Kërko

Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin (Roma, 5/9/2023) Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin (Roma, 5/9/2023)

Kardinali Parolin, ipeshkvijve ukrainas: në luftë, Kisha është bamirësi e guxim

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin foli dje në Sinodin e Kishës Greko-Katolike, që po mbahet në Romë, duke njoftuar një takim me përfaqësues të bashkësive kishtare lokale për çështje që lidhen me konfliktin

R.SH. – Vatikan

Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, foli dje, më 5 shtator, në mbledhjen vjetore të Sinodit të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, që po mbahet në Romë. Kardinali siguroi afërsinë e Selisë së Shenjtë dhe atë personale të Papës, duke kujtuar thirrjet e tij për vendin e martirizuar nga lufta (që filluan menjëherë pas 24 shkurtit 2022), letrën e 24 nëntorit 2022, "veprimtarinë e jashtëzakonshme" që nga "nisja e konfliktit”, ndihmën humanitare dërguar në Kiev, në emër të Papës, nga Lëmoshtari Apostolik, kardinali Konrad Krajewski. "Përballë gjesteve të tilla të përsëritura e kuptimplote - nënvizoi ai - do të ishte e padrejtë të dyshonim për dashurinë e tij ndaj popullit ukrainas dhe për përpjekjet, jo gjithmonë të kuptuara e të vlerësuara, që të kontribuojë për t’i dhënë fund kësaj tragjedie dhe për të siguruar një paqe të drejtë e të qëndrueshme përmes bisedimeve”.

Takimi me Kishën e Ukrainës

 Jo më pak vëmendje, theksoi kardinali Parolin, i ka kushtuar Ukrainës edhe Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, që është marrë me çështjen e “shkëmbimit të të burgosurve, me riatdhesimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia", por edhe me "marrëveshjen për eksportin e grurit, me aspektet humanitare të planit të paqes, propozuar nga autoritetet ukrainase”. Lidhur me këtë, kardinali njoftoi se së shpejti, duke pranuar propozimin e kryeipeshkvit të Kiev-Halyč, imzot Sviatoslav Shevchuk, në kuadrin e Komisionit të përhershëm ndërdikasterial për Kishën në Evropën Lindore, "do të takohemi me përfaqësuesit e kësaj Kishe sui juris dhe me atë të ritit latin, si edhe me disa ekspertë, për t’u thelluar në çështjet e luftës dhe të zanafillës së saj, duke pasur parasysh se lufta është gjithmonë një e keqe, prandaj, edhe kur i përgjigjet së drejtës për vetëmbrojtje, detyra jonë si të krishterë dhe barinj të Kishës është t'i kufizojmë sa më shumë pasojat e saj, me fjalë e veprime”.

"Si të jesh Kishë" në realitetin e luftës

Kardinali Parolin nënvizoi më pas "si të jesh Kishë" në një realitet dramatik si ai i luftës së vazhdueshme në Ukrainë. Përgjigjja, pohoi ai, gjendet në veprat e bamirësisë, në afërsinë me të vuajturit, në solidaritetin me nevojtarët. Kardinali kujtoi se nga famullitë dhe nga bashkësitë greko-katolike ukrainase në mbarë botën janë dërguar ndihma humanitare, ushqime, veshje dhe ilaçe. Ndërmjet tyre, vuri në dukje ai, "spikat bashkësia e Shën Sofisë në Romë, nga ku janë nisur më se njëqind kamionë, të destinuar sidomos për banorët e rajoneve të Kharkiv-it dhe të Kherson-it". Karitasi i Ukrainës ka kontribuar në mënyrë të veçantë në këtë mision, së bashku me Caritas Spes, "punonjësit e të cilit nuk e kanë kursyer veten, duke rrezikuar edhe jetën".

Ipeshkvijtë dhe meshtarët qëndruan me grigjën e krishterë

Një tjetër element i rëndësishëm është se “ipeshkvijtë dhe meshtarët qëndruan me grigjën e krishterë në zonat e pushtuara”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi dy redemptoristët e Berdianskut, Át Ivan Levitskyi dhe Át Bogdan Heleta, për të cilët nuk dihet asgjë që pas arrestimit të tyre, në nëntor 2022. Nuk ka dyshim, shtoi kardinali Parolin, se Selia e Shenjtë "është e shqetësuar për fatin e tyre dhe nuk e humbet rastin për të kërkuar lajme dhe mundësisht, për të arritur lirimin e tyre”.

Të mos i bëhet vend urrejtjes

Nga ana tjetër, vuri në dukje kardinali, Kisha greko-katolike i ka kushtuar vëmendje edhe “ushtarëve të impenjuar në mbrojtjen e atdheut”. Përballë kërcënimit kundër "vetë ekzistencës së popullit ukrainas - pohoi ai - ju i keni mbështetur ata shpirtërisht me lutje dhe i keni mësuar se, ashtu siç mbrojnë sovranitetin dhe lirinë e territorit kombëtar, duhet të mbrojnë edhe zemrat që të mos i bëjnë vend urrejtjes, pre e së cilës mund të bien lehtë, në praninë e kaq shumë mizorive”. Kjo është, në fakt, "beteja më e rëndësishme e të krishterëve", nënvizoi kardinali Parolin. E "fitorja e vërtetë mund të jetë një dhe e vetme", siç shkruajnë vetë ipeshkvijtë ukrainas në mesazhin e Sinodit të kaluar, me temë “Munde të keqen me të mirë”. Aty, ata sigurojnë: "Do të fitojmë përfundimisht vetëm nëse do të vazhdojmë të duam".

06 shtator 2023, 15:29