Kërko

Impenjimi për mbrojtjen e Krijimit në asamblenë e përgjithshme të Sinodit

Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit jep kontributin e saj për kujdesin ndaj gjithësisë së krijuar nga Zoti, përmes një forme kompensimi për emetimet CO2, që do të prodhohen nga asambleja e ardhshme, në tetor

R.SH. – Vatikan

Në prag të publikimit të një pjesë të re të enciklikës ekologjike të Papës Françesku, “Laudato si'”, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit dëshiron të japë kontributin e saj në mbrojtjen e gjithësisë së krijuar nga Zoti, përmes një forme kompensimi për emetimet CO2, që do të prodhohen nga Asambleja XVI e Përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve, e cila do të fillojë në tetor. Nëpërmjet mbështetjes ekonomike të Fondacionit SOS Planet dhe kontributit teknik të LifeGate, eksperimentuar edhe më parë me rastin e Asamblesë Sinodale 2019, një pjesë e emetimeve të CO2 do të kompensohen falë projekteve, në gjendje të krijojnë një lloj “kredie”, që ekuilibron “borxhin” e akumuluar, borxh, që i duhet paguar natyrës.

Projekti i zgjedhur për kompensimin e emetimeve, i cili i përgjigjet kriterit të ekologjisë së gjithanshme propozuar nga enciklika Laudato si', bashkon aspektin ekologjik, vëmendjen ndaj territorit dhe ndihmën konkrete për jetën e popullsive. Projekti, i realizuar në Nigeri dhe në Kenia, ka si objektiv shpërndarjen e sobave për kuzhinë dhe të teknologjive për pastrimin e ujit në familje, bashkësi dhe institucione. Teknologjitë e reja do të reduktojnë ndjeshëm konsumin e biomasës jo të rinovueshme dhe ltë ëndëve djegëse fosile për gatimin dhe për vlimin e ujit. Kjo do ta përmirësojë ndjeshëm ajrin, duke reduktuar ndotjen e tij, gjë që lidhet drejtpërdrejt me sëmundjet e frymëmarrjes dhe me shkallën e vdekshmërisë, veçanërisht ndërmjet grave dhe fëmijëve.

Projekti do të përdorë të ardhurat nga shitja e “kredive” të karbonit për të mbështetur partnerët lokalë të impenjuar në prodhimin, shpërndarjen dhe mirëmbajtjen e teknologjive. “Asnjëherë - siç shkruan Papa në Laudato si' - nuk e kemi keqtrajtuar dhe fyer shtëpinë tonë të përbashkët si në dy shekujt e fundit. Jemi të thirrur të bëhemi mjetet e Atit Qiellor, që planeti të jetë ashtu si e ëndërroi Hyji kur e krijoi, si edhe t'i përgjigjet planit të tij të paqes, të bukurisë dhe të begatisë".

21 shtator 2023, 16:14