Kërko

Kardinali Grech Kardinali Grech

Kardinali Grech ipeshkvijve: lutuni për Sinodin

Letër e Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit për ipeshkvijtë e gjithë botës. Prelati uron që “nga e gjithë Kisha t’i lartohet Zotit një lutje e pandërprerë për Atin e Shenjtë dhe për gjithë anëtarët e Asamblesë Sinodale. Prandaj, - u shkruan ai ipeshkvijve - ju kërkoj të luteni për Sinodin dhe ta nxisni çdo bashkësi të krishterë në Kishën tuaj të veçantë, veçanërisht bashkësitë murgare, që të luten së bashku, pa pushim”

R.SH. – Vatikan

“Sinodi është para së gjithash ngjarje lutjeje dhe dëgjimi, që përfshin jo vetëm anëtarët e Asamblesë Sinodale, por çdo të pagëzuar, çdo Kishë të veçantë. Në fakt, të gjithë jemi të thirrur të bashkohemi në lutje dhe t’i kërkojmë me këmbëngulje Shpirtit Shenjt të na udhëheqë që ta shqyrtojmë mirë ç’dëshiron Zoti nga Kisha e tij sot”. Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, u shkruan kështu ipeshkvijve të gjithë botës, në prag të hapjes së Asamblesë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme sinodale.

Prelati uron që “nga e gjithë Kisha t’i lartohet Zotit një lutje e pandërprerë për Atin e Shenjtë dhe për gjithë anëtarët e Asamblesë Sinodale. Prandaj, - u shkruan ai ipeshkvijve në letër - ju kërkoj të luteni për Sinodin dhe ta nxisni çdo bashkësi të krishterë në Kishën tuaj të veçantë, veçanërisht bashkësitë murgare, që të luten së bashku, pa pushim. Lutja është një nga format e pjesëmarrjes së çdo ipeshkvi në veprimtarinë kolegjiale dhe shenjë e qartë e shqetësimit të tij për Kishën universale”.

 “Lutja – kujton kardinali Grech – është dëgjim. Hapi i parë i lutjes është dëgjimi i Fjalës së Hyjit, dëgjimi i Shpirtit Shenjt. Prandaj, kontributi i parë i çdo të pagëzuari në zhvillimin e Asamblesë Sinodale do të jetë dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe të Shpirtit Shenjt”.

“Veçoria e dytë e lutjes është adhurimi. Ndërsa, fytyra e tretë e saj është ndërmjetësimi. Të ndërmjetësojmë do të thotë të marrim përsipër përgjegjësinë, të deklarojmë pjesëmarrjen tonë përpara Zotit”, shton kardinali maltez.

Së fundi, – thekson ai – “lutja është falënderim. Lutja e falënderimit është terapi e vërtetë për të na bërë të kalojmë nga mbyllja në vetvete drejt hapjes, drejt zbulimit të gjithçkaje, që Zoti vazhdon ta dikojë në Kishën e vet”.

15 shtator 2023, 15:39