Kërko

Kard. Parolin: një sulm i tmerrshëm dhe i neveritshëm kundër Izraelit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit në Universitetin Gregoriana për një konferencë mbi dokumentet e papnisë së Piut XII dhe marrëdhëniet hebraike-kristiane. Në fillim të fjalës së tij ai shprehu dhimbjen e Papës për ngjarjet dramatike në Tokën e Shenjtë, e më pas tha: “Terrorizmi, dhuna, barbarizmi dhe ekstremizmi minojnë aspiratat legjitime të palestinezëve dhe izraelitëve. Le të heshtin armët, le të mbizotërojë arsyeja"

R.SH. / Vatikan

Një sulm “i tmerrshëm dhe i neveritshëm” ai që ndodhi të shtunën e kaluar, më 7 tetor, në Izrael nga duart e Hamasit, gjë që pikëlloi Papën, i cili shprehu ngushëllimet e tij për të gjithë të vdekurit dhe të plagosurit që ka shkaktuar kjo valë e re dhune. Me këto fjalë dënimi dhe në të njëjtën kohë trishtimi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e hapi konferencën treditore që nis më 9 tetor në Universitetin Papnor Gregoriana me titull “Dokumentet e reja të Papnisë së Piut XII dhe kuptimi i tyre. për marrëdhëniet hebraike-kristiane”.

“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do ta filloja fjalimin tim sot me detyrimin e përgjegjshëm, të trishtuar për të bashkëndarë dhe përcjellë dhimbjen që Ati i Shenjtë shprehu të dielen për atë që po ndodh në Izrael”, tha kardinali Parolin, i ulur pranë kryerabinit të Romës Riccardo Di Segni. “Në ditën e shtunë, në festën e Simchat Torah, gëzimin e Torahut, në Izrael, shumë vëllezër dhe motra izraelitë u zgjuan nga një sulm i tmerrshëm dhe i neveritshëm. Jemi pranë familjeve të viktimave, mijëra të plagosurve, të zhdukurve dhe të rrëmbyerve, që janë në rrezik të madh”.

''Shpresoj që armët të heshtin e të mbizotërojë arsyeja dhe të përdoret për t’u ndalur dhe reflektuar për rrugën e duhur dhe të drejtë që duhet ndjekur për të arritur paqen në Izrael dhe Palestinë!'', tha  Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, duke folur në Universitetin Papnor Gregoriana, në Romë, në një konferencë kushtuar Piut XII.

“Fatkeqësisht”, vuri në dukje kardinali, “dhuna, terrorizmi, barbarizmi dhe ekstremizmi minojnë aspiratat legjitime të palestinezëve dhe izraelitëve”. Kardinali Parolin pohoi se “Selia e Shenjtë po ndjek me shqetësim të thellë luftën që është provokuar nga Hamas, në të cilën shumë shumë persona humbën jetën dhe shumë të tjerë janë rrëmbyer, zhvendosur dhe plagosur. Afërsia dhe lutjet tona u shkojnë gjithashtu edhe familjeve të tyre dhe të gjithë civilëve që janë krejtësisht të pafajshëm. Lufta është gjithmonë disfatë e dinjitetit dhe pengesë për të arritur te ndonjë zgjidhjeje".

“Nuk di çfarë të them, ndihem shumë i tronditur dhe i pikëlluar nga këto ngjarje që po ndodhin në Izrael. Është një tragjedi e madhe. Bota duket se është çmendur, duket se ne tani mbështetemi vetëm në forcën, dhunën dhe konfliktin për të zgjidhur problemet që ekzistojnë e që janë probleme reale, të cilat duhen përballuar dhe zgjidhur me mënyra e udhë shumë të ndryshme nga ajo që është ndërmarrë", tha Kardinali Pietro Parolin i cili mbeti pothuajse pa fjalë përballë sulmit tmerrshëm të Hamasit, para një barbarizmi dhe ekstremizmi që minojnë aspiratat legjitime të izraelitëve dhe palestinezëve, njeriu dëshpërohet sepse ato pak fije paqeje duket se po shuhen përfundimisht.

09 tetor 2023, 17:40