Kërko

Sultan bin Ahmed Al Jaber, President i COP-28 Sultan bin Ahmed Al Jaber, President i COP-28

Presidenti i COP28: “të reduktohen 22 gigaton emetime brenda vitit 2030”

Mediat e Vatikanit në bisedë me Sultan Al Jaber ditën kur u prit nga Papa Françesku, një javë pas publikimit të Nxitjes apostolike "Laudate Deum"

R.SH. – Vatikan

Më 4 tetor u publikua “Laudate Deum”, Nxitja apostolike me thirrjen e Papës Françesku për t'i bërë ballë krizës klimatike. Të mërkurën, më 11 tetor, Ati i Shenjtë priti Sultan bin Ahmed Al Jaber, Ministër i Industrisë dhe i Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, njëkohësisht, president i COP28, mbledhjes së rëndësishme për klimën, që do të mbahet në Dubai nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor. Papa e konsideron atë vendimtare për ndërhyrje të përbashkëta, që ndryshojnë stilin e jetesës së njerëzve, sa s’është tepër vonë për planetin. Në një bisedë me mediat e Vatikanit, Al Jaber shpjegon objektivat e COP28 dhe komenton përmbajtjen e Nxitjes apostolike.

Ta mbajmë rritjen e temperaturës brenda 1,5 gradë Celsius

“Na intereson një gjë e vetme: ta mbajmë rritjen e temperaturës brenda 1.5 gradë Celsius – nënvizon Al Jaber. – Jemi larg drejtimit të duhur, prandaj, brenda vitit 2030, duhen reduktuar 22 gigaton emetime të dëmshme për ambientin”. Më tej, presidenti i COP28 shpjegon katër shtyllat kryesore, mbi të cilat do të bazohet Takimi i ardhshëm për klimën: përshpejtimin e tranzicionit energjetik, financimin e përballimit të ndryshimeve klimatike, përqendrimin tek njerëzit, tek natyra, tek jeta dhe mjetet e jetesës, duke e mbështetur gjithçka përmes përfshirjes së të gjithëve. “Ka ardhur koha – nënvizon ai – që ta bashkojmë botën dhe të veprojmë së bashku për të ofruar zgjidhje të zbatueshme për krizën klimatike”.

Të reduktohen emetimet vjetore me 43% brenda vitit 2030

Në Nxitjen e tij apostolike “Laudate Deum”, Papa Françesku jep arlamin për Tokën, duke kërkuar të veprohet para se të jetë tepër vonë. Duke nënvizuar se edhe COP28 ka të njëjtin shqetësim me Atin e Shenjtë, ministri i Emirateve të Bashkuara Arabe vë në dukje se presidenca aktuale “po bën ç’është e mundur për t’i bashkuar palët, për të garantuar gjithëpërfshirjen, për të ndërmarrë impenjime dhe perspektiva të qarta e për një plan klimatik ambicioz në favor të gjithë popujve të botës”. Gjatë takimit me Papën, Al Jaber nënvizoi se duhen reduktuar emetimet vjetore me 43% brenda vitit 2030, në mënyrë që rritja e temperaturës të mbahet në nivelin e 1,5 gradëve Celsius.

Sistem energjie pa lëndë djegëse fosile, pa kompromentuar progresin

“Duhet të ndërtojmë shpejt një sistem energjie pa lëndë djegëse fosile, përfshirë qymyrin, duke dekarbonizuar plotësisht energjinë që përdorim sot. Kemi nevojë për një tranzicion të shpejtë e të drejtë energjitik, që nuk lë askënd pas, veçanërisht 800 milionë njerëzit, të cilët, sot, nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë asnjë lloj energjie – shpjegon presidenti i COP28. – Por, do të ishte e papërgjegjshme të tërhiqemi nga sistemi aktual energjetik përpara se të ndërtojmë të riun. Duhet të përqendrohemi në emetimet e dëmshme, pavarësisht nga vijnë ato dhe duhet të pranojmë se do të ketë ende lëndë djegëse fosile në energjinë e përzier, që do të përdorim në të ardhmen. E rëndësishme është ta ekuilibrojmë atë përzierje dhe të reduktojmë emetimet nga energjia e përdorur sot. Emetimet, jo përparimin botëror! Pikë qendrore do të jetë progresi i prekshëm, ai që ka rëndësi për botën reale, së bashku me një rezultat ambicioz të negociuar. Prandaj, - vë në dukje Al Jaber - u kam bërë thirrje kompanive të naftës dhe gazit që t’i ulin në zero emetimet e gazit të metanit brenda vitit 2030 dhe të neutralizojnë karbonin brenda vitit 2050. Gjithashtu, është e nevojshme që industritë, të cilat përdorin shumë karbon të përshpejtojnë tranzicionin drejt eliminimit të emetimeve”. Qeverive, presidenti i COP28 u kërkon politika të mençura për të shtuar dhe për t’i bërë të përshtatshme nga pikpamja ekonomike të gjitha zgjidhjet, përfshirë teknologjitë që përdorin hidrogjenin dhe ato të inkapsulimit të karbonit.

Të mbahen premtimet

Në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”, Papa Françesku denoncon faktin se impenjimet e marra gjatë mbledhjeve të ndryshme për klimën nuk janë respektuar. “COP28 – nënvizon Al Jaber – do të përpiqet ta korrigjojë kursin, duke i shndërruar premtimet në projekte, prirjet në transformime të vërteta dhe marrëveshjet në veprime. Papa ka absolutisht të drejtë për premtimet e kaluara që nuk janë mbajtur. Kemi nevojë që të gjitha palët t’i mbajnë premtimet, duke përfshirë rifinancimin e dytë, edhe më ambicioz, të të ashtuquajturit Fondi i Gjelbër për Klimën, por edhe 100 miliardë dollarët si financim vjetor në favor të klimës, për të cilat u fol më se 10 vjet më parë. Financimi është çelësi që mund të zhbllokojë gjendjen aktuale.

12 tetor 2023, 16:44