Kërko

Imzot Gallagher: të rindërtohet besimi midis kombeve që është shkatërruar nga luftërat

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet e Organizatat Ndërkombëtare imzot Gallagher në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, foli për mënyrën se si bota sot është pre e konflikteve, ringjalljeve nacionaliste, rrezikut të përfaqësuar nga zotërimi i armëve bërthamore dhe nga format gjithnjë e më dramatike të padrejtësisë dhe persekutimit fetar: OKB-ja duhet të kthehet në origjinë dhe mbështesë "koordinimin midis shteteve për të arritur qëllime vërtet të përbashkëta

R.SH. / Vatikan

Në një kohë kur "shkatërrimi i besimit ndërmjet kombeve" ka çuar në "rritje të numrit dhe ashpërsisë së konflikteve e luftërave", ne duhet "të fillojmë të rindërtojmë besimin për të rivendosur stabilitetin, paqen dhe hapur udhën një prosperiteti global". Kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, ndërhyni në debatin e Javës së Nivelit të Lartë në hapjen e sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dje më 26 shtator, në Nju Jork, duke përshkuar, me një fjalim intensiv, krizat që po dëmtojnë sot njerëzimin, nga luftërat, si ajo në Ukrainë, ose në Siri, ose në Sudan, te krizat mjedisore, te pasojat e nacionalizmit dhe ekstremizmit.

Përfaqësuesi i Vatikanit foli për "kolonizimin ideologjik" të denoncuar disa herë nga Papa Françesku, i cili me kalimin e kohës ka karakterizuar takimet ndërkombëtare të nivelit të lartë, ku ndeshet një tendencë nga ana e shteteve individuale për të "imponuar idetë dhe axhendën e tyre" dhe ku "vendet më të pasura e më të fuqishme përpiqen të imponojnë vizionin e tyre për botën mbi vendet më të varfra, duke promovuar vlera kulturore që janë të huaja për këto vende", ku sundimi i ligjit nganjëherë duket se zëvendësohet nga ligji i më të fortëve.

Imzot Gallagher bëri thirrje për të ndjekur udhën e dëgjimit e dialogut, për të zgjidhur konfliktet dhe për të zvogëluar vuajtjet e njerëzimit. Heshtja ose përjashtimi i atyre që nuk pajtohen këtë shteg, shpjegoi prelati, minon "vetë natyrën e forumeve globale shumëpalëshe, të cilat duhet të vazhdojnë të korrespondojnë me thirrjen e tyre parësore si vende të takimit dhe dialogut autentik ndërmjet shteteve po aq sovrane".

Kombet e Bashkuara të kthehen në origjinën e tyre

Dialogu, përgjegjësia e përbashkët dhe bashkëpunimi janë tre fjalët kyçe që paraqiti Imzot Gallagher për të arritur deri te "multilateralizmi efektiv", e gjithmonë në emër të solidaritetit global "i cili shprehet konkretisht në ndihmën e atyre që vuajnë", me pushtetarët që janë të gatshëm të "lënë mënjanë" kërkesat , pritshmëritë dhe dëshirat e tyre për sovranitet apo plotfuqi përballë pamjes konkrete të më të brishtëve”. Çdërdo reforme e Kombeve të Bashkuara, nënvizoi imzot Gallagher, “nuk duhet të bazohet kryesisht në shumëfishimin e takimeve, fjalimeve, strukturave apo institucioneve, por në bërjen e asaj që tashmë ekziston më me efikasitet dhe në përputhje me epokën që po jetojmë”. OKB-ja, thuhet, duhet të "kthehet në origjinë", domethënë të rifillojë "koordinimin ndërmjet shteteve për të arritur qëllime vërtet të përbashkëta".



27 shtator 2023, 14:32