Kërko

Selia e Shenjtë: çrrënjosja e varfërisë, sfida më urgjente botërore

Gjatë Forumit Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm, përfaqësuesi i Vatikanit në OKB, imzot Robert Murphy, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare ta përtërijë impenjimin për të mbështetur vendet në gjendje të vështirë, duke siguruar zgjidhjen e problemeve dhe të nevojave të tyre të veçanta

R.SH. – Vatikan

Më 13 korrik 2023, Misioni i Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara ndërhyri në diskutimin me temë “Vendet afrikane, vendet më pak të zhvilluara dhe vendet në zhvillim pa dalje në det, në ndryshimin e prirjes, në rifitimin e terrenit të humbur dhe në rrugën drejt SDG-ve (Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm)”, gjatë Forumit Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Deklaratën e lexoi imzot Robert Murphy, Zëvendës Vëzhgues i Përhershëm dhe i Ngarkuar me Punë i Misionit të Selisë së Shenjtë.

Në fjalën e tij, imzot Murphy i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare ta përtërijë impenjimin për të mbështetur vendet në gjendje të vështirë, duke siguruar zgjidhjen e problemeve dhe të nevojave të tyre të veçanta. Njerëzit janë pasuria më e madhe e vendeve të tilla, theksoi ai, duke vënë në dukje se modelet e zhvillimit duhet të parashikojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, krahas sfidave ekonomike apo financiare.

Që të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët të zhvillohen plotësisht, të realizohen në jetë e të mbështesin familjet e tyre, duke marrë pjesë aktive në jetën shoqërore, nevojitet që bashkësia ndërkombëtare ta traktojë bashkërisht çështjen e çrrënjosjes së varfërisë, e cila mbetet sfida e saj më urgjente. Në këtë drejtim, tregtia luan një rol të rëndësishëm, pasi mund të nxisë zhvillimin ekonomik, përfundoi imzot Murphy, duke nënvizuar rëndësinë e rregullave të barabarta për të gjithë në këtë fushë.

14 korrik 2023, 16:28