Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Gallagher: nga paqja ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve përfiton gjithë bashkësia ndërkombëtare

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare foli në Nju Jork, në Javën e Nivelit të Lartë, në kuadrin e Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të OKB-së: "Jerusalemi është vend takimi dhe jo ndarjeje. ‘Jo’ akteve të intolerancës". Kujtoi takimin e kërkuar nga Papa në Vatikan ndërmjet Peres e Abbas në vitin 2014, që mbollën një pemë ulliri së bashku: "Të vazhdojmë ta ujitim atë pemë, duke pritur që të dyja shtetet të mbledhin frytet e paqes"

R.SH. – Vatikan

“Selia e Shenjtë është plotësisht e bindur se paqja ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, si edhe ajo në rajon, sjell përfitim për gjithë bashkësinë ndërkombëtare". Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, foli dje, në Javën e Nivelit të Lartë, në kuadrin e Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet në Nju Jork, nga 18 deri më 26 shtator. Kryeipeshkvi u bë zëdhënës i qëndrimit të Selisë së Shenjtë, e cila - nënvizoi ai - "e sheh Jerusalemin jo si vend konflikti dhe ndarjeje, por si vend takimi, ku të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët mund të jetojnë së bashku, duke respektuar njëri-tjetrin".

Prania e fretërve dhe e bashkësisë së krishterë në Tokën Shenjte

Në veçanti, imzot Gallagher vuri në dukje përparësitë e Vatikanit për Tokën Shenjte, për vendet e lidhura me jetën e Jezusit, që u janë besuar nga Papët, që prej 600 viteve, kujdestarisë së fretërve të vegjël dhe bashkësisë dymijë vjeçare të krishterë. Pikërisht duke pasur parasysh këtë trashëgimi historike, kulturore dhe fetare, prelati theksoi se "mirëpritet çdo nismë për paqen, duke përfshirë Iniciativën Arabe, për sa kohë - saktësoi ai - nuk shkon në dëm të popullsisë lokale, ose kundër kërkesave të ligjshme të izraelitëve dhe të palestinezëve”.

30 vjet pas marrëveshjes së Oslos

Pikërisht palestinezët, "janë sot në një pozitë shumë të dobët, si për shkak të problemeve të qeverisjes së brendshme, ashtu edhe për shkak të qëndrimit gjithnjë e më të rëndë ushtarak të Shtetit të Izraelit", pohoi imzot Gallagher, duke mos e fshehur faktin se ende “diskutohet për konfliktin izraelito-palestinez, 30 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Oslos më 13 shtator 1993, që linte të shihej një dritë në zgjidhjen e dy shteteve. Pikërisht në atë atmosferë, Selia e Shenjtë pati ndërmarrë disa hapa të rëndësishme, si vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Izraelit (1993), me Mbretërinë e Jordanisë (1994) dhe nisja e një dialogu të ri me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, kulmuar me njohjen e plotë të Shtetit të Palestinës”.

“Jo” akteve të intolerancës

Për imzot Gallagher, arritja e "një paqeje të qëndrueshme" varet nga zgjidhja e çështjes së administrimit të qytetit të Jerusalemit. “Ky qytet është shumë i rëndësishëm për ne të krishterët, njëlloj si për hebrenjtë dhe myslimanët, të cilët e konsiderojnë si Qytetin e tyre të Shenjtë”, pohoi ai. “Është vërtet e trishtueshme – shtoi prelati – kur sheh akte intolerance në Jerusalem, si ato të kryera kohët e fundit nga disa ekstremistë hebrenj kundër të krishterëve”. Sipas kryeipeshkvit, në grupet e punës së asamblesë së OKB-së duhet të përfshihet edhe reflektimi mbi Jerusalemin, menduar si Qytet i Takimit, me një status të veçantë, garantuar në nivelin ndërkombëtar.

Ideja e një statuti të veçantë

Selia e Shenjtë, vijoi Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, ka vite që promovon idenë e një statuti të veçantë, pasi është e bindur se kushdo që administron qytetin e Jeruzalemit duhet t'u përmbahet parimeve të garantuara në nivel ndërkombëtar, pra, “barazisë së të drejtave dhe detyrave të besimtarëve të të trija feve monoteiste, garancisë absolute të lirisë së fesë dhe të kultit, sidomos në Vendet e Shenjta, si edhe respektimi i Status Quo-së”. Për këtë qëllim, "duhet ruajtur dhe promovuar karakteri specifik multifetar, përmasa shpirtërore, identiteti unik dhe trashëgimia kulturore e Jerusalemit".

Takimi i vitit 2014 në Kopshtet e Vatikanit

Në përfundim të fjalës së tij, imzot Gallagher kujtoi ftesën e Papës që "izraelitët dhe palestinezët të angazhohen në dialog të drejtpërdrejtë", por edhe gjestet e Atit të Shenjtë, duke filluar me atë të 8 qershorit 2014, kur bëri të takoheshin në Vatikan presidenti i Izraelit, Shimon Peres dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas. Të dy u lutën së bashku për paqen dhe mbollën një pemë ulliri në Kopshtet e Vatikanit. “Të vazhdojmë ta ujitim atë pemë ulliri – kërkoi imzot Gallagher – ndërsa presim që presidentët e të dyja shteteve, së bashku me qeveritë e tyre, të kthehen për të mbledhur frytet e paqes”.

19 shtator 2023, 16:16