne jemi këtu për t'ju ndihmuar, por mbani mend se jemi në gjysmë të rrugës, nuk mund të parashikohet përfundimi. Relacioni përfundimtar do të jetë diçka që ngjan më shumë s

R.SH. - Vatikan

Përvijimi i kësaj faze fillestare të punës së Sinodit (sot filluan punën Grupet e para të Vogla) u hap nga Papa dje me fjalimin e tij në Kongregacionin e parë të Përgjithshëm: përparësi ka dëgjimi, "agjërimi" i fjalës, veçanërisht ai publik, njohja reciproke, shoshitja, respektimi i konfidencialitetit. Dhe kështu Kisha Katolike universale, në këto katër javë kuvend në Vatikan, shkon në “pauzë”. Për prefektin e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini, kryetar i Komisionit të Informacionit të kësaj asambleje sinodale (anëtarët e të cilit do të zgjidhen më 9 tetor), lajmi është pikërisht ky: “Pezullimi i kohës... Një heshtje e thellë pse është krejtësisht ndryshe nga rutina e fjalës që jemi mësuar sipas stereotipive pyetje-përgjigje”.

Një moment heshtje

"Mënyra me të cilën një institucion aq i madh siç është Kisha i mundëson vetes një moment heshtjeje në fe, në bashkim, në lutje është lajm," tha Ruffini gjatë konferencës për shtyp mbajtur sot në Zyrën e Shtypit të Vatikanit, e para nga takimet e përditshme me mediat ndërkombëtare për ecurinë e punimeve të Sinodit. “Kjo mund ta ndihmojë botën edhe në fronte të tjera si: lufta, kriza klimatike… Të ndalemi, të dëgjojmë njëri-tjetrin. Është një sfidë që meriton të tregohet”.

Puna e gazetarëve

Një ftesë, nga prefekti i Dikasteri i Vatikanit për Komunikimin drejtuar gazetarëve të shumtë që këtë muaj do të jenë të impenjuar me pasqyrimin e Sinodit. Gazetarëve që bëjnë një punë "shumë të bukur, shumë të mirë", sikur ka thënë Papa, Ruffini u kujtoi se: "Puna juaj është shumë e rëndësishme, për të kuptuar dhe për t'i bërë njerëzit të kuptojnë se përparësia është të dëgjosh. Ne jemi këtu për t'ju ndihmuar në këtë punë”, u tha gazetarëve ai, duke bërë të ditur gjithashtu se në fund të çdo moduli të Sinodit, do të mbahen konferenca shtypi me anëtarët e Sinodit.

Po, një reporter kundërshtoi gjatë konferencës së shtypit, por edhe të gjithë gazetarëve disi iu “imponua” një agjërim, me kërkesën e djeshme të Papës për t’iu shmangur fjalëve “publike” dhe me Rregulloren (që u është shpërndarë të gjithë të pranishmëve në sallë) e cila – si në çdo Sinod – i fton pjesëmarrësit "ta ruajnë privatësinë dhe konfidencialitetin" në ndërhyrjet e tyre dhe të të tjerëve, duke ndaluar çdo regjistrim audio dhe video. “Kur do të ndalohet ky agjërim, a do të kemi ndonjë ushqim në fund të këtyre tre javëve?”.

Jo një Sinod vendimmarrës

“Si gazetarë është normale që ne përpiqemi të imagjinojmë fundin, e çdo gjëje: mund të jetë një ndeshje futbolli ose një zgjedhje politike,” tha Ruffini, “por ne nuk mund të japim një përgjigje se cili do të jetë përfundimi sepse ne jemi vërtet vetëm në fillim." Siç ka thënë gjithmonë Papa Françesku, Sinodi është një proces, aq më tepër kur flitet për sinodalitetin që do të vazhdojë në vitin 2024. Le të përpiqemi të ecim hap pas hapi”, kërkoi presidenti i Komisionit të Informacionit për Sinodit, duke u përpjekur ta bëjë të qartë se kjo është vetë metodologjia e Sinodit e cila kërkon një proces që shkon hap pas hapi: “Ky nuk është një Sinod vendimmarrës, jemi në gjysmë të rrugës, ndaj nuk mund t’i kërkohet këtij Kuvendi të parafytyrojë përfundimin e Kuvendit të ardhshëm”. E edhe relacioni përfundimtar që do të formulohet në përfundim të punës në fund të tetorit, do të ofrojë “konvergjenca dhe divergjenca” por gjithsesi do të përfaqësojë jo një pikë mbërritjeje por “një rrugë që po bëjmë”. “Prandaj do të jetë diçka më e ngjashme me një Instrumentum Laboris sesa me dokumentin përfundimtar të Sinodeve të kaluara”, nënvizoi Ruffini.

