Kërko

 Papa Francesco in preghiera davanti alla Madonna a Fatima, il 12 maggio del 2017 Papa Francesco in preghiera davanti alla Madonna a Fatima, il 12 maggio del 2017
Editorial

Papa në Fatima për t’u lutur për paqen në Ukrainë dhe në botë

Ndalesa në shenjtërore të Zojës së Bekuar në Fatima iu shtua udhëtimit me rastin e Ditës Botërore të Rinisë sepse Françesku dëshiron t'i lutet Marisë Virgjër në një mënyrë të veçantë për përfundimin e luftës në zemër të Evropës së krishterë dhe të të gjitha luftërave tjera. Shfaqja e Zojës së Bekuar në Portugali në vitit 1917 është veçanërisht e lidhur me Rusinë dhe Papët e shekullit të kaluar

R.SH. - Vatikan - Andrea Tornielli

Papa Françesku kthehet, më 5 gusht të ardhshëm, për herë të dytë në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar në Fatima, Portugali, ku në maj të vitit 1917 tre fëmijë bari - dy tashmë janë shpallur shenjtorë, i treti është në rrugën drejt nderimit në altarë - morën një mesazh nga Maria Virgjër në lidhje me të ardhmen e njerëzimit. Ndalesa e Papës Françeskut, prej disa orësh, në Fatima, ku do ta arrijë me helikopter të shtunën më 5 gusht të ardhshëm, iu shtua programit më vonë pasi shtegtimi papnor fillimisht parashikonte vetëm qëndrimin në Lisbonë për Ditën Botërore të Rinisë 2023. Siç dihet Françesku ka shkuar tashmë në Shenjtëroren e famshme Mariane, në maj 2017, me rastin e njëqindvjetorit të shfaqjeve të Zojës së Bekuar për shenjtërimin e dy vegimtarëve të vegjël Françeskut dhe Jaçinta Marto. Fakti që Papa Bergoglio vendosi të shtegton përsëri te këmbët e Zojës së Bekuar në Fatima është domethënës dhe ndjeti i Papës lidhet me tragjedinë e luftës që po përjeton "Ukraina e torturuar" e bombarduar nga ushtria ruse, por edhe me shumë luftëra tjera të harruara që po zhvillohen në botë.

Shtegtimi i Papës në Shenjtëroren e Zojës së Fatimës është një gjest, i cili mund të lidhet drejtpërdrejt me një tjetër shtegtim që Ati i Shenjtë bëri, pak më shumë se një muaj pas shpërthimit të luftës, kushtimin e Rusisë dhe Ukrainës Zemrës së Papërlyer të Marisë Virgjër, kremtuar në Shën Pjetër, në Vatikan, më 25 mars 2022. Pikërisht vetë kushtimi i Rusisë, në fakt, u kërkua nga Zoja e Bekuar gjatë shfaqjes në mesazhin e saj për barinjtë e vegjël të Fatimes. Gjashtëmbëdhjetë muaj më parë, Françesku u lut kështu: “ E kemi humbur rrugën e paqes. E kemi harruar mësimin e tragjedive të shekullit të kaluar, flijimin e miliona të vdekurve në luftërat botërore. I kemi shpërfillur angazhimet e marra si Bashkësi Kombesh dhe po i tradhtojmë ëndrrat e paqes së popujve dhe shpresat e të rinjve...Ti, yll i detit, mos na lër të mbytemi në stuhinë e luftës. Na liro nga lufta, ruaje botën nga kërcënimi bërthamor”.

