Kërko

Salla e Sinodit Salla e Sinodit

Kisha: në Vatikan, fillon nesër Sinodi i Ipeshkvijve

Hapen nesër, 4 tetor, punimet e Sinodit të Ipeshkvijve për sinodalitetin. Në Instrumentum laboris, dokumenti i punës, që përmban orientimet për diskutimin e reflektimin ndërmjet ipeshkvijve dhe kardinajve nga e gjithë bota, ka shumë tema, që kanë dalë nga debatet në nivelin dioqezan të çdo vendi e në nivelin kontinental – fazat e mëparshme të këtij Sinodi 3-vjeçar. Nga Shqipëria, do të jenë të pranishëm imzot Gjergj Meta dhe imzot Arjan Dodaj

R.SH. – Vatikan

Nesër në Sallën Pali VI të Vatikanit do të hapen punimet e Sinodit të Ipeshkvijve për sinodalitetin. Për herë të parë do të votojnë edhe 54 gra: prandaj, do të ketë etër dhe nëna sinodale, secili me tabletin e vet në dorë, me të cilin do të shprehin votën e tyre.

Pjesëmarrësit do të jenë 449, ndër të cilët, 365 me të drejtë vote. Nga Shqipëria, do të jenë të pranishëm në Sinod, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj. Kishat Lindore kanë 20 delegatë, duke përfshirë edhe dy ipeshkvij kinezë të emëruar nga Papa, zgjedhur "nga Kisha lokale, në marrëveshje me autoritetet".

Sinodi do të hapet nesër paradite me lutjen e kryesuar nga Papa. Më pas, deri në fund të tetorit, do të alternohen punimet në seancën plenare me debatet në grupet e vogla. Ndër dëgjuesit në këtë asamble, Papa ka thirrur edhe dikë nga shoqëria civile: Luca Casarini-n, ish-lider i no global, prej vitesh aktiv në shpëtimin e emigrantëve me shoqatën “Mediterranea Saving Humans”.

“Fillon një muaj Sinodi, që do të kërkojë shumë lutje, shumë reflektim, shumë biseda dhe shkëmbim të lirë e të hapur”, vë në dukje Át Antonio Spadaro, i cili do të jetë ndër anëtarët e Asamblesë me emërim papnor. Në Instrumentum laboris, dokumenti i punës, që përmban orientimet për diskutimin e reflektimin ndërmjet ipeshkvijve dhe kardinajve nga e gjithë bota, ka shumë tema, që kanë dalë nga debatet në nivelin dioqezan të çdo vendi e në nivelin kontinental – fazat e mëparshme të këtij Sinodi 3-vjeçar. Ndër më të rëndësishmet, roli i gruas në Kishë, çiftet LGBTQ, çështja e meshtarëve të martuar.

Pikërisht në prag të Sinodit, u bënë të njohura përgjigjet e Papës për të ashtuquajturat “Dubia”, pesë pyetje të kardinajve, që bota i konsideron ultra-konservatorë (Brandmuller, Burke, Sandoval Iniguez, Sarah dhe Zen). Në veçanti, Bergoglio ka hapur një mundësi për "forma bekimi"  për një ose më shumë njerëz "kur kërkohet një bekim, duke i shprehur Zotit një kërkesë për ndihmë", një lutje për të jetuar më mirë, shprehet besimi tek Ati Qiellor, për sa kohë që "kjo nuk transmeton një koncept të gabuar mbi martesën'', e cila, për Kishën, mbetet ajo e një burri me një grua. Ndërsa, përsa i përket shugurimit të grave, Papa, në përgjigje të pyetjes së kardinajve, nënvizon se “nuk ka ndonjë ‘jo’ dogmatike”, por mohimi i shugurimit meshtarak për gratë, formuluar nga Shën Gjon Pali II, mbetet si “deklaratë përfundimtare”, pavarësisht se duhet sqaruar ç’do të thotë saktësisht ky term. Kujtojmë se Sinodi nuk do të përfundojë këtë vit, por do të vijojë në tetor 2024.

03 tetor 2023, 14:47