Kërko

Carri armati a Kharkiv, in Ucraina  (ANSA) Carri armati a Kharkiv, in Ucraina (ANSA)

OKB, Vatikani: bëni gjithçka për paqen në Ukrainë dhe për sigurinë e civilëve

Imzot Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë Apostolike pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, foli dje në seancën plenare të 88-të të asamblesë së përgjithshme, ku diskutohej situata në territoret e pushtuara përkohësisht të vendit të Evropës Lindore dhe përsëriti ftesën e Françeskut për të bërë gjithçka është e mundur që t'i jepet fund luftës: njerëzit e zhvendosur vazhdojnë të marrin ndihmë, në pritje të "një kthimi të sigurt, vullnetar dhe dinjitoz në shtëpitë e tyre"

R.SH. / Vatican News

“Selia e Shenjtë, që vazhdon të jetë shumë e shqetësuar për luftën e përgjakshme në Ukrainë”, përsërit thirrjen për armëpushimin dhe fillimin e bisedimeve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Kështu deklaroi imzot Gabriele Caccia, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë, në mbledhjen e 88-të plenare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku dje u diskutua për situatën në territoret e pushtuara përkohësisht të vendit të Evropës Lindore.

Të bëhet gjithçka e mundur për t'i dhënë fund luftës

Diplomati i Vatikanit përsëriti ftesën e Françeskut në lutjen e Engjëllit, më 2 tetor, drejtuar "të gjithë protagonistëve të jetës ndërkombëtare" dhe "liderëve politikë të kombeve, që të bëjnë gjithçka është e mundur për t'i dhënë fund luftës" dhe kujtoi se Papa, në fjalimin e tij të fundit para delegacionit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, më 30 qershorin e kaluar, e quajti luftën, që vijon në Ukrainë, "fatkeqësi të vërtetë", si të gjitha luftërat e tjera”.

Të intensifikohen përpjekjet për bashkimin e familjeve

Më pas imzot Caccia falënderoi, në emër të Selisë së Shenjtë, "Shtetet që i pritën dhe i mbështetën refugjatët", duke kërkuar "që të zhvendosurit të vazhdojnë të kenë mbështetje humanitare derisa të mund të nisen për një kthim të sigurt, vullnetar dhe dinjitoz, në shtëpitë e tyre". "Selia e Shenjtë - vazhdoi vëzhguesi i përhershëm - nxit të mos kursehet asnjë përpjekje për të siguruar ribashkimin e shpejtë të të gjitha familjeve të ndara nga dhuna aktuale në Ukrainë, duke siguruar së pari, mbrojtjen e interesave të fëmijëve".

Bashkësia ndërkombëtare punon për paqen

Duke përmendur përsëri fjalimin e Françeskut më 30 qershor, imzot Caccia shtoi se "përballë një vuajtje të tillë, bashkësia ndërkombëtare nuk duhet t’i nënshtrohet luftës, por të punojë së bashku për paqen". Në këtë drejtim ai përmendi "misionet që synojnë 'dëgjimin dhe identifikimin, gjeste humanitare, që mund të na udhëheqin drejt rrugës së paqes” e që Papa ia besoi kardinalit Matteo Zuppi.

Përdorni të gjitha mjetet diplomatike për sigurimin e ndihmës humanitare

Selia e Shenjtë u bën thirrje të gjitha palëve të mbështesin përpjekjet humanitare për të zbutur disa nga vuajtjet e pafundme të shkaktuara nga lufta e urryer - përfundoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë - duke theksuar se është urgjente, siç  e theksoi përsëri Papa Françesku më 2 tetor të vitit “të përdoren të gjitha mjetet diplomatike, edhe ato që ndoshta nuk janë shfrytëzuar deri tani, për t'i dhënë fund kësaj tragjedie të tmerrshme".

( Tiziana Campisi)

19 korrik 2023, 14:36