Kërko

Lutja Together Lutja Together

Lutja “Together”, fr. Matthew i Taizé: sinodaliteti dhe ekumenizmi nuk janë të ndarë

Eprori i ardhshëm i bashkësisë ekumenike flet mbi Vigjiljen parasinodale të lutjes, e cila do të kremtohet sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e Papës dhe të krerëve të emërtimeve të ndryshme të krishtera: lutja i ka paraprirë gjithmonë çasteve të rëndësishme në Kishë, kur është e nevojshme ndihma e Shpirtit Shenjt në procesin e shoshitjes

R.SH. – Vatikan

Një lutje intensive ekumenike për Sinodin, që do të nisë punimet më 4 tetor, në Vatikan. Ky është synimi i Vigjiljes “Together - Mbledhja e Popullit të Zotit”, që do të mbahet në orën 18.00, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku do të jenë të pranishëm mijëra njerëz nga shumë vende të botës, që u përkasin të gjitha emërtimeve të krishtera. Lutja, në praninë e Papës Françesku, do të gjallërohet edhe nga shumë të rinj të moshës 18-35 vjeç, të cilët mbërritën në Romë të premten e po jetojnë këto ditë në 80 famulli të dioqezës së kryeqytetit italian.

Ftesa e Papës

“Është shumë bukur që sot, Ati i Shenjtë i fton të krishterët e emërtimeve të tjera të luten për Kishën Katolike”, pohon frère Matthew nga Taizé, bashkësia ekumenike, që ndihmoi në organizimin e vigjiljes, bashkësi e mirënjohur nga besimtarët shqiptarë, sidomos nga të rinjtë, që çdo vit shkojnë në këtë vend në jug të Francës, për një përvojë lutjeje njëjavore. Ngjarje e rëndësishme, nënvizon frère Matthew, i cili më 3 dhjetor do të marrë në dorë drejtimin e bashkësisë së Taizé-së, një anglikan pas katolikut frère Alois. “Sot pasdite – sqaron më tej ai – aty do të jenë edhe pjesëmarrësit në Sinod dhe lutja do të përkojë me fillimin e ushtrimeve të tyre shpirtërore, që do të zgjasin tri ditë”.

Dëgjo frère Matthew...

Në lidhje me Sinodin

Ka një lidhje të ngushtë ndërmjet kësaj mbrëmjeje lutjeje dhe punimeve të Sinodit. Para së gjithash, sepse lutjet nuk do të bëhen vetëm në sheshin e Shën Pjetrit: "por - shpjegon frère Matthew - në bashkim me Romën, do të zhvillohen edhe 220 lutje të tjera, në po aq vende të botës, në të cilat do të marrin pjesë të rinj të krishterë nga Kisha të ndryshme”. Një mënyrë për t'i përfshirë drejtpërdrejt këta djem dhe vajza në procesin sinodal, siguron frère Matthew, "sepse sinodaliteti dhe ekumenizmi ecin së bashku, nuk mund të ndahen".

Programi

Sheshi i Shën Pjetrit do të jetë i hapur për pjesëmarrësit, duke filluar nga ora 15.00. Më vonë, pas mbërritjes së Papës Françesku së bashku me dymbëdhjetë krerët e emërtimeve të tjera të krishtera, do të ketë katër lutje falënderimi për dhuratat, që Zoti i jep njerëzimit. Më pas, në orën 18.00, vigjilja do të fillojë me lutjen e lashtë Adsumus Sancte Spiritus të lexuar nga Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, "lutje - kujton frère Matthew – që thuhet gjithnjë në fillim të koncileve ekumenike, ose të sinodeve të rëndësishme, aty ku ka nevojë për shoshitje të thellë”.

30 shtator 2023, 14:56