Kërko

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-GAZA PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT-GAZA
Editorial

Një akt çnjerëzor

Vrasja e qindra civilëve të pafajshëm në spitalin e Gazës kërkon përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare. Duhet shmangur katastrofa humanitare dhe shpërthimi i një ndeshjeje me pasoja të papërfytyrueshme

R.SH. / Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Masakra e civilëve, që u krye mbrëmë në Gaza duke goditur spitalin anglikan al-Ahli Arabi e duke shkaktuar qindra viktima civile, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, është akt çnjerëzor. Akt, që nuk justifikohet në asnjë mënyrë. Ditët e fundit, Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, i intervistuar nga mediat e Vatikanit, e pati cilësuar çnjerëzor sulmin terrorist kundër Izraelit më 7 tetor, si dhe masakrën e civilëve, grave dhe fëmijëve. Ai përsëriti edhe të drejtën e izraelitëve për të mbrojtur veten dhe për të luftuar kërcënimin terrorist të përfaqësuar nga milicitë e Hamasit, duke kujtuar, në të njëjtën kohë, se "vetëmbrojtja duhet të respektojë parametrin e proporcionalitetit" dhe duke kërkuar që të shmanget gjakderdhja e civilëve të Gazës.

Në orët e fundit qemë dëshmitarë të një shkëmbimi akuzash: autoritetet e Gazës dhe të Hamasit ia atribuojnë një bombardimi izraelit shkatërrimin e spitalit, vendosur në një zonë, që Izraeli kishte kërkuar të zbrazej nga civilët. Ndërsa ushtria izraelite ka mohuar përgjegjësinë e saj, duke ia atribuar masakrën mosfunksionimit të një rakete të lëshuar nga Xhihadi Islamik, i cili, nga ana e tij, e mohon.

Në një çast dramatik të historisë së njerëzimit, me "copëzat" e asaj Lufte të Tretë Botërore, të përmendur nga Papa Françesku, që po bashkohen me një shpejtësi të papritur, ndjehet fort nevoja për ta mposhtur terrorizmin, pa e nxitur më tej urrejtjen dhe pa harruar kurrë të drejtën humanitare ndërkombëtare. Në pritje për të mësuar më shumë për aktin kriminal të shkatërrimit të spitalit, ku personeli mjekësor pa mjete e tashmë edhe pa fuqi, po mjekonte të sëmurët dhe të plagosurit, duhet t'i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë për të shmangur katastrofën humanitare dhe shpërthimin e një konflikti me pasoja të papërfytyrueshme.

Sekretari britanik i Shtetit për Punët e Jashtme, James Cleverly, deklaroi   orët e fundit se "Mbretëria e Bashkuar do të punojë me aleatët për të zbuluar se çfarë ndodhi" në spitalin e Gazës dhe për të "mbrojtur civilët e pafajshëm", duke përsëritur se "mbrojtja dhe jeta e civilëve duhet të kenë përparësi”. Shpresojmë që zëra të tjerë të bashkohen me të tijin për të kërkuar të vërtetën për atë që ndodhi.

Çnjerëzimi i masakrës terroriste të kryer në kibucët izraelitë kundër viktimave të pafajshme dhe çnjerëzimi i vrasjes së civilëve të pafajshëm në Gaza nuk duhet të na bëjnë kurrë të harrojmë perspektivën e një ardhmërie me paqe dhe drejtësi për të gjithë zonën e Lindjes së Mesme. Në intervistën e sipërpërmendur, kardinali Parolin theksoi: “Më duket se drejtësia më e madhe e mundshme në Tokën e Shenjtë është zgjidhja me dy shtete, e cila do t'i lejonte palestinezët dhe izraelitët të jetonin krah për krah, në paqe dhe siguri, duke përmbushur aspiratat e shumicës prej tyre”. E, më pas, shpjegoi se Selia e Shenjtë vazhdon, pavarësisht nga gjithçka tjetër, ta mbështesë këtë aspiratë dhe këtë të drejtë. E të bëjë edhe thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe për respektimin e plotë të ligjit humanitar.

18 tetor 2023, 13:00