Kërko

Kardinali Christoph Schönborn Kardinali Christoph Schönborn

Kardinali Schonborn: “Sinodaliteti është mënyra për ta jetuar bashkimin në Kishë”

Mediat e Vatikanit, në bisedë me kryeipeshkvin e Vjenës, kardinalin Christoph Schonborn, për sinodin, që do të nisë në tetor, në Vatikan

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

“Sinodaliteti është mënyra për ta jetuar bashkimin kishtar, është pjesëmarrje në çështjet dhe vendimet qeverisëse përsa u përket aspekteve të jetës së Kishës. Sinodi, faza e fundit e të cilit do të nisë në tetor në Vatikan, ka si bazë mënyrën ungjillore për ta jetuar bashkimin kishtar, udhëtimin e përbashkët të gjithë anëtarëve të popullit të Zotit". Me këto fjalë, në një intervistë për mediat e Vatikanit, kardinali Christoph Schönborn, kryeipeshkëv i Vjenës, përmbledh pikat kryesore të asamblesë së ardhshme sinodale, duke vënë në dukje lidhjen e sinodit, që po përjeton Kisha, me atë të vitit 1985 kushtuar bashkimit kishtar. Një nënvizim, për të treguar se bashkimi dhe përpjekja për unitet – “ut unum sint” – vijnë para qëndrimeve të ndryshme individuale, me urimin se uniteti do të përcaktojë edhe mënyrën për t’i paraqitur e për t’i diskutuar këto ndryshime.

 Hirësi, po fillon etapa e fundit e sinodit për sinodalitetin: ç’prisni nga kjo punë e përbashkët?

 Shumë gjëra mund të ndodhin në këtë sinod, nuk e dimë. Papa Françesku na ka drejtuar në një rrugë mjaft unike, drejt dëgjimit dhe shoshitjes. Janë gjëra që duhen bërë gjithmonë, janë gjëra elementare për jetën e Kishës, por Papa e ka theksuar më qartë çështjen e shoshitjes: çfarë na tregon Zoti? Çfarë dëshiron për ne sot, për Kishën? Prandaj, sinodi është përpjekje për t’u thelluar, për të mësuar, për të eksperimentuar këtë udhë shqyrtimi.

Në Kishën e Vjenës, ju e keni provuar metodën e përfshirjes së gjithë Popullit të Zotit në asambletë dioqezane, një rrugë që niset nga Veprat e Apostujve, të cilët e diskutonin së bashku çdo problem. Kjo është edhe ideja, që e zhvilloi më pas Papa Françesku, duke thirrur “Sinodin mbi sinodalitetin”. Vetëm se duket pak si një titull teknik, disi larg njerëzve. Ç’mendoni për këtë?

Kam marrë pjesë në sinodin e 1985-ës, jo si ipeshkëv, por si teolog. Kam qenë një nga teologët, që bashkëpunuan me këtë sinod, i cili u mbajt njëzet vjet pas mbylljes së Koncilit II të Vatikanit e tema ishte bashkimi, “communio”, fjalë themelore konciliare. Edhe ai sinod nuk kishte ndonjë temë specifike, por theksonte këtë karakteristikë të jetës kishtare: bashkimin. Sinodi për sinodalitetin është diçka e ngjashme. Sinodaliteti është shumë i thjeshtë: është mënyra më të cilën vepron bashkimi kishtar, pjesëmarrja në çështjet dhe vendimet qeverisëse përsa u përket aspekteve të jetës së Kishës. Sinodi për sinodalitetin ka të bëjë me mënyrën e përjetimit të Ungjillit, të bashkimit kishtar, duke ecur së bashku si Popull i Zotit. Sigurisht, mund të thuhet se shumica e sinodeve pas vitit 1965 kanë pasur një temë më specifike: për shembull, pendesën, ose familjen, siç e patën në vitet 2014-2015. Por, mendoj se kjo temë e sinodalitetit është hap i mëtejshëm në zbatimin e Koncilit II të Vatikanit: bashkimi dhe mënyra me të cilën vepron ky bashkim, pra, sinodaliteti. Nuk duhet të harrojmë se ky rrugëtim i përbashkët me sinodalitet nuk është tipar i botës bashkëkohore, ndodh edhe në histori. Prandaj, sinodalitet do të thotë edhe të kujtojmë udhëtimin e atyre, që na paraprinë në fe.