Fatima dhe historia e Papëve

Shfaqjet e Virgjrës Mari në Portugali janë të lidhura me historinë e Papëve të shekullit të njëzetë dhe janë të ndërthurura me biografitë e tyre personale. Benedikti XV, në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, më 5 maj 1917 vendosi të shtojë thirrjen "Mbretëresha e Paqes, lutu për ne" në litanitë tradicionale lauretane që recitohen pas uratës së Rruzares Shenjte. Pak ditë më vonë, më 13 maj 1917, shfaqja e parë e Zojës së Fatimes. Një ngjarje kjo që ndodh në të njëjtën ditë kur Papa shuguron Eugenio Pacellin si ipeshkëv, në Kapelën Sistine, i destinuar të jetë pasuesi i tij i dytë në udhëheqje të Kishës. Pasi u bë Piu XII, më 31 tetor 1942, Papa Pacelli ia kushton Zemrës së Papërlyer të Marisë Virgjër "popujt e ndarë nga gabimet ose mosmarrëveshjet". Papa Pali VI, në maj 1967, ishte Papa i parë që shtegton në Fatima, në një Portugali që jetonte ende nën regjimin e diktatorit Salazar, për të kremtuar pesëdhjetëvjetorin e shfaqjeve të Virgjrës Mari. Pak ditë para nisjes, Papa Montini shpjegon: “Arsyeja shpirtërore, e cila kërkon t'i japë këtij udhëtimi kuptimin e duhur, është ajo e lutjes, edhe një herë, më me përulësi e me zell, në favor të paqes”. Dhe në predikimin e mbajtur në Fatima ai pohoi: "Njerëz, mos mendoni për projektet e shkatërrimit dhe vdekjes, të revolucionit... mendoni për projektet e paqes së përbashkët dhe bashkëpunimit solidar. Njerëz, mendoni për peshën e rëndë dhe madhështinë e kësaj ore, e cila mund të jetë vendimtare për historinë e së tashmes dhe të brezit të ardhshëm”. Papa Pali VI e përshkruan peshën e situatës historike me tone që nuk janë asgjë tjetër veçse siguruese: nga njëra anë "arsenali i madh i armëve tmerrësisht vdekjeprurëse" dhe një përparim moral që nuk shkon paralelisht me përparimin shkencor dhe teknik, dhe nga ana tjetër gjendja e varfërisë dhe e mjerimit në të cilën ndodhet "shumica e madhe e njerëzimit". “Kjo është arsyeja pse ne themi se bota është në rrezik. Është për këtë arsye që ne kemi ardhur te këmbët e Mbretëreshës Qiellore (Zojës së Bekuar) për t'i kërkuar asaj paqen, një dhuratë që vetëm Zoti mund ta japë... E shihni se si paraqitet këtu pasqyra e botës dhe e fateve të saj, e pamasë dhe dramatike".

Gjaku i Papës Wojtila dhe mesazhi i Benediktit

Por është pikërisht me Karol Wojtylën që historia e Zojës së Fatimes dhe mesazhi saj për fëmijët bari, mbajtur sekret deri në vitin 2000, lidhen pazgjidhshmërisht me jetën e një Pasardhësi të Pjetrit. Më 13 maj 1981, në orën 17.17, në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Gjon Pali II qe plagosur rëndë në një atentat të kryer nga terroristi turk Ali Agca. Papa polak arrin pothuajse i përgjakur dhe në prag të vdekjes në Poliklinikën romake Gemelli: ai do ta konsiderojë mbijetesën e tij nga ky atentat të mrekullueshme dhe nëntëmbëdhjetë vjet më vonë do të zbulojë, më në fund, pjesën e tretë të sekretit të Zojës së Fatimes, e cila përshkruan vrasjen e një "ipeshkvi të veshur me të bardha” që kalon nëpër një qytet të rrënuar dhe më në fund vritet, duke ia atribuuar vegimin vetes.

Në papninë e tij të gjatë, Wojtyla viziton Shenjtërore mariane portugeze tri herë, në 1982, në 1991 dhe së fundi në vitin e Jubileut të Madh të vitit 2000. Edhe pasardhësi i tij Benedikti XVI, gjatë vizitës së tij në Portugali në vitin 2010, shkon në shtegtim në Shenjtëroren e Zojës në Fatime dhe pohon : "Ata që mendojnë se misioni profetik i Fatimes ka përfunduar, do të mashtrohen". Me atë rast, gjatë fluturimit drejt Fatimes, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Papa Ratzinger foli edhe për krizën e abuzimeve, duke thënë: “Për risitë që mund të zbulojmë sot në këtë mesazh, është edhe fakti që sulmet ndaj Papës dhe Kishës, nuk vijnë vetëm nga jashtë, por vuajtjet e Kishës vijnë nga brenda Kishës, nga mëkati që ekziston në Kishë. Edhe kjo ka qenë gjithmonë e njohur, por sot ne e shohim në një mënyrë vërtet të tmerrshme: se persekutimi më i madh i Kishës nuk vjen nga armiqtë e jashtëm, por lind nga mëkati në Kishë dhe se Kisha ka një nevojë të thellë për të ri-mësuar pendesën".

06 korrik 2023, 11:09