Kërko

Refugjatë Refugjatë

Refugjatët, Selia e Shenjtë: urgjentisht, solidaritet global, të shpëtohen jetët në det

Në fjalën e tij me rastin e Komitetit të 74-t Ekzekutiv të UNHCR-së, kreu i delegacionit vatikanas imzot Pacho, zv.sekretar për Sektorin shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, kërkon të trajtohet situata e vështirë e të shpërngulurve, duke nënvizuar dinjitetin njerëzor, vëllazërimin dhe detyrën për të mbrojtur jetën

R.SH. – Vatikan

Gjendja e vështirë e të shpërngulurve dhe nevoja urgjente për solidaritet global ishin në qendër të fjalimit të imzot Daniel Pacho, zv.sekretar për Sektorin shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, në krye të delegacionit të Selisë së Shenjtë në Komitetin e 74-t Ekzekutiv të Programit të UNHCR-së (Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët), i cili u mbajt dje, më 9 tetor, në Gjenevë.

Emra e jo numra

Imzot Pacho e nisi fjalën duke nënvizuar realitetin shqetësues të mbi 108 milionë njerëzve në mbarë botën, të shpërngulur me forcë. Nuk janë thjesht numra, por qenie njerëzore, secila prej të cilave ka një histori dhe një betejë unike, pohoi ai. Konflikti, dhuna, persekutimi dhe pasojat e ndryshimeve klimatike vazhdojnë të shkaktojnë zhvendosje masive, gjendje, që Papa Françesku e ka përshkruar si "luftë e tretë botërore, pjesë-pjesë".

Duke përmendur veçanërisht situatën në Ukrainë, imzot Pacho shprehu shqetësimin e Selisë së Shenjtë për konfliktet e vazhdueshme, por edhe për pasojat tragjike të tyre si humbja e jetëve njerëzore, plagosjet, zhvendosjet e shpërnguljet dhe dëmet e jashtëzakonshme shoqëroro-ekonomike. Konflikte të tilla, nënvizoi prelati, nxjerrin në pah absurditetin tragjik të luftës.

Dinjiteti njerëzor

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë për çështjen e refugjatëve ka në qendër njohjen e dinjitetit njerëzor si bazë për t’i bërë ballë çdo krize. “Refugjatët, jo vetëm duhen ndihmuar, por duhen konsideruar bartës të drejtash e përgjegjësish”, pohoi imzot Pacho. Ai kërkoi të mos riatdhesohen njerëzit në ato vende, ku shkelen të drejtat e njeriut, ose ku u kërcënohet jeta. Përsëriti fjalët e Papës Françesku se "e ardhmja nuk mund të jetë në kampet e refugjatëve".

Zgjidhje afatgjatë

Kreu i delegacionit të Vatikanit nënvizoi më pas nevojën për të shkuar përtej emergjencave të përkohshme dhe për të punuar për zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata, të cilat duhet të shkojnë drejt shpejtimit të zhvendosjes së refugjatëve në vendet e treta, drejt dhënies së vizave humanitare, krijimit të programeve individuale e komunitare të sponsorizimit, hapjes së korridoreve humanitare dhe drejt garantimit të bashkimit familjar.

Selia e Shenjtë kërkon gjithashtu që e drejta për të kërkuar azil të shihet si zgjerim i kuadrit ku hyn dinjiteti njerëzor dhe vëllazërimi, në vijë me thirrjen e Papës Françesku për të "shmangur shndërrimin e Mesdheut nga djep qytetërimi në varrezë dinjiteti". Vatikani, theksoi imzot Pacho, e konsideron detyrë njerëzore dhe qytetare shpëtimin e atyre, që rrezikojnë të mbyten në det.

Refugjatët nuk janë mall për treg

Delegati i Selisë së Shenjtë shprehu keqardhjen për tragjeditë në tokë dhe në det, duke nënvizuar urgjencën e mbrojtjes dhe të shpëtimit të njerëzve. Së fundi, ai vuri në dukje se zhvendosja e përgjegjësive, ose trajtimi i refugjatëve si mall për treg, janë shenja të qarta të nevojës për bashkëpunim më të mirë. Prandaj, bëri thirrje për vëllazërim, sepse pa të nuk mund të kemi një shoqëri më të drejtë dhe një paqe më të qëndrueshme.

11 tetor 2023, 14:10