Papa Françesku nënvizon se sinodi është lutje, dëgjim i Shpirtit Shenjt, dëgjim i njëri-tjetrit dhe shoshitje. E, është ndryshe nga punimet e parlamentit, - pavarësisht se të vlefshme - të cilat, gjithsesi, i nënshtrohen logjikës së pakicës e shumicës…

Ju thatë se puna e parlamentit është diçka e vlefshme, pozitive. U jemi mirënjohës të gjitha vendeve që kanë një parlament, një parlament të vërtetë, një demokraci parlamentare. Do të doja të shtoja diçka. Natyrisht, parlamenti nuk i lutet mirëfilli Shpirtit Shenjt: në disa parlamente ka traditë lutjeje, janë të rrallë, por ekzistojnë. Megjithatë, kam parasysh atë fjalim të mrekullueshëm të Papës Benedikti XVI në parlamentin e Londrës, ku dëshmoi se edhe në demokracinë parlamentare nevojitet shoshitja... Pati folur për ndërgjegjen e Thomas Moore, të cilit iu desh të mbante një qëndrim të kundërt me mbretin, por pati folur edhe për vendimin e parlamentit të Londrës për zhdukjen e skllavërisë, ndërgjegjësim se skllavëria është në kundërshtim me dinjitetin njerëzor. Pra, parlamenti mund të jetë pozitiv e megjithatë, sinodi sigurisht nuk është parlament. Jeta në Kishë është gjithmonë në kërkim të unanimitetit, jo në kuptimin parlamentar, ose që të gjithë të votojnë në të njëjtën mënyrë - siç ndodh në diktatura apo komunizëm - por si prirje drejt unitetit. Është dëgjimi i zërit të Shpirtit Shenjt, që e kërkon të vërtetën, e kërkon të mirën deri gati në arritjen e unanimitetit. Të mos harrojmë edhe se sinodi është konsultativ, nuk është organ ligjvënës. Shërben për të dëgjuar së bashku zërin e Shpirtit Shenjt. Për këtë arsye, Papa deshi disa etapa, si rrugë drejt një unanimiteti, që duhet të jetë gjithmonë “ut sint cor unum et anima una”, siç thuhet për Kishën primitive: ishin të një zemre dhe të një shpirti. Kjo harmoni është shenja e Shpirtit Shenjt.

Ç’do të thotë konkretisht, “të dëgjojmë zërin e Shpirtit Shenjt”?

Papa na ka mësuar - dhe tashmë e zbatojmë frytshëm - metodën e bisedës shpirtërore. Ç’është ajo? Është ta dëgjojmë tjetrin me respekt, ta pranojmë, për të arritur në një gjykim, që na bën të kuptojmë cili është vullneti i Zotit. Si e dimë se e kemi bërë si duhet shoshitjen, para marrjes së vendimeve? Ky është sigurisht arti i mbarështimit të Papës, por edhe i harmonisë së sinodit, të anëtarëve të sinodit. Prandaj, mendoj se do të jetojmë një përvojë të fortë kishtare. E metoda e përfshirjes së një numri të madh besimtarësh e, edhe njerëzish, që janë larguar nga Kisha, është e rëndësishme për shoshitjen sinodale. Për herë të parë, kemi një numër të madh laikësh, që janë anëtarë zyrtarë të Sinodit, pavarësisht se edhe më parë kanë marrë pjesë në sinode ekspertë e dëgjues, gra e burra. Do të kemi edhe delegatët nga Kishat simotra. Të gjithë këta, në ndryshim nga më parë, kanë të drejtën e votës, por nuk ndryshon thelbi i sinodit të themeluar 55 vite më parë nga Papa shenjt Pali VI, si përvojë pas Koncilit II të Vatikanit.

