Kërko

Sinodi i ipeshkvijve Sinodi i ipeshkvijve

Sinodi: disa të varfër për drekë me Papën dhe me kard. Krajewski

Punimet e Sinodit, si dje, ashtu edhe sot, janë përqendruar në modulin B1 të Instrumentum Laboris, dokumentit, që orienton diskutimet e pjesëmarrësve. Në ç’mënyrë shërbimi i bamirësisë dhe impenjimi për drejtësinë e kujdesi për shtëpinë e përbashkët e ushqejnë bashkimin në një Kishë sinodale? Si mund ta bëjë të besueshme ajo premtimin e Pslamit 85 “dashuria dhe e vërteta do të takohen”? Si mund të shtohet shkëmbimi i dhuratave ndërmjet Kishave? E impenjimi ekumenik, ç’rrugë duhet të marrë?

R.SH. – Vatikan

Sinodi mbi sinodalitetin e Kishës vijon punimet në Vatikan, në javën e tij të dytë. Në Kongregacionin e përgjithshëm, sot paradite “u tregua se dje u formua një ‘grup i vogël’ në Shtëpinë e Shën Martës, ku u ftuan disa të varfër të Romës për drekë me Papën dhe Lëmoshtarin apostolik, kardinalin Konrad Krajewski”. Me këto fjalë e nisi bisedën e tij me gazetarët, prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini, i cili, si çdo ditë, i njoftoi të pranishmit me argumentet kryesore, rreth të cilave është diskutuar në Sinodin me temë “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”. “Pyetjes se çfarë prisnin nga Kisha, ata iu përgjigjën: ‘dashuri, vetëm dashuri”, shtoi Ruffini.

 Punimet e Sinodit, si dje, ashtu edhe sot, janë përqendruar në modulin B1 të Instrumentum Laboris, dokumentit, që orienton diskutimet e ipeshkvijve dhe të gjithë pjesëmarrësve. Në ç’mënyrë shërbimi i bamirësisë dhe impenjimi për drejtësinë e kujdesi për shtëpinë e përbashkët e ushqejnë bashkimin në një Kishë sinodale? Si mund ta bëjë të besueshëm ajo premtimin e Pslamit 85 “dashuria dhe e vërteta do të takohen”? Si mund të shtohet shkëmbimi i dhuratave të ndryshme ndërmjet Kishave? E impenjimi ekumenik, ç’rrugë duhet të marrë? Si duhen pranuar pasuritë e kulturave të tjera dhe dialogu me fetë e tjera, në dritën e Ungjillit? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i impenjuan ipeshkvijtë dhe pjesëmarrësit paraditen e sotme, si në Mbledhjen e tyre të Përgjithshme, ashtu edhe në Grupet e Vogla.

Dashuria dhe e vërteta duhet të ecin së bashku, përndryshe, shndërrohen në ideologji

 Paolo Ruffini nënvizoi se është folur mjaft për binomin dashuria/e vërteta, që duhet të ecin së bashku, përndryshe, ky binom shndërrohet në ideologji. Ndër argumentet, identiteti seksual, çështja e çifteve gay dhe të divorcuar, duke nënvizuar refuzimin ndaj çdo lloj forme homofobie e abuzimi, por edhe duke theksuar nevojën për të mbrojtur familjen. Nga ana e ipeshkvijve dhe pjesëmarrësve të këtij Sinodi është kërkuar gjithashtu aktualizimi i gjuhës së Kishës, duke nënvizuar impenjimin për formimin e dëgjimin, për praninë në botën virtuale e për çdo gjë, që i bën të krishterët të jenë tharm ungjillor në botën e sotme. Përsa i përket impenjimit ekumenik, u theksua centraliteti i Krishtit, rëndësia e njohjes dhe e përvojave të përbashkëta me Kishat simotra të krishtera, roli i familjeve të përziera, si edhe përvoja e lutjes së përbashkët në stilin e bashkësisë së Taizé-së. U nënvizuan vështirësitë e dialogut me sektet.

Për migrantët, ndihmë nga Kishat në vendet e destinacionit

Nga temat e pasdites së djeshme, u përmendën: të varfrit dhe nevoja e një Kishe të përvuajtur në favor të tyre; çështja e rolit të grave në Kishë, por edhe në shoqëri; migrantët, për të cilët disa ipeshkvij e pjesëmarrës të Sinodit kërkuan ndihmën e Kishave në vendet e destinacionit, që të huajt të integrohen më mirë, sipas rregullave e ligjeve të atyre shteteve; marrëdhëniet me Kishat Lindore, të cilave u duhet vlerësuar bukuria e liturgjisë, pavarësisht nga ndryshimet.

Trashëgimia e Koncilit II të Vatikanit

 Kardinali kanadez Gérald Cyprien Lacroix, kryeipeshkëv metropolit i Kebekut, vuri në dukje përvjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit nga Papa shenjt Gjoni XXIII, si sot, më 11 tetor 1962 dhe trashëgiminë e tij, ende të pashterruar, që shërben edhe në këtë Sinod mbi sinodalitetin

11 tetor 2023, 15:31