Kërko

Peña Parra: në kohë të trazuara për paqen, të zbatojmë parimet e “Laudato si'”

Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë iu dorëzua Nxitja apostolike “Laudate Deum”. Duke përsëritur se të gjithë jemi të ndërlidhur në mënyrë të pashmangshme dhe duke theksuar idenë e Papës për "multilateralizmin, që fillon nga baza", u nënvizua përgjegjësia e të gjithëve për mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët. Dokumenti duhet të kthehet në vendime të vërteta në mbrojtje të ambientit e të drejtësisë shoqërore

R.SH. – Vatikan

Drejtësia mjedisore është pjesë e drejtësisë shoqërore dhe ekonomike: ky ishte një nga konceptet më të rëndësishme, që u theksua gjatë paraqitjes së Nxitjes apostolike “Laudate Deum” para anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Takimi i pasdites së djeshme ishte pjesë e një sërë veprimtarish për t’i bërë ambasadorët, ndër të cilët edhe ambasadorja e emëruar e Shqipërisë, Majlinda Dodaj, të njihen me dokumentet papnore.

Nga ana e Vatikanit, foli Zëvendësi për punët e përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit, imzot Edgar Peña Parra, por edhe Paolo Conversi, anëtar i Seksionit të dytë në atë Sekretari, ekspert i shkencave ekonomike dhe shoqërore, si edhe Át Fabio Baggio, Zv.sekretar i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor, përgjegjës për seksionin e Migrantëve, Refugjatëve dhe të Projekteve të veçanta.

Peña Parra: të kthehet teksti i Papës në veprimtari të prekshme

Imzot Peña Parra theksoi se "në këto orë të trazuara për dialogun ndërkombëtar në kërkim të paqes", ka rëndësi të vihen në dukje pikat themelore të dokumentit papnor dhe të vihen në jetë nisma konkrete, frymëzuar nga vlerat e “Laudato si'”, vazhdim i së cilës është Nxitja “Laudate Deum”. Ndihet nevoja për veprimtari të prekshme, që mbështeten mbi enciklikën e Papës Françesku.

Ndërkaq, Paolo Conversi nënvizoi tre aspekte qendrore të “Laudate Deum”: konceptin e përgjegjësisë, duke pasur parasysh urgjencën e ndërhyrjes për të mbrojtur ambientin dhe drejtësinë shoqërore; nevojën për përfshirjen e të gjithëve; vënien në jetë të një paradigme të re, që ka në qendër ekologjinë e gjithanshme. Në dokument, shpjegoi profesori, Papa flet për sigurinë mjedisore, ku termi 'siguri' nënkupton një politikë më largpamëse ndërkombëtare. "Bota është jashtëzakonisht e ndërvarur dhe nuk mund të izolohet në blloqe", vërejti Conversi, i cili, duke përmendur sërish Atin e Shenjtë, nënvizoi se është për të ardhur keq që krizat globale nuk shfrytëzohen për ta përmirësuar planetin dhe njerëzimin që jeton në të. "Nuk është mister që gjendemi në mes të një lufte botërore pjesë-pjesë, e cila kërkon impenjimin e bashkësisë ndërkombëtare, gjithnjë e më e mbyllur në vetvete", denoncoi funksionari i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

Të ndryshohet paradigma: nga kultura e hedhurinave në atë të kujdesit

Nevojitet një ndryshim paradigme, vërejti Conversi. Ashtu siç shkruan Papa në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”, duhet kaluar nga modeli teknokratik në atë të integruar, i cili nxjerr në pah lidhjen e thellë dhe të pashmangshme ndërmjet përmasës së brendshme personale, asaj solidare që shprehet në marrëdhëniet me të tjerët dhe, asaj shpirtërore përmes marrëdhënieve me Zotin, etj.. Sfida është kulturore dhe edukative, “kalimi nga kultura e hedhurinave në atë të kujdesit”. “Laudate Deum”, përfundoi Conversi, nuk është vetëm ftesë për të soditur bukurinë e krijimit, por vë në dukje shqetësimin se qeniet njerëzore ka rrezik të bëhen armiku më i keq i vetvetes.

Projekti “Borgo Laudato si'” në Castelgandolfo

Nga ana e tij, Át Baggio përshkroi një projekt konkret, fryt i enciklikës “Laudato si'”: ngritjen e Qendrës për formim të lartë “Laudato si’” dhe projektin “Borgo Laudato si'”, themeluar nga Papa Françesku më 2 shkurt. Në një horizont shkatërrimi dhe rrënimi, pohoi zv.sekretari, kemi nevojë për kthesë të vërtetë ekologjike, e cila, domosdoshmërisht, vjen përmes edukimit të ndërgjegjes, përmes modelit të ekonomisë qarkore, duke pasur gjithmonë parasysh qëndrueshmërinë e ambientit. Po bëhet ç’është e mundur, që ky projekt të jetë gati me rastin e Jubileut 2025. Objektivi kryesor është transformimi i bukurisë së kopshteve të Villa Barberini-t dhe të Vilave Papnore, në Castelgandolfo, pranë Romës, në një vend formimi për ekologjinë e gjithanshme.

19 tetor 2023, 11:53