Kërko

2023.08.02 Viaggio Apostolico in Portogallo in occasione della XXXVII Giornata Mondiale della Gioventu' - Incontro con le Autorita' 2023.08.02 Viaggio Apostolico in Portogallo in occasione della XXXVII Giornata Mondiale della Gioventu' - Incontro con le Autorita'
Editorial

Rruga e Evropës dhe mënyrat krijuese të paqes

Në fjalimin drejtuar autoriteteve portugeze, Papa Françesku i kërkon edhe një herë Bashkimit Evropian të ndjekë një diplomaci që t’i shuajë konfliktet, duke nisur nga konflikti në Ukrainë.

R.SH. / Vativan News

Andrea Tornielli

Nëse lufta, që shpërtheu në zemër të Evropës së krishterë me agresionin rus kundër Ukrainës rrezikon të na zhdukë, është dikush që nuk lodhet kurrë duke ndërthurur profecinë me realizmin, duke kërkuar paqen e duke u bërë thirrje kombeve dhe popujve - e në veçanti "Evropës" - të mos i harrojnë përgjegjësitë e tyre. Edhe në fillim të udhëtimit të tij në Portugali, ku mbërriti për ta jetuar Ditën Botërore të Rinisë, Papa Françesku foli për rolin e Kontinentit të Vjetër, duke shpresuar të mos e harrojë identitetin e tij, por të dijë të propozojë mënyra krijuese paqeje dhe zgjidhje diplomatike, në vend të pranimit të idesë së pashmangshmërisë së luftës dhe garës së riarmatimit.

Pasardhësi i Pjetrit vërejti se "padrejtësitë planetare, luftërat, krizat klimatike e migratore ecin më shpejt se aftësia dhe shpesh edhe se vullneti për t'i përballuar këto sfida së bashku". Por, shtoi edhe se "Lisbona mund ta sugjerojë ndryshimin e hapit”, duke pasur parasysh se pikërisht këtu, në vitin 2007, u nënshkrua traktati homonim i reformës së BE-së, në të cilin lexojmë se Bashkimi "në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës kontribuon për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë, për zhvillimin e Tokës, solidaritetin dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet popujve, tregtinë e lirë dhe të ndershme, zhdukjen e varfërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Françesku pohon se "bota ka nevojë për Evropën, Evropën e vërtetë: ka nevojë për rolin e saj si urë dhe paqebërëse në pjesën e saj lindore, në Mesdhe, në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme". Vetëm në këtë mënyrë Evropa do të jetë në gjendje të sjellë në skenën ndërkombëtare "origjinalitetin e saj të veçantë", që në çastin aktual historik po ndesh shumë vështirësi në përpjekjen për t’u dukur! Ekziston nevoja për të zhvilluar "një diplomaci paqeje, që shuan konfliktet dhe lehtëson tensionet, që është e aftë për të kapur shenjat më të vogla të zbutjes së konfliktit  dhe të leximit edhe ndërmjet rreshtave më të shtrembër". Nëse e shikojmë realitetin e sotëm pa verbime ideologjike, duhet të pranojmë se kjo nuk po ndodh. E duke e parë me përzemërsi Evropën, në frymën e dialogut që e karakterizon, dikush mund të pyesë: “….për ku po lundron, nëse nuk ofron shtigje paqeje, mënyra krijuese për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konflikteve të shumta që po gjakosin botën? Dhe përsëri, duke zgjeruar fushën: cilën rrugë po ndjek, Perëndim? Teknologjia jote, e cila ka shënuar progres dhe ka globalizuar botën, nuk mjafton më vete; aq më pak mjaftojnë armët më të sofistikuara, të cilat nuk përfaqësojnë investime për të ardhmen, por varfërime të kapitalit të vërtetë njerëzor, atë të arsimit, shëndetësisë, shtetit të mirëqenies. Është shqetësuese kur lexohet se në shumë vende fondet investohen vazhdimisht për armë dhe jo për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Të kujtuara gjatë shtegtimit të vitit të kaluar në Kazakistan, parimet e marrëveshjes që liderët evropianë nënshkruan në 1975, gjetën shpesh hapësira ​​në fjalimet mbajtur nga Papa...

Çfarë duhet të ndodhë, që Evropa të shkundet dhe të rigjejë rolin e saj?

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, që nga 22 shkurti 2023, pushtimi u mori jetën 9,655 civilëve, përfshirë 461 fëmijë; plagosi 12.829 civilë, përfshirë 926 fëmijë; shkaktoi 68.000 vdekje, më shumë se 68.000 krime lufte, 2.600 nga të cilat, kundër fëmijëve. Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) vlerëson se 8.1 milionë njerëz u zhvendosen në Evropë deri në fund të shkurtit 2023. Ka zona të tëra të Ukrainës të shkatërruara, të ndotura, të minuara. Duhet t’i jepet fund kësaj tragjedie, fillimisht me një armëpushim e, më pas, me një paqe të drejtë.

Por Françesku nuk pushon s’e shikuari të ardhmen me shpresë: «Unë ëndërroj një Evropë, zemër e Perëndimit, që e përdor zgjuarsinë e saj për të shuar shpërthimet e luftës dhe për të ndezur dritat e shpresës; një Evropë që di të rizbulojë shpirtin e saj rinor, duke ëndërruar për madhështinë e së tërës dhe duke shkuar përtej nevojave më të ngutshme; një Evropë që përfshin popuj dhe njerëz me kulturën e tyre, pa ndjekur teoritë dhe kolonizimet ideologjike”. Do të meritonte të dëgjohej, para se të jetë tepër vonë.

03 gusht 2023, 21:12