Pasojë e kësaj pjesëmarrje të gjerë ishte përfshirja në Instrumentum laboris sinodale e shumë temave, që janë diskutuar me dekada. Për shembull, kërkesa për reforma të veçanta, që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen më të madhe të laikëve dhe të grave në jetën e Kishës, ose rishikimi i disa çështjeve, që lidhen me teologjinë morale. Sa mund të peshojnë këto tema në Sinod?

Nuk e di, të shohim. Ajo, që kuptoj unë, është se sinodet kontinentale dhe konferencat e shumta ipeshkvnore në botë, sigurisht, ngulin këmbë për pjesëmarrjen e laikëve në jetën e Kishës. Kjo është edhe temë qendrore e Koncilit II të Vatikanit. Nga ana tjetër, Papa shenjt Gjoni XXIII pati thënë se tema e gruas në jetën e Kishës është shenjë e kohës, prandaj, sigurisht që do të jetë e pranishme. Megjithatë, unë jam pak skeptik për faktin se temat e debatuara shumë, veçanërisht në botën e shekullarizuar perëndimore, janë kaq qendrore për gjithë Kishën. Po ju jap një shembull. Në sinodin e Amazonës pati presion nga grupe të caktuara për të marrë një vendim mbi të ashtuquajturit “viri probati”, pra, mbi shugurimin meshtarak të burrave të martuar. Por, disa pyetën: si është e mundur që në SHBA-të dhe në Kanada jetojnë rreth 1200 priftërinj nga Kolumbia, vend që ka shumë thirrje në meshtarì? Pse njëqind apo dyqind prej tyre nuk shkojnë në Amazonë? Do të zgjidhej problemi i mungesës së meshtarëve. Mendoj se nganjëherë na duhet pak më shumë shoshitje e ndershmëri për të shqyrtuar çështje, që duken të ndërlikuara.

Shekullarizimi ecën përpara në shoqëritë perëndimore, transmetimi i fesë, që më parë bëhej nga familja, duket sikur është ndërprerë. Si ta kumtojmë Ungjillin në këtë kuadër? Si mund të ndihmojë për këtë Sinodi i ardhshëm?

E thatë, transmetimi i fesë bëhej nga familja. Nëse kjo nuk ndodh në familje, transmetimi i fesë nuk është i pamundur, por është shumë më i vështirë. Për këtë arsye, sinodi i dyfishtë i viteve 2014-15 për familjen ishte shumë i rëndësishëm për transmetimin e fesë. Mendoj se transmetimi i fesë ndodh, sepse është vepër e Zotit, i cili fton, vepron në zemrat e njerëzve, tërheq, siç thoshte Jezu Krishti: "Kur të jem lartuar nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë". Kjo tërheqje është aktive në mbarë botën, por ka nevojë për njerëz, që ndihmojnë për ta kuptuar thirrjen, këtë vepër të Zotit. Natyrisht, shekullarizimi është sfidë e madhe. Por, po kujtoj sërish Benediktin XVI, i cili thotë gjëra mahnitëse për shoqërinë e laicizuar. Mbaj mend që kur shkoi në Çeki, vend shumë i laicizuar, tha: këtu ka mundësi të reja që Shpirti Shenjt të veprojë, të dikojë. Pra, shekullarizimi nuk është vetëm problem, por ka edhe anë pozitive, sepse ngre drejtpërdrejt pyetje ekzistenciale personale. E kështu, Zoti vepron. Ky është Ungjilli: është forcë jetësore, e frymëzon jetën. Prandaj, kam besim se ky sinod, me gjithë kritikat që i bëhen, do të jetë një hap për të çuar përpara bashkimin e Kishës.

19 shtator 2023, 14:04