Kërko

Papa Francesco durante la cerimonia di accoglienza della Gmg di Lisbona Papa Francesco durante la cerimonia di accoglienza della Gmg di Lisbona
Editorial

Zoti për të gjithë

"Zoti na do ashtu siç jemi" na kujton Françesku. Mëshira është mesazhi kryesor i ungjillizimit

R.SH. / Vatican News

Andrea Tornielli

“Kisha është vend për të gjithë... Të gjithë, të gjithë, të gjithë!”. Papa Françesku ua përsëriti disa herë gjysmë milioni të rinjve, që e pritën dje në Parque Edoardo VII, në Lisbonë. Një Papë, që u duk aty i rinuar e i gjallëruar! Një Papë, që iu ngjit menjëherë entuziazmi i vajzave dhe i djemve të cilët, së bashku me barinjtë dhe edukatorët e tyre, mbërritën në Portugali, të nisur nga e gjithë bota. "Për të gjithë, para todos" brohoriti Françesku. Është mesazh, që tingëllon gati-gati si sintezë e këtyre dhjetë vjetëve të para të papnisë. Një papni, që u hap nën shenjën e mëshirës.

Çfarë do të thotë të ripohosh se në Kishë ka vend për të gjithë? Gjegjet Françesku: “Askush nuk është i padobishëm, askush nuk është i tepërt, ka vend për të gjithë. Ashtu siç jemi ... “Por, o Atë, unë jam fatkeq, jam fatkeqe: thua ka vend edhe për mua?: ka vend për të gjithë”. Sepse “Zoti na do, Zoti na do kështu siç jemi, jo siç do të donim të ishim apo siç do të donte shoqëria: siç jemi. Ai na do me të metat, me kufizimet dhe me dëshirën që kemi për të ecur përpara në jetë. Kështu na thërret Zoti: besoni sepse Zoti është atë, është atë, që na do, që na do mirë".

Në një kohë kur të gjithë komentojnë dhe askush nuk dëgjon, në një kohë kur shumë përpiqen të duken çka nuk janë, nuk ka mesazh më tërheqës dhe më revolucionar: dikush na do siç jemi, na fal gjithmonë, rri e na pret me krahë hapur, na del përpara i gatshëm të na rrokë me mëshirë. Logjikë aspak njerëzore e tërësisht hyjnore, që e mësojmë nga episodi ungjillor i Zakeut, tagrambledhësit, mëkatarit publikan të përbuzur nga të gjithë në qytetin e Jerikos: kureshtarit që, për ta parë më mirë profetin Nazarenas, ngjitet në fik dhe, gjysmë i fshehur mes gjetheve, pret të kalojë. Jezusi e shikon i pari, e do i pari, i shkon në shtëpi, pavarësisht nga komentet  shkandulluese të të pranishmëve. Nuk ka kushte paraprake për përqafimin e mëshirshëm të Jezusit, nuk ka "udhëzime" praktike, nuk ka kurse përgatitore për t’u ndjekur apo teknika për t’u mësuar. Mjafton të jesh aty kur ai kalon, t'i dorëzohesh shikimit të tij plot dashuri dhe mëshirë. Mjafton t’i lësh  të shemben barrierat dhe ta lejosh të të përqafojë, duke e njohur në fytyrat e dëshmitarëve se ai është i pranishëm në rrugën tonë çdo ditë.

Ka vend për të gjithë në Kishë, ashtu si për tagrambledhësin Zake, i cili pati privilegjin ta priste Nazarenasin në shtëpinë e tij, në sofrën e tij. Një e papritur e paparë, dhuratë falas, me hirin e pastër. Ai vështrim, ajo thirrje e trazoi jetën e tagrambledhësit të Jerikos: pikërisht ngaqë duhej si kurrë në jetën e tij, mundi të kuptonte sa mëkat e sa korrupsion kishte në atë jetë. Por për Zakeun pendimi nuk ishte parakushti i domosdoshëm për t'u dashur e për t’u falur. Dinamika është e ndryshme: pikërisht ngaqë u ndje i mirëpritur, i dashur dhe i falur për herë të parë, ai mundi ta kuptonte mëkatin dhe korrupsionin e tij. Çasti i mëshirës hyjnore e bëri tagrambledhësin e pasur të vetëdijshëm se ishte mëkatar i varfër.

Ftesa që Papa "i ri" përsëriti mes të rinjve, i rrëmbyer nga entuziazmi i tyre, është çelësi i ungjillizimit sot. Sepse, ç’gjë tjetër na duhet, nëse jo Dikush që na përqafon ashtu siç jemi, duke na bërë të ndihemi të pritur, të dëshiruar, të dashur dhe të falur? Për ç’gjë tjetër kemi nevojë, nëse jo për të dëgjuar dikënd që na thotë: ka vend edhe për ty, sido që të jesh?

04 gusht 2023, 12:41