Kërko

Giovani durante una cerimonia in Piazza San Pietro con Papa Francesco  (Vatican Media) Giovani durante una cerimonia in Piazza San Pietro con Papa Francesco (Vatican Media)

Po afrohet vigjilja e lutjes ekumenike “Together”që do t'i paraprijë Sinodit

Pasditen e 30 shtatorit Papa do të jetë në Sheshin e Shën Pjetrit me Patriarkun Ekumenik Bartolomeu I, Kryeipeshkvin e Canterbury Welby dhe udhëheqës të tjerë kishtarë për t'u lutur për punën e Asamblesë së Sinodit që do të hapet më 4 tetor. Veprimtaria e organizuar nga Komuniteti Taizé në bashkëpunim me Dikasteret e Vatikanit dhe Vikariatin e Romës. Priten mijëra të rinj nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Afrika dhe Azia

R.SH. / Vatikan

Do të jenë mbi të gjitha fytyrat e tyre, fytyrat e vajzave dhe të djemve nga vendet e ndryshme të botës, "ikona" e vigjiljes parasinodale, që quhet " Together - Mbledhja e popullit të Zotit", e cila më 30 shtator do të hapë në mënyrë ideale sesioni mbi Sinodalitetin e Kishës në lutje, në program nga 4 deri më 29 tetor. Papa deshi që kjo ngjarje të ishte një moment ekumenik i reflektimit dhe lutjes drejtuar Shpirtit Shenjt për t'i paraprirë fillimit të Sinodit të Kishës Universale dhe fluksi i rreth 3 mijë njerëzve që priten në Romë për këtë ngjarje po përfshin, njofton Vikariati i dioqezës së Romës në një njoftim, mbi 80. famullitë kishtare dhe bashkësitë rregulltare të dioqezës së Romës.

Papa me krerët e komuniteteve të krishtera

Françesku do të mbërrijë në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 18:00 për të bashkëndarë lutjen me Patriarkun Ortodoks Ekumenik Bartolomeu, me Kryeipeshkvin e Canterbury-t Justin Welby dhe me shumë udhëheqës të tjerë kishtarë, së bashku me mijëra të krishterë të komuniteteve të ndryshme. Para mbërritjes së Françeskut, nga ora 17:00 deri në 18:00, do të mbahet një kremtim mirënjohjeje rreth katër dhuratave për të pranishmit në Sheshin e Vatikanit dhe për ata që do të ndjekin Vigjiljen e lutjes: mirënjohje për dhuratën e unitetit dhe për rrugën sinodale, për dhuratën e tjetrit, për dhuratën e paqes dhe për dhuratën e Krijimit. Programi që do të paraprijë lutjen e Vigjiljes do të transmetohet drejtpërdrejt nga Vatican Media, përmes kanalit të saj në YouTube, në 8 gjuhë.

Në Romë nga shumë vende

Vigjilja ka ndër organizatorët kryesorë Komunitetin e Taizés, në bashkëpunim me Sekretarinë e Sinodit të Ipeshkvijve, Dikasterin e Vatikanit për Nxitjen e Unitetit të Krishterëve, Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe vetë Vikariatin e dioqezës së Romës, i cili vlerëson një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të të rinjve dhe të përfaqësuesve të Kishave, veçanërisht nga Polonia (470), pastaj Franca (400), Spanja (280), Hungaria (220), por edhe nga Egjipti, Vietnami, Koreja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Italia. Sheshi i Shën Pjetrit do të jetë epiqendra e një sërë nismash të ngjashme në mbarë botën, si në lidhje me Vigjiljen e lutjes së 30 shtatorit ashtu edhe rreth asaj date. Deri më tani, janë programuar më shumë se 200, me të krishterë nga Kisha të ndryshme që bashkëndajnë lutjet dhe reflektimet në vendet e tyre përkatëse, por lista është duke u përditësuar.

Takime dhe tryeza të rrumbullakëta për të rinjtë

Në periudhën në të cilën Kishat kremtojnë Kohën e Krijimit, vetë Sheshi i Shën Pjetrit do të shndërrohet në një “kopsht”, plot pemë e lule, ku do të spikasë Kryqi i Shën Damjanit i Shën Françeskut të Asizit. Për mijëra të rinjtë e moshës 18 deri në 35 vjeç për të cilët po përgatit Roma, përveç Vigjiljes së lutjes, është planifikuar një program seminaresh dhe takimesh. Ato do të zhvillohen nga 29 shtatori deri më 1 tetor dhe do të përfshijnë një lutje lavdërimi dhe adhurimi në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë, në orët e para të pasdites të së shtunës. Temat e seminareve i kushtohen, ndër të tjera, dëgjimit të refugjatëve, përvojave të tyre, mësimit nga besimet dhe fetë e tjera, vizitës së punës së misioneve të qytetit me persona të margjinalizuar, njohjes së Krishtit në larminë dhe traditat e ndryshme, pjesëmarrjes në tryezat ekumenike, shqetësimi për Krijimin.

Projekti i Vigjiljes së lutjes

Ideja e tubimit të lutjes lindi, sipas një deklarate zyrtare, në tetor 2021, kur vëllai Alois, epror i komunitetit Taizé, u ftua të fliste në hapjen e procesit sinodal të Kishës Katolike. Ai deklaroi me atë rast se: “Përmes pagëzimit, ne jemi motra dhe vëllezër në Krishtin, të bashkuar në një bashkësi ende të papërsosur, por shumë reale, edhe kur pyetjet teologjike mbeten pa përgjigje. Një tubim i tillë - këtu në Romë dhe njëkohësisht kudo në botë - do të kishte në qendër një kremtim të thjeshtë të dëgjimit të Fjalës së Zotit, me një moment të gjatë heshtjeje dhe një ndërmjetësim për paqen". “Përgatitja - lexojmë më tej në njoftimin për shtyp - e Vigjiljes ishte një ushtrim i vërtetë i sinodalitetit, me dëshirën për të përfshirë që në fillim shumë partnerë kishtarë: më shumë se pesëdhjetë, me origjinë të ndryshme konfesionale, të cilët punuan së bashku në bashkëpunim të ngushtë me Sekretarinë e Sinodit të Romës, Dikasterin e Vatikanit për Nxitjen e Unitetit të Krishterë, Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën dhe Vikariatin e Romës”.

Welby: një takim që mund të frymëzojë ndryshimin

Kryeipeshkvi ii Canterbury-t, Justin Welby, i cili gjithashtu do të jetë i pranishëm, tha për ngjarjen "Together": "Ne nuk duhet të nënvlerësojmë ndikimin që mund të kemi si të krishterë në pjesën tjetër të botës, sepse është një ndikim i dhënë nga Shpirti Shenjt. Si një shenjë e dukshme e unitetit, kjo vigjilje ekumenike e lutjes është një mundësi për të gjithë ne që të bashkohemi dhe të frymëzojmë ndryshimin. Shpresoj se ""Together" - Mbledhja e popullit të Zotit" do të jetë një përvojë frymëzuese për të gjithë ata që marrin pjesë." Sekretarja e përgjithshme e Federatës Botërore Luterane, Rev. Anne Burghardt, tha në një intervistë: “Dëshiroj të shpreh gëzimin tim të thellë për këtë iniciativë, sepse iniciativat si kjo, të cilat bashkojnë të rinjtë nga e gjithë bota në dialog, janë thjesht të mrekullueshme kur bëhet fjalë për promovimin e unitetit të krishterë.”



26 shtator 2023, 10:21