Kërko

Saints Peter and Paul Cathedral in Ulaanbaatar Saints Peter and Paul Cathedral in Ulaanbaatar
Editorial

Papa në Mongoli: në Kishë nuk llogariten numrat

Një frazë e Shën Palit VI na ndihmon të kuptojmë arsyet e shtegtimit të Françeskut në vendin aziatik

R.SH. - Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Papa Françesku është gati të niset për në Mongoli. Vizitë, të cilën e “dëshiroi shumë”, e që ishte edhe në programet e paplotësuara të Shën Gjon Palit II, pasi prania e misionarëve në fillim të viteve nëntëdhjetë e kishte rilindur bashkësinë e krishterë. Kisha, që do të marrë përqafimin e Pasardhësit të Pjetrit në zemër të Azisë “është e vogël në numër, por  e gjallë në fe dhe e madhe në bamirësi". Françesku do të takojë jo vetëm 1500 katolikët e vendit, por gjithë atë popull "të fisëm" dhe "të mençur" me traditën e vet të madhe budiste.

Pse Papa po shkon në Mongoli? Pse i kushton pesë ditë të shtegtimit të tij (dy ditë udhëtimi plus tre qëndrime) për të vizituar një grup kaq të vogël katolikësh? A ka të bëjë me këtë "gjeopolitika" pasi udhëton në një vend që kufizohet me Federatën Ruse dhe Republikën Popullore të Kinës? Në realitet, arsyeja e shtegtimit në periferitë e Azisë nuk ka ndërlikime “gjeopolitike” dhe sigurisht nuk është privilegj i papnisë së Jorge Mario Bergoglios.

Të hënën, më 30 nëntor 1970, Shën Pali VI niste një shtegtim të gjatë, që e çonte deri në Ishujt Samoa, në Oqeanin Paqësor. Gjatë kremtimit të meshës në fshatin Leulumoega Tuai, në bregun veriperëndimor të ishullit Upolu, Papa Montini la mënjanë atë "ne" madhështore, që përdorej deri asokohe nga papët dhe tha: "Nuk është kënaqësia e udhëtimit, as ndonjë interes që më solli tek ju:  erdha, sepse jemi të gjithë vëllezër, ose më mirë, sepse jeni bijtë dhe bijat e mia dhe është e drejtë që, si babai i një familjeje, i kësaj familjeje që është Kisha Katolike, t’u tregoj të gjithëve se  ka të drejtë për dashuri të barabartë. A e dini se çfarë do të thotë "Kishë Katolike"? Do të thotë se është krijuar për të gjithë universin, se është bërë për të gjithë, se nuk është e huaj askund, për askënd: çdo njeri, cilido qoftë kombi, raca, mosha apo arsimimi i tij, gjen vend në të”.

Kisha, vend për të gjithë. Kisha, ku vendin e parë nuk e zënë numrat e ku asksuh nuk ndjehet i huaj, çfarëdo gjuhe, kulture, populli apo kombi t’i i përkasë. Është Kisha "para todos", për të gjithë, për të cilën Françesku foli në Lisbonë. Më pak se një muaj pas DBR-së ipeshkvi i Romës rrok “shkopin e shtegtarit” duke u thënë "vëllezërve dhe motrave mongole":  "Jam i lumtur që udhëtoj, për të qenë mes jush. si vëlla për të gjithë".

 

29 gusht 2023, 09:08