Kërko

Kardinali Parolin: Papa në Mongoli, shtegtar shprese për botën mbarë

Udhëtim për të përforcuar në fe bashkësinë “e vogël e të gjallë” katolike të Mongolisë, si edhe për të konsoliduar lidhjet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe këtij vendi aziatik. Kështu, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për vizitën apostolike të Françeskut në Ulan Bator. Paqja, takimi dhe dialogu do të jenë tre gurthemelet e këtij shtegtimi

R.SH. – Vatikan

Për herë të parë në historinë e saj, Mongolia është gati të përqafojë një Papë, që pritet me padurim: Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë për mediat e Vatikanit, flet për entuziazmin me të cilin bashkësia e vogël katolike e këtij vendi aziatik po përgatitet të presë Françeskun.

Në udhëtimin e tij të 43-të apostolik, nga 31 gushti deri më 4 shtator, Papa do të shkojë në Ulan Bator, kryeqyteti i Mongolisë, një territor i kufizuar me Rusinë dhe Kinën, 56 herë më i madh se Shqipëria, por me një popullsi gati të ngjashme me të, rreth tre milionë e treqind mijë banorë. Për të kuptuar synimin e shtegtimit papnor, na ndihmon motoja - "Të shpresojmë së bashku" – sepse, shpjegon kardinali Parolin, kemi shumë nevojë për shpresë, për "një shpresë, që nuk është pritje boshe, por që bazohet, të paktën për ne të krishterët, në fe, pra, në praninë e Zotit në histori; shpresë që, njëkohësisht, shndërrohet në impenjim personal dhe kolektiv”.

Hirësi, çfarë pret Papa Françesku nga ky udhëtim?

Ky shtegtim në zemër të Azisë i përgjigjet ftesës së autoriteteve të vendit dhe të bashkësisë katolike. Pritshmëria është sigurisht e madhe, si nga ana e Atit të Shenjtë, ashtu edhe nga ana e Mongolisë, e cila për herë të parë sheh një Pasardhës të Shën Pjetrit në tokën e saj. Papa dëshiron ta takojë këtë komunitet të vogël në numër, por të ri, të gjallë, magjepsës për historinë dhe përbërjen e tij të veçantë. Përveç kësaj, do të jetë e rëndësishme përmasa ndërfetare, në një vend me traditë të madhe budiste.

Papa do të përforcojë në fe 1500 katolikët, që banojnë në Mongoli. Sa rëndësi ka prania e Françeskut për këtë bashkësi të vogël misionare?

Është i dukshëm entuziazmi me të cilin katolikët po përgatiten për të pritur Atin e Shenjtë. Prania e tij pritet edhe si përforcim, edhe si inkurajim në rrugën e jetës së krishterë, në rrugën e fesë, të shpresës dhe të dashurisë; por edhe si konfirmim i kësaj periudhe të jashtëzakonshme inkulturimi misionar. Nëse mendojmë për historinë e kësaj Kishe, nuk na mbetet tjetër veçse ta admirojmë atë, madje të prekemi prej saj, sepse, pas shekujsh mungese, në fillim të viteve ‘90, pas tranzicionit paqësor demokratik të vendit, praktikisht, filloi nga e para. Misionarët e parë mbërritën si pionierë, mësuan gjuhën, filluan të kremtojnë nëpër shtëpi, paralajmëruan se rruga për t’u afruar me vendasit duhet të jetë ajo e bamirësisë dhe e përqafuan popullsinë sikur të ishte e tyrja. Kështu, pas vetëm disa dekadash, kemi një bashkësi katolike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pra, një bashkësi "universale", e përbërë si nga anëtarë vendas, ashtu edhe nga anëtarë të zonave të tjera të botës, të cilët, me përvujtëri, butësi dhe me ndjenjë përkatësie, duan të jenë një farë e vogël vëllazërimi.

