Kërko

Cardinale Matteo Maria Zuppi, Cardinale Matteo Maria Zuppi,

Ukrainë: Selia e Shenjtë, kard. Zuppi i dorëzon letrën e Papës Presidentit Biden

Hap pas hapi. Me durimin për të dëgjuar, por edhe - mbi të gjitha - me emergjencën humanitare së cilës i duhet përgjigjur, asaj që çdo luftë ka shkaktuar gjithmonë. Në këtë mënyrë po hartohet misioni i veçantë për Ukrainën që Papa Françesku i ka besuar kardinalit Matteo Zuppi.

R.SH. / Vatican News

“Të vazhdojë misionin, që ia besoi Françesku dhe, në këtë kuadër, të takojë Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joseph R. Biden”. Kjo ishte detyra e fazës së tretë të misionit besuar nga Papa, pas Kievit dhe Moskës, Kardinalit Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, në Uashington më 17 deri më 19 korrik, si i dërguar i posaçëm i Papës. Etapat u njoftuan nga Selia e Shenjtë, përmes një deklarate të lëshuar mbrëmë. 

Me mbërritjen e tij në Nunciaturën Apostolike mbrëmjen e 17 korrikut,  kardinali Zuppi - lexojmë - pati një intervistë me imzot Timothy Broglio, kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Shteteve të Bashkuara, gjatë së cilës "u shkëmbyen disa reflektime mbi luftën në Ukrainë e, më pas, u fol për nismat e Selisë së Shenjtë në favor të viktimave si dhe për paqen".

Të nesërmen në mëngjes, në ndërtesën e zyrës Rayburn House Office Building, delegacioni i Vatikanit, në të cilin bënin pjesë nunci apostolik, imzot Christophe Pierre dhe Imzot Séamus Patrick Horgan, këshilltar i nunciaturës apostolike, u takua me disa anëtarë të Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (Komisioni i Helsinkit) të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të cilëve "u paraqiti natyrën dhe zhvillimin e misionit, të besuar nga Papa, duke reflektuar së bashku mbi mënyrat se si ai mund të bëhej më  i vlefshëm".

Pasditen e së njëjtës ditë, i dërguari papnor dhe anëtarët e tjerë të delegacionit shkuan në Shtëpinë e Bardhë, ku u pritën nga Presidenti Biden, të cilit kardinali Zuppi “i dorëzoi një letër nga Ati i Shenjtë”. Në letër nënvizohej dhimbja e Papës për vuajtjet e shkaktuara nga lufta”. Takimi, i cili nisi pak pas orës 17:00 dhe zgjati mbi një orë - njofton Selia e Shenjtë - u zhvillua në një atmosferë përzemërsie të madhe dhe dëgjimi të anasjelltë". “Gjatë takimit - vijon komunikata -  të pranishmit u treguan plotësisht të gatshëm për të mbështetur iniciativat në fushën humanitare, veçanërisht për fëmijët dhe njerëzit më të brishtë, për t'iu përgjigjur kësaj urgjence si dhe për të favorizuar rrugët e paqes.

Dje paradite delegacioni i Vatikanit mori pjesë në  Lutjet e mëngjesit të Senatit, në selinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pas të cilave kardinali Zuppi “pati mundësinë të informonte pjesëmarrësit për takimet që pati gjatë etapave të ndryshme të misionit të tij paqësor”. Gjatë takimit u shpreh edhe “vlerësimi për përpjekjet e Selisë së Shenjtë dhe u nënvizua përgjegjësia që ka secili në shërbim të paqes”.

Në 20 vitet e fundit është hera e dytë që një i dërguar i Vatikanit shkon në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington. Në vitin 2003, Papa Gjon Pali II, nëpërmjet kardinalit Pio Laghi, ish-nunci në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dërgoi Presidentit Bush një letër për të shmangur luftën në Irak.

 

20 korrik 2023, 11:04