Kërko

2023.07.01 MONS ANTONIO STAGLIANO 2023.07.01 MONS ANTONIO STAGLIANO 

Kurrë më dhunë në emër të Zotit. Së shpejti një Çenakull teologjik

Në Stamboll, kryetari i Path (Udha), Antonio Staglianò, është për vizitë tek patriarku ekumenik Bartolomeu I: "Krishti është gjithmonë në anën e të gjitha viktimave, pra edhe atyre ukrainase e ruse". Akademia Papnore po merret me një sërë nismash për "teologjinë në dalje" drejtuar të gjithëve, duke nisur nga më të fundmit.

R. SH. - Vatikan

“Zoti dhe dhuna: ndërmjet besimeve dhe fesë së krishterë”. Rreth kësaj teme do të flitet në Çenakullin Ndërkombëtar Teologjik, që do të mblidhet pas vizitës presidentit të Akademisë Papnore të Teologjisë (Udha), Imzot Antonio Staglianò te Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, ditëve të fundit në Stamboll  

Një e kaluar, që dukej e perënduar

Në sfond, lufta në Ukrainë, që bëri të ridalë në dritë një "e kaluar e krishterë", të cilën shumë e konsideronin tashmë të vjetëruar, ose më mirë, ideja ateologjike se Zoti mund të jetë në anën e një kombi "kundër" një kombi tjetër. Absurde, sipas Patrikut Bartolomeu, ta ngatërrosh në këtë tragjedi Jezusin, i cili vdiq në kryq për të zbuluar fytyrën e shenjtë të Zotit-agape, vetëm dhe gjithmonë dashuri. "Krishti - lexohet në komunikatën e përhapur nga Akademia Papnore e Teologjisë - është gjithmonë në anën e viktimave, të gjithave, ukrainase dhe ruse, ndërsa me urdhërimin e dashurisë kërkon që të gjithë të jenë nga ana e Tij, domethënë, nga ana e faljes, e miqësisë, e vëllazërisë universale”.

Shpërfytyrimi i Zotit

“Të veprosh me dhunë në emër të Zotit është satanike”: me këtë mendim të Françeskut pajtohet plotësisht Bartolomeu, për të cilin Papa është “vëlla i vërtetë”. Përveç problemeve shoqërore, si miliona të shpërngulur, problemet politike të rikonfigurimit gjeopolitik të Azisë dhe Evropës, problemet baritore të një feje të dëshmuar nga pranimi dhe mikpritja, lufta në Ukrainë - u theksua - shtron "posaçërisht të gjitha problemet teologjike për Zotin, emri i të cilit përdoret për të përligjur çdo luftë, me thirrjen “Zoti e do”.

Teologji në dalje

U kujtuan edhe disa fakte historike, si plaçkitja e Kostandinopojës, më 1204 ose rënia e Perandorisë Bizantine, më 1453, kur "besimtarët   masakruan besimtarët, të krishterët masakruan të krishterët. Ngjarje tragjike, që na nxisin edhe sot të bëjmë pyetje, që presin ngutshëm përgjigje: e gjithë kjo u bë vërtet në emër të Zotit? Pse Zoti nuk e dëgjon lutjen e atyre që kërkojnë mbrojtje?".

 Pikërisht çështja e Zotit dhe e Zbulesës së Krishterë do të jetë në qendër të një sërë nismash për një "teologji në dalje" drejtuar "njerëzve të zakonshëm", veçanërisht të fundmëve, për të cilët po punon Akademia Papnore e Teologjisë, në pritje të miratimit të Statutit të ri nga Ati i Shenjtë.

01 korrik 2023, 12:36