Do t’i kushtohet vëmendje edhe takimit ekumenik e ndërfetar, që do të mbahet të dielën, më 3 shtator…

Po. Siç e ka kujtuar vazhdimisht Ati i Shenjtë, rruga ndërfetare, rruga e dialogut ekumenik nuk janë gjetje më të lehta, ose më të leverdisshme, por janë udhë të cilat, që nga Koncili II i Vatikanit e në vijim, Kisha Katolike i ka ndjekur pa kompromise. Nga kjo pikëpamje, takimi me eksponentë të feve të tjera ka gjithmonë si qëllim arritjen e paqes dhe të vëllazërimit e, ne e dimë sa e nevojshme është sot kjo përpjekje për arritjen e paqes dhe të vëllazërimit! E sigurisht, vizita është edhe një çast i rëndësishëm takimi me budizmin, i cili ka një prani dhe një histori shumë domethënëse në Mongoli, karakterizuar nga kërkimi i urtë i së vërtetës, por edhe nga vuajtjet e mëdha të së kaluarës.

Vitet e fundit, krah mënyrës tradicionale të jetesës, vërehet edhe një urbanizim në rritje. Në kuadrin e këtyre ndryshimeve shoqërore, ç’rol mund të ketë vizita e Atit të Shenjtë?

Papa Françesku nënvizon shpesh rëndësinë e kërkimit të harmonisë. Me këtë shprehje, me këtë fjalë, ai nënkupton zhvillimin e gjithanshëm global, pra, atë zhvillim njerëzor, shoqëror dhe shpirtëror, që u qëndron larg rreziqeve të homogjenizimit, duke ditur të integrojë dallimet dhe ndryshimet si faktorë për rritjen, në mënyrë që takimi ndërmjet të kundërtave dhe dallimeve të mbizotërojë mbi konfliktin dhe kundërvënien. Pa dyshim, shoqëria mongole po kalon një periudhë historike plot stimuj, në të cilën urtia e lashtë e popullit duhet t’i bëjë ballë sfidës për të ndërthurur traditën dhe modernen, pa i humbur rrënjët, duke nxitur zhvillimin e të gjithëve. Papa, i cili është i lumtur të takojë popullin mongol, në shenjë miqësie dhe respekti të thellë, sigurisht që do t’u kushtojë vëmendje edhe këtyre aspekteve.

Dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mongolisë daton rreth 800 vite më parë, në kohën e Papës Inoçenci IV. Si janë marrëdhëniet sot?

Në vazhdën e ngjarjeve të mëparshme historike që sapo përmendët, interesat e përbashkëta çuan në lidhjen formale të marrëdhënieve diplomatike, në vitin 1992. E bashkëpunimi që u vendos atëherë - edhe në nivel formal, të themi - vazhdon të ecë përpara! Përparim i konsiderueshëm është bërë në fushat me interes të përbashkët, siç dëshmohet nga vizita zyrtare e imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, qershorin e kaluar. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë. Shtegtimi i ardhshëm apostolik është, kështu, një rast i volitshëm për t’i forcuar më tej këto lidhje, që synojnë të promovojnë të mirën e përbashkët, lirinë fetare, paqen, zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, arsimin, shkëmbimet kulturore dhe përballimin e sfidave të përbashkëta, që kanë të bëjnë me rajonin dhe më bashkësinë ndërkombëtare.

Në këtë vazhdë, a duhet të presim një thirrje të re për paqen nga Ati i Shenjtë, në këto kohë kur e gjithë bota përfshihet nga konflikte?

Ati i Shenjtë vazhdon të bëjë thirrje për paqen, pse? Sepse ai bart në zemër dhimbjen torturuese, shkaktuar nga ajo, që ai vetë e ka quajtur prej kohësh "Lufta e tretë Botërore pjesë-pjesë". Përtej çdo thirrjeje të veçantë për paqen, që Papa do të bëjë në këtë rrethanë, më duket se vetë prania e Françeskut në Mongoli përbën një ftesë për paqe. E kjo, për shkak të pozitës së rëndësishme, që zë ky vend, në kuadrin e madh aziatik. Kjo vizitë bart thirrjen për të respektuar çdo vend, të madh apo të vogël, për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, për të hequr dorë nga parimi i forcës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi, solidariteti dhe vëllazërimi me fqinjët e me të gjitha vendet e botës.

