Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher Imzot Paul Richard Gallagher

Ukrainë: Gallagher, nga Papa një profeci e fortë dhe e guximshme e paqes

Shumë shpesh "fjalët dhe gjestet publike të Papës janë interpretuar si akte pacifizmi bosh", por "nuk është ky ndjeti i Atit të Shenjtë", i cili, përkundrazi, "niset nga profecia e guximshme e paqes, e cila dënohet dhe refuzohet, në vend që të mbështetet”. Këtë nënvizoi në një konferencë të organizuar me rastin e 30-vjetorit të revistës gjeopolitike italiane “Limes”, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher

R.SH. – Vatikan

Mos i hidhni poshtë qëndrimet e Papës për Ukrainën si pacifizëm bosh dhe antiamerikanizëm, si ai i një lloj të majte italiane. Këtë nënvizoi në një konferencë të organizuar me rastin e 30-vjetorit të revistës gjeopolitike italiane “Limes”, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher. Me këtë rast, u paraqit edhe vëllimi 5/2023 i revistës, me titull "Leksione ukrainase", kushtuar luftës ndërmjet Rusisë e Ukrainës.

Papa Françesku, sqaroi prelati, "dëshiron dialog dhe paqe", "e ka bërë dhe e bën të qartë dallimin ndërmjet të sulmuarit dhe agresorit", por shpesh “fjalët e tij nuk janë përkthyer saktësisht e nganjëherë, nuk ia kanë kursyer as fyerjet”. Për shembull, "është e padrejtë ta quash qëndrimin e tij ‘anti-amerikanizëm blasfemues të Vatikanit’, të ngjashëm me atë të një lloj të majte italiane”. Shumë shpesh "fjalët dhe gjestet publike të Papës janë interpretuar si akte pacifizmi bosh", por "nuk është ky ndjeti i Atit të Shenjtë", i cili, përkundrazi, "niset nga profecia e guximshme e paqes, e cila dënohet dhe refuzohet, në vend që të mbështetet”.

Përveç drejtorit të revistës italiane Limes, Lucio Caracciolo, në sallë ishin të pranishëm edhe politikanë italianë, përfaqësues të Kishës e të institucioneve. Ajo që dëshiron Papa, vazhdoi imzot Gallagher, "është dialogu për paqen", prandaj, është thellësisht e gabuar të përkufizohen përpjekjet e tij si "të padobishme". Ukraina "mbetet viktimë" dhe e ka dëshmuar se është "e fortë dhe e guximshme" në "luftën e saj për ekzistencë.  Sa më tej vazhdojnë armiqësitë, aq më tragjike dhe më të thella mund të shihen pasojat, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë global. Për këtë arsye, “është e drejtë që të përkrahet në këtë angazhim”. Por, njëkohësisht, "ka nevojë për vepra heroike dhe rrugë krijuese për të arritur paqen", përfundoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat ndërkombëtare imzot Richard Paul Gallagher.

13 korrik 2023, 13:33