Puna e grupeve të vogla

Së bashku me Sheila Pires, sekretare e Komisionit për informacion dhe komunikim të Konferencës Episkopale të Afrikës së Jugut, shpjegoi Ruffini - me ndihmën e disa slides - se si 35 Grupet e Vogla, të mbledhura në "tavolinat" e tyre përkatëse, në sallën Pali VI, kanë zhvilluar teknikisht punimet e tyre sipasgrupit gjuhësor. Deri më tani në qendër të reflektimeve është Instrumentum laboris, në lidhje me "shenjat karakteristike të një Kishe sinodale" dhe "bisedën në Shpirtin". Është ende një fazë fillestare e Sinodit, kështu që çështjet më delikate ose më të mprehta të renditura në të njëjtin dokument pune dhe të përmendura nga vetë Papa nuk u përfshinë në diskutimet e kësaj dite të parë të Grupeve, duke filluar nga meshtaria femërore.

Në 4 minutat kohore të dhëna për secilin pjesëmarrës, hapi i parë ishte prezantimi i vetvetes, më pas ndarja e rrugës së ndjekur nga Kisha në fazën e parë të udhës sinodale (ajo konsultative), "si filloi, si evoluoi, vështirësitë e hasura, marrëdhëniet midis Kishës vendase dhe Kishës universale”. Më pas u zgjodh një "relator", një figurë që mblodhi përvojat dhe kërkesat e ndryshme për t'i paraqitur ato në asamble, pas diskutimeve brenda Grupit. Relacioni i hartuar nga kjo figurë, e zgjedhur me shumicë, “do të tregon për konvergjencat, divergjencat, idetë që kanë dalë nga diskutimet”.

Liri dhe bashkëndarje

Krahas kësaj, “çdokush mund të flasë në Kongregacionin e Përgjithshëm dhe të dërgojë tekstin e tij në Sekretarinë e Sinodit”, shpjegoi prefekti Ruffini, duke nënvizuar se “ka shumë liri” fjala, se klima e Sinodit është një “bashkëndarje e qetë” dhe se të gjithë kanë një "përvojë shpirtërore" të thellë. Mbi të gjitha, një përvojë “bashkimi": "Nuk është e rëndësishme se çfarë thotë ky apo ai pjesëmarrës, por çfarë vendos Kisha në frymën e saj të bashkimit. Është një proces kompleks, por siguron që të gjithë të mund të shprehin pikëpamjet e tyre”.

Faza e shoshitjes

Prandaj Sinodi është “një organ”, nënvizoi Ruffini. Dhe nëse ka njerëz që ndihen të jashtëm ndaj saj, si disa gra në SHBA që janë kundër disa prej qëndrimeve të mbajtura nga Papa (një gazetar amerikan e ngriti çështjen në një pyetje-debat) atëherë ne duhet të bëjmë një hap prapa dhe hyjnë në një fazë të "shoshitjes". Aty askush nuk përjashtohet. “Grupet e Vogla po vazhdojnë me shqyrtime të përbashkëta dhe pjesëmarrje aktive të secilit anëtar, në mënyrë që më pas të jenë në gjendje të ofrojnë të gjithë pikat e mbledhura përkimi dhe divergjence, tensionet që janë shfaqur dhe pyetjet që mbeten të hapura, intuitat dhe propozimet në lidhje me hapat konkretë që merren përsipër në lidhje me çështjet e trajtuara”, shpjegoi Paolo Ruffini. “Anëtarët e Sinodit që janë këtu, janë pikërisht këtu për ta bërë këtë. Ose besojmë ose nuk i japim asnjë vlerë kuvendit. Ne nuk diskutojmë opinionet e secilit anëtar, nuk është një po ose një jo, por është e gjithë Kisha që dëgjon dhe shoshit".

05 tetor 2023, 18:46