Kërko

Sinodi i Ipeshkvijve Sinodi i Ipeshkvijve

Sinodi, historia dhe fytyra e një institucioni

Historia e asamblesë së përgjithshme të ipeshkvijve, nga ideja fillestare e Papës shenjt Pali VI, rreth 60 vjet më parë, e deri tek konceptimi i ri sipas Papës Françeskut e asamblesë së ardhshme, që do të fillojë ditët e para të tetorit

R.SH. - Vatikan

Sinodi i Ipeshkvijve lindi në vitin 1965 me nismën e Papës shenjt Pali VI, i cili, në Motu Proprio-n “Apostolica sollicitudo”, e përkufizon atë si "një këshill të përhershëm ipeshkvijsh për Kishën universale". Kështu, ai vuri në jetë një nga kërkesat e Koncilit II të Vatikanit, bërë gati në përfundim të tij, kur u fol mbi kolegjialitetin. Që atëherë, Pali VI ishte i vetëdijshëm se Sinodi do të ndryshonte me kalimin e kohës. Vërtet, në Motu Proprio shkruan: "Si çdo institucion njerëzor, me kalimin e kohës ai mund të përsoset".

Sinodi u zhvillua me të njëjtin hap, me të cilin pranohej e zbatohej edhe Koncili, sidomos, këndvështrimi ekleziologjik i tij, ku e kanë bazën marrëdhëniet e Popullit të Zotit me kolegjin e ipeshkvijve dhe me Ipeshkvin e Romës. Edhe vetë Papa Françesku se vë në dukje këtë, duke reflektuar mbi përmasën themeltare sinodale të Kishës, me rastin e 50-vjetorit të Sinodit (2015): «Kisha sinodale është Kishë dëgjimi... një dëgjim i ndërsjellë në të cilin të gjithë kanë diçka për të mësuar. Populli i besimtarëve, Kolegji Ipeshkvnor, Ipeshkvi i Romës: njëri dëgjon tjetrin; dhe secili prej tyre dëgjon Shpirtin Shenjt".

 Në vitin 2018, kushtetuta apostolike “Episcopalis communio” vijon udhën e përsosjes së Sinodit: nga një ngjarje e caktuar në një ditë - një kuvend ipeshkvijsh, që trajtonte një çështjeje – ai shndërrohet në një proces të ndarë në faza të ndryshme, në të cilin ftohet e gjithë Kisha dhe të gjithë në Kishë. Mbi këtë bazë të përtërirë u konceptua procesi i Sinodit 2021-2024, i titulluar “Për një kishë sinodale. Bashkim, pjesëmarrje, mision”. Kjo shpjegon strukturën e tij, e cila është shumë më e ndërlikuar se ajo e sinodeve të mëparshëm.

Para së gjithash, u parashikua një fazë e gjatë konsultimi dhe dëgjimi me Popullin e Zotit në të gjitha Kishat e botës, në etapa të ndryshme: filloi në nivelin lokal (në famulli dhe në dioqezë) dhe më pas vazhdoi në nivelin e konferencave ipeshkvnore kombëtare, për të përfunduar me atë kontinentale. Në këtë proces, dëgjimi u bë mundësi takimi dhe dialogu, brenda Kishave vendore dhe ndërmjet tyre, sidomos brenda të njëjtit rajon, por edhe në nivelin e Kishës universale, falë Dokumentit Përgatitor dhe Dokumentit të Punës për fazën kontinentale, përgatitur nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit. Në veçanti i dyti u bazua në elementet e mbledhura nga dëgjimi i popullit të Zotit.

 Edhe dinamika kishtare në nivel kontinental, të cilën ky sinod e vlerëson fuqishëm, gjen frymëzim në Koncilin II të Vatikanit, sidomos në dekretin “Ad Gentes”, i cili në n. 22 thotë: «Është e dëshirueshme, për të mos thënë shumë e përshtatshme, që konferencat ipeshkvnore të mblidhen së bashku brenda çdo territori të gjerë shoqëroro-kulturor, që të realizojnë, në harmoni të plotë me njëra-tjetrën dhe me uniformitet vendimesh, këtë plan përshtatjeje”.

Faza e shoshitjes, detyrë e cila është kryesisht përgjegjësi e barinjve të Kishës, është bërë më e rëndësishme, pasi Asambleja XVI e Përgjithshme e Zakonshme e Sinodit të Ipeshkvijve do të mbahet në dy sesione, të distancuara në kohë për analiza më të thella e sidmos, për të pyetur sërish Popullin e Zotit. Kështu, asambleja sinodale e ruan tiparin e saj themelor ipeshkvnor, duke qenë se tre të katërtat e anëtarëve janë pikërisht ipeshkvij. Atyre u shtohen meshtarë e diakonë, besimtarë e rregulltarë, laikë e gra, të zgjedhur nga njerëz, që janë impenjuar më intensivisht në fazat e ndryshme të procesit sinodal. Detyra e tyre është pikërisht të sjellin dëshminë dhe pasurinë e këtij procesi në asamble, së cilës i takon shoshitja e çështjeve dhe marrja e vendimeve.

28 shtator 2023, 13:09