Kërko

Il cardinale Hollerich apre i lavori della quarta Congregazione generale dell'assemblea sinodale Il cardinale Hollerich apre i lavori della quarta Congregazione generale dell'assemblea sinodale  (Vatican Media)

Sinodi: Kard Hollerich të gjithë janë të ftuar të jenë pjesë e Kishës

Kardinali Hollerich, relator i përgjithshëm i asamblesë, hapi sot Kongregacionin e katërt të Përgjithshëm të Sinodit mbi Modulin B1 të dokumentit Instrumentum laboris: "Dikush vëren se tensionet do të rriten, por ne nuk duhet të kemi frikë për sa kohë që jemi vëllezër dhe motra që ecin së bashku". Ftesa për të dhënë "përgjigje konkrete" dhe për të treguar dashurinë e Zotit "edhe ndaj atyre që duket se kërcënojnë identitetin tonë". Nga sot në Sinod punohet në Grupe të Vogla

R.SH. - Vatikan

Faza e dytë e punimeve të Sinodit

Pas pauzës të së dielës, kardinali Hollerich, relator i Sinodit për sinodalitetin e Kishës, hapi sot, më 9 tetor, punimet e Kongregacionit a të Mbledhjes së katërt të Asamblesë XVI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, që po mbahet në Vatikan që nga 4 tetori kaluar, me temën “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”.

Sot, punimet e javës së dytë të kësaj Asambleje iu kushtuan pjesës apo modulit të dytë të dokumentit bazë, që është Instrumentum laboris, dokument i cili për Etërit dhe Nënat pjesëmarrëse të Sinodit ofron skemën e punës. “Një bashkësi që rrezaton. Si mund të jemi sa më plotësisht shenjë dhe mjet i bashkimit me Zotin dhe i unitetit të familjes njerëzore?”: kjo, tema e modulit në fjalë, Moduli B1, mbi të cilin do të reflektojnë Grupet e vogla të punës - duke filluar nga pasditja e sotme – si dhe ndërhyrjet në sallë.

Disa pjesëmarrës të Sinodit rezultuan pozitivë me Covid

Kardinali Hollerich u paraqiti pjesëmarrësve formularin. Pastaj sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Mario Grech, njoftoi për mungesën e 118 pjesëmarrësve, për shkak se rezultuan me Covid-19. “Pasi dëgjuam mendimin e mjekëve, nuk ka asnjë alarm”, i qetësoi të pranishmit kardinali Grech, duke u kërkuar të gjithëve përdorimin e “masave të sigurisë” si maskat dhe dezinfektimin e duarve.

Punimet më pas vijuan me fjalimin e relatorit të përgjithshëm të Sinodit, i ndjekur nga një pauzë heshtjeje e reflektimi, nga leximi i Ungjillit sipas Gjonit (4, 7-30), nga meditimi mbajtur nga rregulltari domenikan At Timothy Radcliffe dhe  nga "idetë e sugjerimet teologjike" të propozuara nga profesoresha Anna Rowlands. Pastaj, edhe u paraqitën katër dëshmi nga anëtarët e Asamblesë, të cilët bashkëndanë përvojën e Kishës së tyre lokale në lidhje me temat e modulit B1.

Dëgjimi i Popullit të Zotit

Gjatë kësaj pjese të dytë do të shqyrtohet e para nga tri çështjet, që dolën në pah në fazën konsultative, ajo e dëgjimit të Popullit të Zotit. E këtë duhet ta bëjmë së bashku, nënvizoi relatori i përgjithshëm i Sinodit, i cili shtroi pyetjet, që kërkojnë përgjigje në këtë fazë: “Si mund ta jetojmë thellësisht fenë në kulturën tonë, pa përjashtuar njerëzit e kulturave të tjera? Si mund të angazhohemi bashkë me gratë dhe burrat e traditave të tjera fetare në betejën për drejtësi, paqe dhe ekologji të gjithanshme?” Mbi këto pyetje do të konfrontohen pjesëmarrësit në Sinod, reflektimi i të cilëve, nënvizoi kardinali Hollerich, nuk duhet të marrë formën e një traktati teologjik a sociologjik.

Sot pasdite e nesër paradite, do të punohet në grupe të vogla, që nuk formohen më sipas gjuhës, por sipas tematikës. Mendohet se do të ketë tensione më shumë, vuri në dukje kardinali, por ato janë pjesë e procesit e nuk na trembin.

Duke lexuar kalendarin e Sinodit, janë dy pika të dokumentit Instrumentum Laboris që do të diskutohen këtë javë:

• B , përqendruar në pyetjen: “Si të jemi më plotësisht një shenjë dhe instrument i bashkimit me Zotin dhe i unitetit të familjes njerëzore?”

• B 2, ka si temë “Bashkëpërgjegjës e misionit” dhe si pyetje qendrore “Si të bashkëndajmë detyrat dhe dhuratat në shërbim të Ungjillit?

09 tetor 2023, 12:58