Kërko

 Cardinale Matteo Zuppi Cardinale Matteo Zuppi

Ukrainë: Kard. Zuppi tek Presidenti Biden, vuajtjet e luftës dhe fëmijët e internuar, thelbi i bisedës

Bisedë e gjatë, rreth tri orë. E edhe e përzemërt, e përqendruar në temat humanitare siç e kërkonte natyra e misionit të të ftuarit: Kardinali Matteo Zuppi kaloi më shumë se një orë në Shtëpinë e Bardhë, në një takim ballë për ballë me presidentin amerikan Joe Biden. Në qendër të dialogut, çështja humanitare e kthimit në shtëpi të të miturve ukrainas dërguar në Rusi

R.SH. / Vatican News

Presidenti i SHBA-së Joseph Biden u takua me kardinalin Matteo Maria Zuppi, Kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, i dërguar i Papës në mision paqeje për Ukrainën. Presidenti, njoftoi Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë, "shprehu dëshirën për vazhdimin e misionit dhe të udhëheqjes globale të Papës Françesku si dhe përshëndeti emërimin e fundit kardinal të një kryeipeshkvi amerikan". Presidenti i SHBA dhe kardinali Zuppi "kujtuan edhe përpjekjet e Selisë së Shenjtë për të ofruar ndihmë humanitare, që të mund të përballohen vuajtjet e thella, shkaktuar nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë mbi Ukrainën, si dhe përpjekjet e Vatikanit për kthimin e fëmijëve ukrainas të internuar me forcë, domethënë, të rrëmbyer ".

Tani kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, Kard Zuppi, do të flasë drejtpërdrejt me Papën Françesku për rezultatet e vizitës së rëndësishme, siç ka bërë edhe me rastin e etapave të mëparshme të kësaj diplomacie shtegtare. Para kësaj - dhe ndoshta edhe pas - do të jetë e vështirë të  mësosh detajet e bisedës. Vetëpërmbajtja, në disa raste, më shumë se në të tjerat, konsiderohet si element themelor i të njëjtit mision.

Ndaj, asgjë për t’u befasuar, e as për t’u pritur: të gjitha në vijë me përpjekjet e Vatikanit, i cili nuk synon të pozicionohet, të paktën në këtë fazë, si ndërmjetës i madh ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Për më tepër asnjëra nga të dyja palët nuk duket se në këto çaste e  ka pjekur synimin për t'u ulur rreth tryezës së bisedimeve(AGI).

Vetë Shtëpia e Bardhë, duke dhënë lajmin e takimit, bëri të ditur se në qendër të bisedimeve ishte angazhimi i Vatikanit për “kthimin e fëmijëve ukrainas të internuar me dhunë”. Së pari, "Presidenti Biden uroi që Papa ta vijojë misionin për udhëheqjen e tij globale dhe përshëndeti emërimin e fundit të një kryeipeshkvi amerikan si kardinal". Kujtonte, kështu, njoftimin e fundit për mbledhjen e koncistorit të ri të 30 shtatorit, në të cilin do të krijohen 21 kardinaj të rinj, e jo vetëm

Fëmijët e rrëmbyer, në qendër të bisedës

Presidenti Biden dhe kardinali Zuppi u ndaluan edhe tek "angazhimi i Selisë së Shenjtë lidhur me ofrimin e ndihmës humanitare si dhe tek  vuajtjet e përhapura, shkaktuar nga agresioni i vazhdueshëm i Rusisë në Ukrainë".

Etapa e tretë e shtegtimit të kardinalit Zuppi për paqen ishte, kështu, një përpjekje thellësisht pozitive. Me Zelensky-n, në qershor, u prek, si thelb i misionit, çështja e kthimit të fëmijëve. Në Moskë nuk pati ndonjë takim me Putinin, i cili ndërkohë ishte në Dagestan, por pati, ndërkaq, një rifillim themelor të marrëdhënieve të nivelit të lartë me Patriarkanën Ortodokse. E tani, me Biden, vërtetim i faktit se administrata amerikane e shikon me   sy të mirë vullnetin e natyrës humanitare që Kisha Katolike ka treguar që në fillim, për të krijuar kushtet e favorshme të dialogut.

19 korrik 2023, 12:12