Kërko

Papa Françesku në Mongoli Papa Françesku në Mongoli
Editorial

Një pëshpëritje, në heshtjen e stepës…

Misioni i Kishës në fjalët që Françesku u drejtoi katolikëve të Mongolisë

ANDREA TORNIELLI

Në fjalët që Papa Françesku i drejtoi Kishës së Mongolisë, të vogël në numër, por të madhe në bamirësi, ka ide të çmuara, të dobishme shumë përtej kufijve të kësaj toke ku shikimi humbet në horizontin e stepave. Kësaj Kishe ende të sapolindur, Pasardhësi i Pjetrit i kujtoi kuptimin e misionit, që do të thotë “të shkrish jetën për Ungjillin”. Kujtoi edhe se, pikërisht ngaqë “provohet në jetë butësia e dashurisë së Zotit”, atij Zot, që u bë i dukshëm, i prekshëm, i takueshëm në Jezusin", lajm i mirë  që u përket të gjithë popujve, Kisha "nuk mund të mos e përhapë këtë lajm duke e mishëruar në jetë” e duke e “pëshpëritur” ëmbëlsisht në zemrën e individëve dhe kulturave.

Posaçërisht prekëse, figura e "pëshpëritjes në zemër"! Krishterimi nuk u përhap me beteja a shpallje potermëdha kulturore; as - nga ana tjetër - përmes ujdisë me fenë borgjeze, të përbërë nga rite, tradita dhe jetesë të qetë, të denoncuar nga Charles Peguy. Është kumtim për t’u dëshmuar para së gjithash me jetë, e për t’u pëshpëritur kështu në zemrat e njerëzve dhe të kulturave. Folja "për ta pëshpëritur" na kujton fragmentin nga Libri i Parë i Mbretërve, ku Zoti nuk i shfaqet profetit Elia në tërmet, as zjarr, por në "murmuritjen e një ere të lehtë".

Vetëm jehona e dëshmisë mund të tërheqë vërtet. Nuk është rastësi që Friedrich Nietzsche i qortoi kështu të krishterët e kohës së tij: "Për fenë tuaj, fytyrat tuaja kanë qenë gjithnjë më të dëmshme se arsyet tona!".

Rruga e privilegjuar e dëshmisë, siç shihet e mishëruar në realitetin e Kishës së vogël të Mongolisë, është bamirësia. Françesku i ftoi katolikët e këtij vendi të jenë përherë të lidhur me fytyrën e Jezusit, për t’u kthyer gjithmonë e përsëri tek shikimi i zanafillës, nga i cili lindi gjithçka. Sepse, përndryshe, edhe angazhimi baritor “rrezikon të bëhet kryerje sterile e shërbimeve, e një sërë veprimesh të detyruara, të cilat, në fund të fundit, nuk arrijnë të transmetojnë më gjë prej gjëje”.

Më pas Papa nënvizoi se Nazarenasi, duke i nisur njerëzit e tij në  mision, nuk i dërgoi "për të përhapur ndonjë mendim politik, por për ta dëshmuar me jetën e tyre risinë e marrëdhënies me Atin e tij, i cili u bë ‘Ati ynë’, duke krijuar, kështu, frymën e vëllazërisë konkrete me çdo popull”. Kisha, e lindur nga ky mandat, është e varfër, nuk mbështetet në burimet, strukturat dhe privilegjet e veta, nuk ka nevojë për patericën e pushtetit, por "mbështetet vetëm në fenë e vërtetë, në fuqinë e çarmatosur dhe çarmatosëse të të Ngjallurit, e aftë për të zbutur vuajtjet e njerëzimit të plagosur”. Kjo është arsyeja pse, shtoi Françesku, “qeveritë dhe institucionet laike nuk kanë pse të frikësohen nga veprimi ungjillëzues i Kishës, sepse ajo nuk ka plane politike për të ndjekur, por njeh vetëm fuqinë e përvuajtur të hirit të Zotit dhe Fjalën e mëshirës e të vërtetësisë, e aftë për të punuar në dobi të të gjithëve”.

Fjalë kuptimplote jo vetëm për një vend si Mongolia, ku respekti për fetë e ndryshme ka traditë shekullore, por edhe për “fqinjët” e saj të mëdhenj.

02 shtator 2023, 14:40