Kërko

464 pjesëmarrës në Sinodin mbi sinodalitetit, të pranishëm edhe dy ipeshkvij nga Kina

U publikua, javën që kaloi, kalendari dhe lista e atyre që do të marrin pjesë në Sinodit nga 4-29 tetor: 365 anëtarë, nga të cilët 54 votues gra. Do të jenë edhe ipeshkvij kinezë"të propozuar nga Kisha lokale në marrëveshje me autoritetet dhe të emëruar nga Papa". Prefekti Ruffini:"për komunikim, duhet të tregojmë Sinodin për atë që është: një moment shqyrtimi dhe lutjeje". Në program disa ngjarje, duke përfshirë një shtegtim, një lutje për emigrantët dhe Rruzaren në kopshtet e Vatikanin

R.SH. - Vatikan

464 pjesëmarrës, 365 anëtarë dhe Papa, nga të cilët 54 gra votuese. Ndër anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve edhe dy ipeshkvij kinezë të propozuar nga Kisha lokale "në marrëveshje me autoritetet" dhe të emëruar nga Papa. Këto janë numrat e Sinodit të ardhshëm mbi sinodalitetin e Kishës që do të nisë më 4 tetor e do të vazhdojë deri më 29 tetor në Vatikan. Paraqitja e të dhënave për Sinodin e ardhshëm u prezantuar të enjten e kaluar në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

Sinodi mbi sinodalitetin e Kishës, me temë “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision”, që hapet më 4 tetor, do të sjellë në Vatikan ipeshkvij dhe kardinaj nga e gjithë bota. Asamblesë XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve do t'i paraprijë një vigjilje lutjeje e kryesuar nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, më datën 30 shtator. 

Katër javë, të pasura me takime të ndryshme, me pjesëmarrje të kardinajve, ipeshkvijve, rregulltarëve dhe laikëve nga e gjithë bota, të mbledhur në sallën Pali VI në Vatikan, ku mund të përdoren tablet, përmes të cilave secili prej pjesëmarrësve do të mund të votojë, shkarkojë dhe lexojë dokumentet "për të shmangur, kështu, shpërdorimin e letrës".

Në Sinod do të ketë shumë gra, laikë dhe shumë ekspertë. Punimet e Sinodit do të në një formë të rezervuar, pra, në një "konfidencialitet, për t'u ndjerë pjesë e një kolegji që duhet të përpilojë një qëndrim që është diçka ndryshe nga shuma e mendimeve individuale", shpjegoi Prefekti i Dikasterit të ët Vatikanit për Komunikim Paolo Ruffini. Pjesëmarrësit do të bëjnë një tërheqje shpirtërore tre-ditore përpara fillimit të punës në Sinod. Punimet do të zhvillohen në sallën Pali VI, në Vatikan, me tryeza ku do të ketë ballafaqime në grupe të vogla.

Të enjten e kaluar, më 21 shtator, në zyrën e shtypit të Vatikanit, u shpall lista e “plotë dhe përfundimtare” e pjesëmarrësve, bashkë me kalendarin e takimeve të Sinodit të afërt. Paraqitja e Sinodit me numrat, emrat dhe programin u prezantua nga Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin si dhe president për Informacionin e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, së bashku me At Giacomo Costa, sekretar i posaçëm i asamblesë sinodale dhe imzot Luis Marín de San Martín, nënsekretar i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit.

Prania e dy ipeshkvijve kinezë

Vetë ipeshkvi spanjoll imzot Luis Marín de San Martín konfirmoi praninë e dy prelatëve të Republikës Popullore të Kinës: Imzot Antonio Yao Shun, ipeshkëv i Jining/Wumeng, i Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, dhe Imzot Giuseppe Yang Yongqiang, ipeshkëv i Zhoucun, i provincës së Shandong. “Kisha lokale, në marrëveshje me autoritetet, i paraqiti dy emrat dhe Papa i emëroi ata si pjesëmarrës e anëtarë të këtij Sinodi. Pra janë dy pjesëmarrës me emërim papnor”, tha imzot Marín.

Nuk është hera e parë që dy ipeshkvij nga Kina marrin pjesë në punimet e një Sinodi të Kishës Universale. Në vitin 2018, me rastin e Sinodit kushtuar të Rinjve, kanë qenë të pranishëm imzot Gjon Pagëzuesi Yang Xiaoting, ipeshkëv i Yan’ An (Shaanxi), e imzoz Jozef Guo Jincai, ipeshkëv i Chengde (Hebei). Ata nuk patën marrë pjesë në të gjitha seancat e asamblesë sinodale të vitit 2018, por prania e tyre, qoftë edhe për pak ditë, ka qenë një sinjal i fortë pas nënshkrimit të marrëveshjes Kinë-Selia e Shenjtë për emërimin e ipeshkvijve.

Universaliteti i Kishës

Në Sinodin e tetorit kushtuar sinodalitetit të Kishës, përveç Shun dhe Yongqiang, do të jetë i pranishëm edhe Imzot Stephen Chow, ipeshkëv i Hong Kongut, i cili do të marrë simbolet kardinalore në Koncistorin e 30 shtatorit. Prania e tyre është një shenjë e universalitetit të Kishës, që është edhe një tipar që karakterizon çdo Sinod të Kishës Universale.

“Është evidente – e ka thënë shumë mirë Papa – se rëndësia e pranisë së Kishës kineze në Sinod, është e rëndësishme për Kishën por edhe për popullin kinez”, tha prefekti i Dikasterit të Vatikanit për komunikim si dhe president i Komisionit për Informacionin e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, Ruffini,. Si anëtarë të Sinodit me emërim papnor, dy ipeshkvijtë do të marrin pjesë në të gjithë punimet: në qarqet e vogla, në asambletë e ndryshme, në momentet komunitare dhe në lutje.

Sinodi dhe sfidat

Papa - shpjegoi Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për komunikim si dhe president i Komisionit për Informacionin e Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve - na fton të gjithëve të kuptojmë dhe të tregojmë se çfarë është dhe çfarë nuk është Sinodi i Kishës. Siç e pohuar disa herë Papa, Sinodi nuk do të jetë një diskutim si në Parlament”. Asambleja e Përgjithshme e XVI e Zakonshme eSinodit të Ipeshkvijve mbi sinodalitetin e Kishës, pas tri javësh lutjeje, reflektimi dhe konvertimi, do të miratojë një dokument përmbledhës i cili do të jetë publik. Por nuk do të jetë dokumenti përfundimtar. Seanca e dytë do të mbahet në vitin e ardhshëm.

Të shumta janë sfidat me të cilat do të përballet Sinodi i tetorit. Në bocën me të cilat do të punojnë Etërit dhe Nënat pjesëmarrës të Sinodit (për herë të parë do të jenë 54 gra me të drejtë vote në një kuvend ipeshkvijsh që ka rreth 365 anëtarë), ndër kërkesat e parashikuara në dokumentin Instrumentum laboris janë mirëpritja ndaj personave LGBTQ, mundësia për personat e divorcuar e të rimartuar për t'iu afruar Kungimit dhe një mundësi më e madhe për gratë në rolet kryesore të qeverisjes së Kishës.

22 shtator 2023, 13:12