Një vend i madh, në kufi me Mongolinë, është Kina, komb, të cilin Françesku e ka parë dhe e sheh gjithnjë me interes. A po mendohet ndonjë udhëtim i mundshëm i Papës në Republikën Popullore Kineze?

Të gjithë e njohin interesin që ka Papa Françesku për Kinën. E, përsa i përket pyetjes suaj, mund të them se në zemrën e Atit të Shenjtë ekziston kjo dëshirë e madhe - dëshirë plotësisht e kuptueshme - që ai e ka shfaqur tashmë publikisht disa herë, për të udhëtuar në atë vend fisnik, si për të vizituar bashkësinë katolike, për ta inkurajuar atë në udhën e fesë e të bashkimit, ashtu edhe për të takuar autoritetet politike, me të cilët Selia e Shenjtë ka krijuar një dialog prej kohësh, me besimin se, pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat, pikërisht përmes kësaj rruge dialogu dhe takimi, më shumë se përmes konfrontimit ideologjik, mund të arrihen fryte të mira për të gjithë.

Ati i Shenjtë u kthye kohët e fundit nga Dita Botërore e Rinisë në Lisbonë, ku, siç nënvizoi ai vetë, shpresa u bë e dukshme përmes të rinjve. Ndërkaq, ku na çon ky udhëtim në Mongoli?

Motoja e udhëtimit - e dimë - është "Të shpresojmë së bashku", prandaj, edhe një herë theksohet shpresa, e cila do të jetë tema e Jubileut të vitit 2025. Pse kaq shumë këmbëngulje tek shpresa? Pikërisht sepse ka shumë nevojë për të në botën tonë! Botës sonë po i shterret shpresa para tragjedive të shumta personale dhe kolektive, që përjeton. Shpresë, që nuk është pritje boshe, me mendimin se gjërat do të përmirësohen gati si me magji. Shpresë, që bazohet në fe - të paktën për ne të krishterët – pra, në praninë e Zotit në histori. Shpresë, që shndërrohet në impenjim personal dhe kolektiv, në angazhim efektiv për përmirësimin e botës e, këtë mund ta bëjmë së bashku, besimtarë dhe laikë, të gjithë ata, që janë të bindur për këtë mundësi. Ja pra, më duket se fakti që Papa niset për në vende gjeografikisht të largëta, pavarësisht nga vështirësitë e udhëtimit, tregon gatishmërinë e tij për të dëshmuar aktivisht dhe për ta promovuar konkretisht shpresën, në ditët e sotme.

Hirësi, cila është ndërkaq, shpresa juaj, çfarë prisni ju vetë nga udhëtimi i Papës në Mongoli?

Unë kam të njëjtat pritshmëri me Atin e Shenjtë, ato, që sapo u përpoqa t'i përshkruaj. Më duket se udhëtimet apostolike të Papës, të Pasardhësit të Shën Pjetrit, kanë rëndësi dhe efikasitet të madh për të tërhequr vëmendjen e gjithë Kishës drejt disa prej bashkësive të saj, që, si në rastin e Mongolisë, janë numerikisht të vogla, prandaj, ka rrezik të mos njihen gjithmonë si duhet, por edhe të mos vlerësohen e të mos merren parasysh. Nga ana tjetër, shtegtimet papnore u japin mundësinë këtyre bashkësive ta bëjnë të dukshëm kontributin e tyre për Kishën në tërësi, duke tërhequr vëmendjen mbi çka është thelbësore për jetën dhe misionin e saj. Do të thosha se ato janë paksa si bashkësitë e para të krishtera, nga të cilat duhet të frymëzohemi. Besoj se kjo do të ndodhë edhe në këtë rast. E, për këtë, ju siguroj se do të lutem.

30 gusht 2023, 14:35