Kërko

Dhimbja e lëmoshtarit të Papës pas sulmit në magazinën e Caritasit në Lviv

Lëmoshtar i Papës është kthyer në vendin Ukrainë për një mision të ri humanitar dhe për të inauguruar një shtëpi strehë për gratë dhe fëmijët. Kard Krajewski thotë se është thellësisht i prekur nga sulmi, i cili ndodhi në Lviv, kundër një strukture të Caritas-it, e cila në disa raste mbledh materialet e dërguara nga Françesku për popullsinë e prekur nga lufta.

R.SH. / Vatikan

Në këto ditë kardinali Konrad Krajewski është sërish në Ukrainë për t’i sjellur ngushëllimet dhe mbështetjen e Papës popullatës së stërmunduar nga lufta dhe për të inauguruar një shtëpi strehë për gratë dhe fëmijët. Kështu njofton Zyra e Lëmoshtarisë a Bamirësisë Apostolike. Kjo shtëpi është ndërtuar gjatë konfliktit, për ndihmuar shumë njerëz që kanë ikur nga vendet e bombarduara, por duke mos dashur të largoheshin nga vendi u përpoqën të kërkonin strehim në Lviv; donatorë të ndryshëm kontribuuan për ndërtimin e këtij vend strehimi, duke përfshirë ndihmën e veçantë të Papës, nëpërmjet Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Caritasit.

Në të vend do të gjejnë strehim, në dhoma të përgatitura në mënyrë adekuate, nënat e vetme me fëmijët e tyre dhe gratë e pastreha. Në kuadër të kësaj strukture është siguruar edhe një mensë për të varfërit, për t'u dhënë atyre një vakt të ngrohtë dhe një vend mikpritjeje. “Casa del Riparo” (Shtëpia e Strehimit) do të drejtohet nga Motrat rregulltare Albertine, të cilat do të kujdeset për gjithçka.

Lidhur me atë që ndodhi në Lviv me sulmin ndaj depos së Caritas - Spes, një strukturë e përdorur disa herë si depozitim i materialit të dërguar nga Papa Françesku popullsisë ukrainase si gjeneratorët e energjisë për zonat më të izoluara për shkak të konfliktit, Kardinali Krajewski tha: “ndjej dhimbje për atë që ndodhi Lviv me sulmin në depon e Caritas - Spes. Kjo është goditur për të shkatërruar mundësinë e ndihmës së njerëzve që vuajnë".

Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme, Lëmoshtari i Papës kard. Krajewski do të përurojë “Casa del Riparo” (Shtëpia e Strehimit) në emër të Papës Françeskut, “si shenjë ndihme dhe afërsie me njerëzit e shumtë që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit, duke sjellë Bekimin Apostolik”, thuhet në njoftim të Zyrës së Lëmoshtarisë Apostolike.
Me këtë rast, kard. Krajewski këtë javë do të vizitojë edhe komunitetet e ndryshme të cilët strehojnë refugjatët, për t’i falënderuar të gjithë vullnetarët dhe të gjithë ata që ndihmojnë popullatën e vuajtur dhe në nevojë, larg shtëpisë së tyre.

20 shtator 2023, 13:20